Shqipëria/Aktualitet

Nisin punimet për ndërtimin e Unazës Veriore të Tiranës

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Nisin punimet për ndërtimin e Unazës Veriore të Tiranës, pjesë e projektit të Unazës së Madhe.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në lotin e dytë të Unazës Veriore, që shënon nisjen e kantierit të parë në 7 lotet e Unazës Veriore, një pjesë shumë e rëndësishme e Unazës së Madhe të Tiranës.

“Punimet nisin këtu pasi kemi përfunduar pjesën më të madhe të investimit në Unazën Lindore dhe bashkë me Unazën Veriore mbyllim 40 % të volumeve të mbetura të Unazës së Madhe të Tiranës, duke krijuar kështu aksesin e qarkullimit të mjeteve edhe në krahut lindor, të Rrugës së Arbrit, për t’u futur në kryeqytet, por sigurisht përmes kësaj Unaze të Madhe lehtësojmë fluksin e qarkullimin në të gjitha drejtimet e qytetit”, u shpreh Balluku.

Ministrja vuri në dukje se një kompleksitet në ndërtimin e 7 loteve të Unazës Veriore, ka qenë pjesa e shpronësimeve, ku gjenden banesa të palegalizuara. “Ne do të marrim të gjitha masat e duhura për banorët që kanë shtëpi të palegalizuara”, tha Balluku, ndërsa vuri në dukje se në total janë rreth 60 banesa që do të shpronësohen.

Gjatësia e rrugës që përshkon lotin e dytë të Unazës Veriore është 2.17 km dhe do të ketë një gjerësi të mjaftueshme me 4 korsi. Projekti parashikon gjelbërimin dhe ndriçimin e saj krahas rehabilitimit edhe të rrugës dytësore, që gjendet në krah të këtij loti.

Balluku bëri të ditur se, koha e dorëzimit të kësaj rruge është 11 muaj.

Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është një investim ambicioz që i jep zgjidhje fluksit të qarkullimit dhe ndikon në zhvillimin ekonomik dhe social të gjithë zonës ku kalon.

/j.p/r.e/