Ekonomi

Balluku në HEC-in e Vaut të Dejës: Do kthehet në park të integruar të prodhimit të energjisë

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Në hidrocentralin e Vaut të Dejës ka përfunduar instalimi i një impianti fotovoltaik, një projekt i cili diversifikon burimet e prodhimit të energjisë në këtë HEC duke rritur kapacitetet prodhuese. Panelet janë vendosur në pjesën e digës së HEC-it, pa sjellë asnjë rrezik për dëmtimin e saj, por duke rritur eficiencën energjetike pasi krahas prodhimit hidro energjia do të prodhohet edhe përmes paneleve. Ky impiant do të prodhojë rreth 7 mijë MWh/vit, e barabartë me konsumin mesatar vjetor të energjisë elektrike të 1900 familjeve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ergys Verdho, u njoh nga afër me punimet e realizuara për këtë projekt.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt shumë të rëndësishëm sa i takon eficiencës energjetike ndërsa theksoi se Vau i Dejës do të kthehet në një park të integruar të prodhimit të energjisë së gjelbër.

“Këtu do jetë një park i integruar i prodhimit të energjisë elektrike. Me energjinë elektrike që prodhohet nga uji, një nga hidrocentralet më të hershme të ndërtuara, me energjinë e prodhuar nga panelet që është hapi i dytë, më pas me panelet lundruese të cilat do t’i vendosim në basenin e këtij hidrocentrali dhe më pas me ato eolike. Kështu që do kemi një kompozim të të gjithë burimeve të mundshme të gjelbra. Nuk janë thjesht prodhim energjie i shtuar që i shtohet sistemit tonë, por është prodhim energjie i gjelbër. Vau i Dejës do kthehet në një park të integruar energjetik të prodhimit të burimeve të gjelbra”, deklaroi Balluku.

Kriza energjetike me të cilën po përballet sot e gjithë bota dëshmon sesa i rëndësishëm është diversifikimi dhe rritja e kapaciteteve prodhuese duke shfrytëzuar edhe burime të tjera të rinovueshme. Në këtë pikë, ministrja Balluku theksoi edhe një herë se pavarësisht situatës nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël të cilët përbëjnë edhe numrin më të madh të abonentëve në sistemin elektroenergjetik.

“Për ne është shumë e rëndësishme që në këtë vit sfidues, jo vetëm të garantojmë çfarë u kemi premtuar qytetarëve, pra sasi energjetike me çmimin që tregu sot ka pa i krijuar atyre asnjë ekstra kosto, por nga ana tjetër KESH-it i duhet të rrisë kapacitetet e tij. Ndaj ju duhet të keni mundësinë që si ky projekt mjaft i suksesshëm, i cili rrit rreth 7 mijë megavat në vit kapacitetet e KESH-it të keni edhe mundësi të tjera, për të vazhduar me projekte të këtij kalibri”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se janë një sërë projektesh, disa duke u zbatuar e të tjerë janë gati për të nisur nga puna, të cilat do të shndërrojnë Shqipërinë brenda pak vitesh në një vend eksportues të energjisë.

Drejtori i KESH-it, Verdho, njoftoi se krahas këtij projekti, në këtë HEC parashikohet të zhvillohen edhe projekte të tjera si vendosja e paneleve të lundrueshëm në basenin e këtij hidrocentrali, por njëkohësisht edhe vendosja e paneleve eolike.

“KESH ndërmori një projekt për vendosjen e paneleve në zona, të cilat nuk janë të shfrytëzuara, siç është diga e Qyrsaqit në Vaun e Dejës. Prodhimi i energjisë nga panelet solare është pjesë e rëndësishme e procesit të diversifikimit të burimeve të energjisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë. Me përfundimin e këtij projekti, ne kemi në dorë një tjetër projekt të rëndësishëm, që është ai i digës së Zadejës dhe të impianteve fotovoltaike në tarracat e godinave të HEC-it”, u shpreh Verdho.

/a.a/r.e/