Prend Buzhala: Karakterizimi e zemërimi aristetolian i Fan Nolit përballë anarkisë (Në 140 – vjetorin e lindjes)
(Çaste estetike: “Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”, fjalim i Fan S. Nolit i mbajtur në parlamentin shqiptar më 1924. Nga LEKTYRA ORATORIKE SHQIPTARE)
Që nga fillimi Retorika ndërlidhet me Fjalën e Folur. Më vonë, si duket, retorika ishte themeluar që të merrej me mjeshtërinë e të folurit para publikut. Po qe se letërsia është art i fjalës, atëherë, aty afër i qëndron retorika si dije mbi artin e të folurit bukur, mbi artin e të shprehurit bukur. Një ndër mjeshtrit më të spikatur të shkrimit retorik, ka qenë Fan Noli. I njohur si Njeri i Letrave në poezi, publicistikë, përkthime, dramaturgji, historiografi, muzikologji, ai prirjet e tij folëse i shfaqi edhe si klerik dhe politikan. Dhe kudo u shqua aftësia e tij oratorike.
1.
Folësi i vë vetes një mision në jetë. Nuk është e habitshme, prandaj, përse Noli kërkimet pasionante të tij i ka bërë në histori, në mitologjinë antike dhe në historinë e literaturën (heroike) klerikale, për të arritur, në kulmin e veprimit të tij, në fushën e veprimit politik. Së këndejmi, do ta kemi të vështirë ta dallojmë Nolin si Predikues të Fjalës së Hyjit dhe Tribun Popullor, apo Nolin Politikan, Opozitar dhe Revolucionar, njësoj është kur ligjëron Diplomati në arenën ndërkombëtare e kur Njohësi i Letërsisë. Nuk është e rastit përse tre heronjtë e tij të preferuar, si model e shëmbëlltyrë veprimi, drejtimi e meditimi, ishin Napoleoni, Skënderbeu dhe Jezusi. Porse, më vonë, kur Atdheu bëhet (kapërcehet periudha e kërkimit të heronjve historikë), atëherë jepet në kërkim të Udhëheqësit të Politikës, Demokracisë. Tashmë Fjala e Tij është e armatosur me vizionin për një Tjetër Shqipëri, të lirë e demokratike. Shquhet, në këso periudhash, dhe Zëri i Fuqishëm Opozitar, gjithë intelekt dhe pathos.
Kësisoj, në jetën politike, në fillim të viteve 1920, Fan Noli erdhi si përfaqësues i shoqërisë “Vatra”. Ndër periudhat dinamike, ku Shqipëria po hynte në jetën e mendimit modern politik, ishte ajo e viteve 1920-1924, kur Noli ishte në ballë, krahas figurave të shquara të lëvizjes demokratike e liberale të kohës, sikundër ishin Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo personalitete me emër si Bajram Curri e At Gjergj Fishta. Dhe fakti historik na ligjëron: ai ishte në krye të “Vatrës” , në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe në krye të Qeverisë Demokratike të vitit 1924. Në të gjitha rastet, aty ku erdhi për t’i bërë misionet e tij, ndihej mungesa: mungesa e Atdheut (“Vatra”), mungesa e autoqefalisë (Kisha) dhe mungesa e demokracisë (politika).
2.
Si rëndom, figurat e tilla të shquara, që kanë lënë gjurmë në shumë fusha të jetës shoqërore, kulturore e letrare, ata lënë gjurmë edhe në fushën e oratorisë. Nga Noli janë popullarizuar shumë, disa nga fjalimet e tij:
– Fjalimi i Fan Nolit në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të presidentit Uilson,
– Fjalimi në Lidhjen e Kombeve më 1920-ën
– Fjalim i mbajtur nga Fan S. Noli ne Parlamentin Shqiptar në vitin 1924,
– Fjalimi në përcjelljen mortore të Avni Rrustemit, më 1924,
– Fjalimi , kur jepte dorëheqje si ministër i Jashtëm.
