Me rastin e 95-vjetorit të lindjes
Një ndër vatrat me më shumë zjarr të ndezur atdhetar të kohës së LANÇ në ish rrethin e Lushnjes ka qenë edhe ajo e familjes së gjerë Zegali në fshatin Mazhaj. Krahas asaj Bozo në Kolonjë, Kurti në Ngurrëz, Gjermëni në Fierin e ri, Libohova në Lushnje etj. etj., familja Zegali i dha Luftës 13 partizanë, dy Dëshmorë të Atdheut dhe një invalid të LANÇ.
Fshati Mazhaj ka pas qenë i përmendur edhe për një dinasti të tërë klerikësh atdhetarë ortodoks, që shërbyen deri edhe në forumet më të larta kishtare në Berat. Njihen tashmë historikisht figurat e shquara klerikale të këtij fshati në dekada të ndryshme të shekujve XIX e XX, siç mund të përmenden Papa Mitrushi, Papa Josifi, Papa Anastasi, At Theodhori, Papa Thanasi, Papa Petroja, Papa Nikolli, ikonom Theodhori dhe i biri – Papa Ilia Zegali, ish partizan dhe Dëshmor i Atdheut.
Ka pas edhe klerikë të tjerë para këtyre e të tjerë edhe në vazhdim të kësaj aradhe.
Ja, pikërisht nga kjo folezë njerëzish të shquar ka dalë Josif Zegali, i lindur më 27 dhjetor të vitit 1926, që, viteve të pasçlirimit të Atdheut, do të bëhej një figurë e shquar e Xhenios shqiptare, kolonel që në moshën 33 vjeçare, ngritur deri në majën më të lartë të kësaj Arme në ministrinë e Mbrojtjes dhe, mjerisht, zbritur teposhtë me rrapullim, si armik i popullit!
Kolonel Josif Zegali
Nga kisha e Mazhajt, në Shkollën Profesionale të Punës në Berat
Sikundër i vëllaj – Kozmaj dhe kushërinjtë – Themiu, Llazari etj., edhe Josif Zegali e mbaroi shkollën fillore në vendlindje. Dhe ka qenë ndër nxënësit më të zellshëm të atij fshati. Gjynah të mos harxhojmë diçka për këtë djalë, ishin shprehur në familje. Dhe e dërgojnë në Berat për të vazhduar mësimet në Shkollën Profesionale të Punës. Edhe këtu: shkëlqyer.
Sakaq, edhe pse fare i ri në moshë, aktivizohet në celulën komuniste të qytetit, në të cilën bënin pjesë, mes të tjerëve, edhe Gjin Marku, Kristaq Capo, Kristo Isak e të tjerë.
Mbaroi shkollën në verën e vitit 1942 dhe shkoi në fshat. Tani do të mundohemi të të gjejmë ndonjë punë, i thanë djaloshit që kthehej nga Berati. Jo për punë, ua kishte kthyer Josifi, por për të më çuar në Itali me studime. Se ne, dy nxënësve më të dalluar të shkollës, na është dhënë e drejta për t’i vazhduar studimet në Institutin e Agrokulturës “Antonio Zanneli” në Rexhio Emilia të Italisë.
– Sa të vështirë e pata për të shkuar në Itali! – na pat treguar vet Josifi.
Dhe tregimi i tij ishte vërtet interesant: Duheshin të ardhura për të blerë tesha të reja, për të pasur me vete ca sende për nevojat e shkollës. Mbi të gjitha, duheshin lekë për anijen që do ta çonte në Itali. Xhaxha Ilia merr një ka dhe e ve përpara për ta shitur në Lushnjë. Unë, prapa tij. Tërë ditën mbas kaut, por me asnjë blerës nuk ramë në pazar.
Aty buzëmbrëmjes u nisëm për në Mazhaj. Teksa po kalonim para bashkisë, një burrë i bëshëm, që bisedonte me dikë, i bënte me dorë xhaxhait që t’i afrohej. Shkoi xhaxhai te ai.
– Papa Ilia, ç’e mirë të ka sjellë në qytet? – i qe drejtuar ai që e pat ftuar t’i afrohej.
– Ah, lere – lere, Ahmet bej! – Më ka ardhur gjemia në portin e Durrësit dhe unë nuk jam në gjendje ta shkarkoj dot.
