Ekonomi

Ministrja Balluku: Garantojmë furnizimin me energji për konsumatorin dhe biznesin me kosto të njëjtë

TIRANË, 1 janar/ 2022 Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri sot të ditur se KESH do të garantojë furnizimin me energji për konsumatorët dhe biznesin që është i lidhur me rrjetin e tensionit të mesëm, ndërsa kosto do të mbetet e njëjtë për ta.

Gjatë një konference për shtyp mbi situatën në këtë sektor, ministrja Balluku deklaroi se sasia që KESH duhet të sigurojë është rreth 5.7 Terrawat.

“7440 abonentët e lidhur në tensionin e mesëm duhet të kishin kaluar që në vitin 2016 në tregun e lirë. Por, qeveria nuk ka lënë qytetarët në asnjë situatë vetëm. Nëse ne nuk do të merrnin në mbrojtje shoqatat e linjave të prodhimit kosto do të kalonte te qytetarët”, tha ministrja.

Kostoja, u shpreh Balluku, është e konsiderueshme.

“Ne shpresojmë që 6 muajt në vazhdim që është edhe koha që u kemi lënë në dispozicion abonentëve të tensionit të mesëm, të ketë reshje që KESH të prodhojë. Megjithatë KESH në këtë skemë të re do të përdorë instrumente të rinj si depozitimi apo shkëmbimi”, u shpreh ajo.

Ministrja Balluku theksoi se gjatë vitit 2022 investimet do të jenë fokusi kryesor.

“Do të shtohet një nënstacion i rëndësishëm. Nënstacioni i Kombinatit ka dhënë një impakt të rëndësishëm. Humbjet për abonentët në atë nënstacion janë vetëm 4%. Investimet do jenë prioritet i OSHEE”, tha Balluku.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se prej orës 07.00 po vijon furnizimi me energji elektrike për Kosovën dhe do të vijojë deri më datë 1 janar në orën 24:00

Lidhur me bursën e energjisë, ministrja tha se ajo ka nevojë për likuiditete.

“Ne në këtë kohë kemi marrë përsipër të ndihmojmë familjarët, dhe biznesin e vogël si dhe atë të lidhur në rrjetin e tensionit të mesëm”, deklaroi ministrja.

Ndërsa zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja tha se organizimi i Bursës do të sjellë një situatë krejt të re dhe bashkimi i tregjeve si një zonë e vetme me Kosovën do të bëjë që të ekuilibrohen disi luhatjet e mëdha të çmimit.

/j.p/