Kulturë\Letërsi

Kadri Rexhaj: U përurua libri me poezi i Sami Dermakut

Veprimtari Sami R. Dërmaku
para një jave përuroi librin me poezi “TË NDRITURIT”.
Me këtë rast përgëzojmë autorin, ndërsa librit i urojmë rrugëtim të mbarë drejt lexuesit!
*
HARTË EMOCIONALE E QËNDRESËS
Veprimtar, organizator, kryengritës, i burgosur politik, grevist i vazhdueshëm burgjesh, sakrifikues për shokët, publicist, polemist i shkëlqyer, veteran i UÇK-së, Sami Dërmaku, me këtë botim letrar, vjen me një profil të ri prej veprimtari duke plotësuar natyrshëm edhe një dimension të personalitetit të tij atdhetar. Poezitë e librit “TË NDRITURIT” u kushtohen figurave të ndritshme të kombit tonë, shëmbëlltyrave frymëzuese të brezave, shumica të njohur drejtpërsëdrejti me autorin, një pjesë e tyre shokë organizimesh, bashkëvuajtës burgjesh dhe shokë lufte. Duke shkruar për luftëtarët e lirisë, virtytet, botëkuptimin, qëndresën, veprimin dhe flijimin e tyre, autori, me këtë libër, i bën jehonë dramës historike të trojeve të pushtuara të atdheut dhe dramës heroike të qëndresës aktive të popullit shqiptar, pa lënë anash goditjen e fortë mbi dukuritë e liga të ditëve tona. Të shkruara në kohë të ndryshme, si përkushtime dhimbjesh krenare, poezitë e këtij libri janë të thjeshta, të drejtpërdrejta, komunikuese dhe tejet të çiltra, në të cilat pahetueshëm shkrihen vuajtjet, përpjekjet, emocionet, malli, kujtimet dhe porositë e heronjve. “Të ndriturit”, kjo hartë emocionale e qëndresës, me motiv kryesor atdhedashurinë, aq sa nderon figurat e kombit, po aq nderon autorin e librit.