– Fol më shkoqur, që t’ju kuptoj, – i kishte folur ai që e pat thirrur.
– Nipit tim i ka dalë e drejta për të studiuar në Itali, por unë jam hollë nga…. Tjetri kishte nxjerrë portofolin dhe i kishte dhënë Papa Ilias disa napolona flori.
– Merri dhe dërgojeni djalin në shkollë – i kishte thënë Papa Ilias.
Prifti e kishte falënderuar bamirësin dhe kishte shkuar te djaloshi, që priste te kau.
– Tani e rregulluam punën, or bir, – i ishte drejtuar Josifit. – Na i dha lekët Ahmet bej Resuli.
Kolonel Josif Zegali mes disa prej kolegëve të vet ushtarakë
Ndërpret studimet dhe rreshtohet në Çetën Partizane të Pezës
Në Institutin e Agrokulturës “Antonio Zanneti” të Rexhio Emilias djaloshi nga Mazhaj qëndroi vetëm tre muaj, sepse zëri i ndërgjegjes kombëtare e urdhëroi që të vepronte për një interes shumë më të lartë: për çlirimin e Atdheut. Në janarin e vitit 1943 kthehet në familje, por nuk qëndroi pranë saj. Shkoi e rreshtohet në Çetën Partizane të Myzeqesë.
Pak javë më pas, i këshilluar nga shokët e vet ish studentë, bëhet pjesëtar i njërës prej çetave partizane të Pezës, madje caktohet komandant skuadre. Në një nga luftimet e rrepta zhvilluar në Petrelë kundër pushtuesve të huaj i vritet shoku i vet, Ludovik Shllaku, ndërkohë që edhe ai vet plagoset.
Në Kongresin e Përmetit Josif Zegali do të titullohej oficer, ndërsa më 20 gusht 1944 do të rreshtohej në përbërje të Brigadës XVI Sulmuese Partizane. Në tetor 1944 do të ishte oficer (toger) pranë Misionit të Aleatëve me vendqëndrim në Berat, ku sapo qe formuar Qeveria Provizore Demokratike.
Më 28 nëntor 1944 do të ishte në Tiranë, ku, së bashku me shokët e vet partizanë, do të parakalonte para Qeverisë dhe Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha.
Pikërisht këtu në Tiranë, mbas thuajse një vit e gjysmë pa u parë, ai do të takohej me vëllezërit e vet, Themiun e Kozmain, kuadro të Brigadës I Sulmuese Partizane.
Nga e majta në të djathtë: vëllezërit Kozma, Themi dhe Josif Zegali, kuadro gjatë LANÇ, të tillë edhe pas çlirimit.
Me interesimin e Nako Spirut dërgohet për studime të larta në Bashkimin Sovjetik
Menjëherë mbas çlirimit të Atdheut Josif Zegali caktohet të punojë në aparatin e Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Pak më pas dërgohet shef personeli në Divizionin Ushtarak të Korçës. Në shtatorin e vitit 1946, me interesimin e drejtpërdrejtë të Nako Spirut, ky oficer i ri dërgohet në Bashkimin Sovjetik pranë një shkolle inxhinierike ushtarake, ku gjatë dy viteve mbaroi me rezultate të larta.
Tanimë Josif Zegali do të ishte një specialist i përgatitur i Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të shërbente për gjashtë vjet. Në vitin 1954 dërgohet për herë të dytë në Bashkimin Sovjetik, tashmë për të vazhduar studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Vladimir Kujbishev” në Moskë, të cilën e mbaroi në vitin 1960 me Medalje Ari. Diploma e tij është me të kuqe.
Para tij tanimë hapej një rrugë e gjerë karriere ushtarake. Nuk do të vononte dhe do të caktohej shef i Shtabit të Xhenios pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Shumë i aftë si inxhinier, atij i ngarkohen detyra me rëndësi strategjike, si ato që kishin të bënin me ndërtimin e uzinave ushtarake në Poliçan e në Gramsh, për ndërtimin e Bazës Ushtarake Ajrore të Gjadrit, të Bazës Ushtarake Detare të Shëngjinit etj., etj.
