TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte në Lezhë, aty ku sot në këtë prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, u dorëzuan banesat e reja të rindërtuara për ata që humbën strehën në tërmetin e 26 nëntorit.
Kryeministri tha se “programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi, në kthesë transformimi të zonave të prekura më fort”.
“Këtu, jo vetëm janë bërë gati 97 apartamente, por janë bërë gati 97 banesa më të mira, më të bukura, më të forta. Kur erdha po shikoja pallatin përballë, po imagjinoja se si komshi do rrini duke u parë sikur ata të shkretët kanë faj që nuk u ra tërmeti atyre. Ky ka qenë qëllimi, të ringrihemi më të fortë. Ajo që nuk të vret të bën më të fortë”, tha Rama.
Rama tha se “me kujtimin me dhimbje për humbjen tragjike të jetëve, që nuk kemi asnjë mundësi t’i kthejmë, sot po i kthejmë pjesë-pjesë të gjitha familjet në shtëpi, pas një periudhe të vështirë”.
Kryeministri kujtoi se gjithsesi këto familje janë mbështetur me bonuset e qirave. “Sot janë rreth 100 familje që qëndrojnë në çadra edhe pse e marrin bonusin e qirasë, por është zgjedhja e tyre”, tha ai.
“Shoh këtu prindër, gjyshër, fëmijë që do t’i thonë gëzuar njeri-tjetrit në një shtëpi të re dhe mbase do të mendojnë se kushedi, kjo politika dhe politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Ne nuk jemi më të mirët e mundshëm, por më të mirë se ne harrojeni se do shihni”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në Durrës e në Tiranë, banorët do të kthehen në lagje të tëra të ndërtuara.
“Kjo kërkon akoma kohë. Absolutisht asnjë gjë nuk është harruar nga ato që kemi thënë. Ndonjëherë zotimet nuk arrihen dot të mbahen aq shpejt sa ti do kur i bën ato, por kurrë mos të mendojë askush se unë i them fjalët për të kaluar radhën, apo për të marrë votat e kthyer kurrizin. Nëse nuk bëhen dot në kohën e premtuar, kjo vjen për arsye objektive. Pas tërmetit patëm pandeminë, u shtynë afatet dhe u zgjat koha”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje edhe shembullin e Italisë, fuqia e 5 ekonomike e botës, ku sipas tij, “ka akoma familje në pritje të shtëpive, në kabina prej 12 vjetësh”.
“Për ne, për mua, ky ka qenë prioritet i prioriteteve. Nuk kalon asnjë ditë që të mos mendoj për ata që akoma presin të hyjnë në shtëpi. Sot janë 97 familje më pak në mendimet e mia nesër. Janë mbi 1 mijë familje që do të hyjnë deri për Vitin e Ri në banesat e reja”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se brenda vitit të ardhshëm do t’i kemi të gjitha familjet në shtëpi dhe gjurmët e tërmetit do jenë vetëm në kujtesë, pasi do kemi realitet të transformuar. /j.p/