Kësaj radhe, po zgjedhim Fjalimin e mbajtur në Parlamentin Shqiptar në vitin 1924.
Fjalimi i Fan S. Nolit në Parlamentin Shqiptar i vitit 1924, si shkrim më vete, mban titullin “Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”. Kur e paraqiti këtë fjalim, Noli gjendej në opozitë.
Ky fjalim-shkrim shihet se intonon tonin polemik, komentues, debatues dhe sidomos, tonin satirik. Fjalim-shkrimi fokusohet tek elementi anarki. Për ta karakterizuar gjendjen shoqërore të kohës, ai zgjedh konceptin e anarkisë: të gjendjes a situatës shoqërore pa pushtet, pa ligj, ku mbizotëron një kaos a rrëmujë, ekonomi e çorganizuar dhe e paplanifikuar. Mbase, forma e gjendjes së tillë, ia kalon edhe diktaturës. Elementet e zgjedhur të fjalimit shtjellues (anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve), ligjërohen e shkallëzohen me anë të mjeteve të përforcimit dhe përsëritjes së paragrafëve brenda periudhave të rendit sintaktik-hipotaktik. Aq aktual e aq depërtues me vizionin e tij ky Noli ynë i përjetshëm! Thuajse ka ardhur dhe është ulur këmbëkryq në kohën tonë dhe po na qorton. Klimaksi antitetik arrin te paragrafi i tretë, ku ligjëron për anarkinë morale: “Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen,qullosen e ndërrojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për gjithçka.”
Metamorfozimi ndodh në të gjitha nivelet (si te poezia e fortë fishtiane “Metamorphosis”), arrin kulmin:
Askush askënd nuk e njeh.
Karakteret e djeshme, që ishin të fortë, tashmë dobësohen!
Njerëzit ndërrojnë fytyrën, ndërrojnë bindjet, ndërrojnë …(besimet, partitë, atdheun).
Ambiciet: shfaqen në formën e lakmisë për pushtet, për pasurim, për sundim. Për të dalë mbi të tjerët, pa zgjedhur mjetet.
Ky mozaik karakteresh imorale, mund të karakterizohet me figurën e kaleidoskopit (ku lëvizin pasqyrat me figura të ndryshme… të së njëjtës figurë…).
Ambicia për lavdi personale, nuk njeh kufi.
3.
Ajo që e zemëron pafundësisht Nolin, janë dy anarkitë tjera në vazhdim: anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Tashmë patriotin e djeshëm e zëvendëson demagogu a Mashtruesi i Madh. Noli përdor figurën e mendimit, të përforcimit dhe figurat antitetike:
– Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor;
– Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenjë ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë;
– Është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.
Komunikimi retorik, në këso rastesh, shfaqet i intensifikuar, më i përforcuar, më i shkallëzuar, me ton gjithnjë e më intensiv, të dendur e të vrullshëm, dinamik.