Për gjithçka që kishte bërë si inxhinier dhe si drejtues kryesor i ndërtimit të veprave ushtarake të rëndësisë së veçantë, ai qe propozuar për Hero i Punës Socialiste dhe, ndërkohë, për t’iu dhënë edhe titulli Profesor i Shkencave Ushtarako – Teknike. Por…
Por… mbi kokën e këtij ushtaraku të talentuar ranë bubullimat e kohës
Në kohën e “tërmetit” të madh politik (viteve 1973 – 1974) ra thuajse shumica e “kështjellave” të Ushtrisë. Ra edhe ajo e inxhinierit të shquar ushtarak, Josif Zegali. Së pari, e pësoi i vëllai, kolonel Kozmaj, ish kuadër në Brigadën I Sulmuese Partizane, në këtë kohë: shef i kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku.
Ndërkohë që Josif Zegali priste të merrte titullin e lartë të Heroit të Punës Socialiste, ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar as në ëndrrën e tij më të keqe: burgoset si “sabotator i fortifikimit ushtarak të Shqipërisë”!!! Në tërë atë zallamahi që qe krijuar, shefi i Shtabit të Xhenios e pat kuptuar se do t’í vinte radha për ndëshkim! Se nuk thonë kot: në një lis të rrëzuar, të gjithë shkojnë për të marrë shkarpa.
Sapo u përfol diçka për shef Josifin, një shpurë e tërë servilësh, zabërhanësh e xhahilësh u lëshuan mbi këtë ushtarak të talentuar për t’i ngarkuar mbi shpinë tërë të zezat e kohës! U kishte ardhur rasti hakmarrësve që të bënin “atdhetarin”!
Burgoset në janar të vitit 1975 me akuza krejt absurde: “sabotim në mbrojtjen e vendit”, “agjitacion e propagandë për rrëzimin e Pushtetit Popullor”, “përhapje e sekretit ushtarak” etj !!! Dënohej kështu ky ish partizan, që kishte braktisur studimet në Itali për çështjen e Atdheut! Dënohej ky kuadër i LANÇ, nga rrethi familjar i të cilit kishin luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj plot 19 pjesëtarë të tij. Dhe qëndroi me liri të privuar deri më 15 maj të vitit 1982! Gjatë kësaj periudhe la të mjerë bashkëshorten Leni, së bashku me katër vajza ende të parritura!
Mbas lirimit nga burgu, ndërgjegjja e pastër prej intelektuali ushtarak nuk e linte të qetë. Me mendjen vetëm te profesioni, donte të kontribuonte sërish. Edhe pse i vetëdijshëm se mund ta pësonte, guxoi t’i dërgonte një letër Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku i bënte disa sugjerime të sinqerta e shumë të vlefshme, thjesht profesionale, lidhur me fortifikimin ushtarak. Letra iu përcoll dy ministrave, atij të Mbrojtjes dhe atij të Punëve të Brendshme. Këta gjetën rastin të rishpalosnin servilizmin e tyre para shefit të madh! Sërish Josifi në burg! Por këtë herë, e vërteta që thoshte ky ushtarak kompetent ishte si drita e diellit. S’mund të errësohej. Dhe e nxjerrin të pafajshëm.
Jetës si pensionist i pat dhënë tjetër përmbajtje dhe kuptim
Sa herë që e takonim aty te Parku “Rinia” i Tiranës, atëherë i mbushur plot me kioska, Josif Zegali na shprehej me një lloj zemërimi: “More, këta që shikon të vijnë vërdallë kot së koti kam përshtypjen se janë pleq të mbaruar! Këta nuk janë thjesht pensionistë”.
Ndërsa shprehej kështu, dukej se nisej nga vetvetja. Atë e gjeje vazhdimisht me bllok shënimesh e stilolaps me vete. “Kam mjaft plane në kokë, por sa do të mund të realizojë prej tyre, kjo… kjo varet nga jeta ime”.
Josif Zegali është ndër të rrallët ushtarakë të lartë që ka lënë pas artikuj, studime e deri botime ushtarake. Ndër librat që ka botuar mund të përmendim “Fortifikimi shqiptar dhe ai botëror në shekuj”, një libër voluminoz, realizuar me përkrahjen e Akademisë së Shkencave dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Ka botuar librin tjetër interesant
Lufta II Botërore dhe populli shqiptar”. Në vazhdim, i pat dërguar lexuesit librin “Edukimi nëpërmjet mençurisë njerëzore”.
