Ekonomi

Të hiqen pengesat dhe kufizimet burokratike ndërkufitare midis dy republikave të Shqipërisë

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, priti sot në një takim ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Faton Peci.

Ministrja Krifca bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për prioritetet e përbashkëta për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë në dy shtetet tona.

“Folëm për hapa konkretë se si të nxisim më shumë shkëmbim tregtar bujqësor, më shumë eksport, duke eliminuar çdo hallkë burokracie të panevojshme. U zotuam për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim për të siguruar më shumë ekonomi për komunitetet rurale dhe për të fuqizuar avantazhet konkurruese të shteteve tona”, tha ministrja Krifca.

Ministrja e njohu homologun e saj nga Kosova lidhur me Programin IPARD.

Ministri i Kosovës, Peci gjatë takimit foli për mundësinë e zbatimit të programit IPARD edhe në Kosovë.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë ministri Peci, i shoqëruar nga ministrja Krifca, vizitoi në Savër të Lushnjes, punën e tre agropërpunuesve përfitues: Ejupit, Netës dhe Lulos që bashkëpunojnë zinxhir me mijëra bujq.