Në fund na shfaqet anarkia e idealeve dhe zemërim zeusian i Nolit. Tashmë anarkia shfaq fytyrën e vet të shëmtuar:
– Idealet janë shtrembëruar, janë të errëta. Për ta karakterizuar me një figurë gjithë intelekt, ai përdor epitetin me ngjyrosje ironike-satirike, me atë të kufomave mumie egjiptiane, figurë e moslëvizjes, që u mungon gjallëria, u mungojnë idetë, dëshirat, idealet, mumia personifikon situatën e palëvizje.Të ngrirë, si te Migjeni “Ngajrje pa lëvizje”. Idealet-mumie janë si ato të Fanarit e të Buharit (dy civilizimeve që fare nuk lëvizin përpara e që personifikojnë orientin dhe Greqinë antishqiptare). Por, brenda së njëjtës frazë, duke përdorur stilin e thuktë, të dendur, dendurinë e thënies, Noli fut në përdorim tashmë figurën e antitezës: për t’ia kundërvënë kësaj situate pa ideale, ai thotë: “Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të ndëritshme të Perëndimit.” Perëndimorja shfaqet si shpëtim, ideal, kryeideal për përparim, liri e demokraci. Aty ai merr frymë, është vetvetja, me identitetin kulturor evropian! Aty gjallëron jeta shoqërore, shpirtërore dhe idetë politike të përbashkimit që nga Gëteja e këndej… Prandaj, mumiet e tilla ideologjike nuk e durojnë perëndimoren, përleshen për jetë a vdekje, ashtu si edhe u tregua profetik vetë Noli: do të vriten njëri pas tjetrit idealistët shqiptarë në krah të tij: Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi e sa e sa të tjerë. E, në këtë anarki dielash fytafyt, fitojnë mumiet! Fanari gjakpirës! Porse gjakpirësit janë nël krye të shtetit, janë ulur në Parlamentin shqiptar: antropofagët e kolltukofagët. Neologjizmi “kolltukofag”, përbëhet nga dy njësi leksikore-shënjuese, një fjale turke kolltuk (që shënon semantikisht “punën e rehatshme në zyre) dhe fagia (greqisht: ngrënës), këtu i krahasueshëm me antropofagun (njeriun kanibal): “krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushet që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitesh nga trupi, që kafshojnë dhe thëthijnë.”
4.
Do ta quanim zemërim fisnik. Dhe ta kesh këtë cilësi, jo vetëm që nuk është e lehtë, por është virtyt i rrallë.
Sikur Fan Noli i përmbahet asaj thënies së Aristotelit: “Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë, por të jesh i zemëruar me personin e duhur dhe në shkallën e duhur dhe në kohën e duhur dhe për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur – kjo nuk është brenda fuqisë së të gjithëve dhe nuk është e lehtë.” Dhe, vërtet, ai e kishte gjetur, mu në vorbullat e shoqërisë shqiptare, këtë masë të zemërimit urtak aristotelian.
Për ta ngjyrosur sa më fuqishëm zemërimin e tij, ai përzgjedh një parabolë nga antika:
“Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi më dhëmbë e s’e lëshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi ,do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitesh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin.”
Kaq të deformuar në ambiciet e tyre për pushet janë këta njerëz! Dhe ata janë personifikuar vetëm në titull, te figura e “Shakaxhiut”! “Shakaxhiu i përparimit.” Është fjala për Ahmet Zogun dhe kompaninë banditeske të tij në pushtet.
Kur po fliste Noli, në fillim të Fjalës së tij, parlamentarët e kabinetit qeveritar shpërthejnë në ilaritet, përqeshje. ““Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen” (shënohet reagimi i Nolit). Antiteza është e tejdukshme… antitezë idesh, bindjesh, situatash… Mandej ky, shkallë-shkallë, shpërthen në zemërim të matur… Dhe ky zemërim, me vrasjen e Avni Rrustemit, çoi në Revolucionin Demokratik të Qershorit.
Ndryshe nga oratorë të tjerë, që përmbahen nga përdorimi figurativ intelektual i shprehjeve dhe ligjërimit, Noli shkon për një nivel më tutje… ai dëshiron që Njeriun Shqiptar ta shohë me Dije, Përparim, Rregull, Ligj, Punë.
(Prend Buzhala, 9 maj 2017)
********************************************************
********************************************************
FJALIMI I FAN S. NOLIT MBI “PESË ANARKITË E SHQIPTARËVE” NË PARLAMENTIN SHQIPTAR V.1924.
(Si shkrim më vete, mban titullin “Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”)
Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
1-Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
2-Anarkia sociale: Këtu ska as klasë bejlerësh , as klasë bujqish, as klasë burzhuazie(borgjezi)
Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse antarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.
3-Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë,këtu karakteret dobësohen,qullosen e nderojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për gjithcka.
4-Anarkia patriotike : Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenjë ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Torskërinë. Këtu , si më thoshte një mik, është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tijë, sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.
5-Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të ndëritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushet që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitesh nga trupi, që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi më dhëmbë e s’e lëshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi ,do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitesh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin.
add a comment