Sigurisht, ushtaraku i ndëshkuar rëndë në mënyrë të pamerituar Josif Zegali nuk mund të mos shkruante edhe për vuajtjet e veta. Kështu, ai ka botuar edhe librat “Rrëfimi nga burgu i diktaturës komuniste” dhe “Lufta dhe patriotizmi kombëtar dhe terrori ndaj kuadrove të Luftës e të Ushtrisë”.
Bëmë baba të të ngjaj, thotë populli. Siç ka qenë vet; studiues si vet ai, ashtu i ngjanë të katër vajzat.
E madhja, e ndjera Tamara, pat mbaruar Institutin e Lartë të Arteve për pikturë dhe e prirur edhe për poezi.
E dyta, Margarita Zegali (Sallavaçi) ka mbaruar juridikun dhe ka pas punuar avokate.
Tjetra, Marjana Zegali (Rustemi) ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve për dramaturgji dhe punoi deri sa doli në pension zëdhënëse e ministrisë së Mbrojtjes, ku ka pas shërbyer tërë jetën i ati.
Vajza e katërt, Vojsava, ka mbaruar për inxhinieri pyjore në Universitetin Bujqësor të Kamzës, (ku u mbajt pedagoge), ndërkohë në universitetin e Padovës në Itali ka mbrojtur doktoraturën me një studim në fushën e ekologjisë pyjore.
Nderimet konsiderohen vlerë jo kur lind, por kur të jepet lamtumira e fundit
Në mesjanarin e vitit 2001 ushtarakut të lartë, të ndjerit Kolonel Josif Zegali Ministria e Mbrojtjes i organizoi një ceremoni të denjë varrimi. Edhe pse ishte një ditë e acartë, në këtë funeral të veçantë morën pjesë shumë njerëz, kryesisht ish oficerë.
Në telegramin ngushëllues të ministrit të Mbrojtjes në detyrë, zotit Ismail Lleshi, ndër të tjera shkruhej: “Ndarja nga jeta e Kolonel Josif Zegalit është një humbje e pazëvendësueshme për armën shqiptare të Xhenios, për të cilën ky ushtarak i lartë, me vetëdije patriotike, guxim e zgjuarsi shkriu tërë jetën e tij”.
Zoti Alfred Moisiu, ish President i Republikës, do të shprehej me nota shumë vlerësuese për “… patriotin, ushtarakun, xhenierin dhe inxhinierin e talentuar… të shquar për përkushtim të lartë në detyrë, për atdhedashuri, ndershmëri, korrektësi dhe vullnet të hekurt”.
Josif Zegali mbeti një figurë e shquar e Xhenierit shqiptar
Padyshim, që kolonel Josif Zegali (të vjen keq që nuk arriti të gradohej Gjeneral), ka qenë dhe ka mbetur emblemë e xhenierit të vërtetë shqiptar. Rreth figurës së tij është mbështetur regjisori i mirënjohur Kujtim Çashku për të realizuar filmin me metrazh të gjatë “Kolonel Bunker”. Ky film është shfaqur në më shumë se 40 shtete të botës dhe ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Kolonel Josif Zegalit i qenë akorduar nga ana e ish Presidiumit të Kuvendit Popullor plot 14 dekorata të larta. Ndërkohë, këshilli bashkiak i Lushnjes (në kohën kur këtë bashki e drejtonte zoti Kadri Gega) i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Lushnjes”. Në ceremoninë e rastit pat marrë pjesë dhe pat folur edhe Gjeneral Rrahman Parllaku, që nuk i pat kursyer epitetet për këtë bir të shquar të Myzeqesë dhe për këtë ushtarak të lartë të mbarë Shqipërisë.
* * *
Morali është një oborr i madh, ku disa venë për të marrë forcë, ndërsa të tjerë shkojnë aty për të hedhur plehrat, ka thënë një dijetar i shquar francez.
Kolonel Josif Zegali kudo që u gjend; në shkollë, në detyrë, deri edhe në qeli qëndroi vërtet dinjitoz, stoik.
Edhe pse i dërrmuar nga ana psikologjike, ai e përbuzi jetën prej qaramani dhe zvarraniku.
Sepse devizë kishte mendimin: është i dobët jo ai që rrëzohet, por ai që nuk pranon të ringrihet.