Në vend të përkujtimit:
Liria ende nuk fle rahat në lëkurën e saj të ngushtë rrudhur në paketë.
Rexhep Mala & Nuhi (Rexhep)Berisha
38 vjet mes natës sot e mëngjesit nesër (11 e 12 janar 1984), mbushen nga rënia e Juaj heroike: Rexhë e Nuhi – Heronjë të orëve të para të Lirisë së Kosovës në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Asgjë e veçantë nuk ka ndodhë që nga ajo ditë e madhe e betejës për Kushtrim Lirie. Vajza e djemë, gra e burra të Kosovës, nuk e harruan Kushtrimin e janarit 1984, edhe mëtej vazhduan me dashni e thjeshtësi luftën për çlirim, në burgje e në male. Erdhën çlirimtaret e çlirimtarët në radhët UÇK-së me Hamëz e Adem Jasharin, me mitralezin tënd Nuhi, fanar maleve e betejave ku frymë mori lirisht jeta e andrra për më shumë dinjitet.
Sot, pas 38 vjetësh, Kosova gogol a mollë sherri në hazdisje patkonjësh të popullit individualist, lëngon sëmundjen e vegjetimit për hire individuale në emër të kauzave kolektive. Kosova e urbanizuar me rrugë e magjistrale, ndërtesa banimi, pompa benzini, ura, shkolla tek-tuk, edhe universitete private janë ndërtuar e hapur kudo, e më së shumti faltore për shfajësim me gjasë. Lapidar e shtatore heronjësh të harruar a të braktisur në varreza, dërmuar nga kotësia e Lirisë bonjake. Heronjë të ringjallur me shkas vetëm ditëve të pazarit e biznesit politik – parakalimeve mitike a shfaqjeve teatrale plot hire fjalimesh pompoze e parullash me ngjyrim “mondan” e plot stolisje puplash kombëtare, asnjëherë apo me pak “tundim” jehu për hirë të Lirisë.
Ka vite që nuk dua të ngjitem në Lëndin e Prehjes ku Ju ofshani e nuk flisni, nuk më pëlqejnë lapidarët e zi dhe as vrasja e dyfishtë e heronjëve – dy burra, nga koci, mishi e gjaku, plot zemër e jehonë këngësh, flakë për flakë në batare plumbash me Novicën e Zi dje, sot zhveshur nga realiteti e përjetësia të shndërruar në legjenda për mos t’ua zënë kolltuqet sejmenëve të Tryezave Blu.
Ua kam lakmi thjeshtësinë e flijimit bukur – dy trima për ballë një ushtrie e policie të veshur me çelik deri në dhëmbë dhe tërr Syri nuk ju bani, anipse mishi, koci e shpirti dhembë…!
Liria, erdhi e lodhur ngujuar në paketë, sepse ndryshe nuk bënte një zgjidhje e dyzuar në këmbët e veta e të miqëve. Erdhi me këngë e ngashërime, me dëshmorë e heronjë gra, burra heronjë e viktima, bile edhe shumë fëmijë viktima. Erdhi me shumë lotë e thirrje Nënash, motrash, nusesh e vajzash për kthimin e të zhdukurëve dhe të pagjeturëve, erdhi me sheshe heronjësh të zhvendosur nga vendet ku ata ranë në një shesh garuesish idnividual në krye-qytet. Erdhën heronjtë bashkë me Gjergj Kastriotin, por nuk erdhi kurrë as Shote Galica dhe asnjë vajzë a grua tjetër e as Ju, anipse përjetësinë e fituat në Prishtinë. S’ka gjë Ju jetuat vertikalisht e u përjetësuat thjesht e vertikalisht në shtatore, anipse nuk më pëlqenë aspak mermeri i zi dhe as fjalimet pompoze të sejmenëve me lustra vajesh kozmetike.
Sigurisht, do të vi një ditë tjetër jo te shtatoret tuaja në Lëndinën e Prehjes, por tek varri i Juaj i parë. Aty jetojnë gjurmët e Juaja pushimi i trupit tuaj të njomë në tokën e bekuar mbështjellur me dheun ende të rimur me gjak e andrrën e madhe të Lirisë. Aty unë kam prehjen time Nuhi, aty e tek guri i varrit tënd ka mbetë shumçka që kam thënë e më ke thënë. As Ty e as mua kurrë nuk na kanë pëlqyer lustrat as diademat e shkëlqimit të rrem. Besoj që as “Xhepës” – heroinave e heronjëve të tjerë. Sot ma shumë se kurrë kam mall për rrugët e strehët ilegale, Liria ende nuk fle rahat në lëkurën e saj të ngushtë rrudhur në paketë.
Gjithmonë në Yllësinë e thjeshtësisë jetoni vertikalisht mileniumeve…!
add a comment