Raportuesja Von Cramoni, e prerë: Kosova dhe Serbia pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të pranohen në BE
“Kosova dhe Serbia pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian”. Kështu deklaroi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Deklarata u bë gjatë takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim në Kuvendin e Kosovës. Von Cramon tha se nëse nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes, i tërë rajoni do të ketë ndikime të huaja për të prishur stabilitetin e BE-së.
“Pa një marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodh për dy vendet. BE-ja duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes. I gjithë rajoni do të vazhdojë të jetë një tokë për ndikimet huaja dhe për të prishur stabilitetin e BE-së, siç e kemi pa në Bosnje.”, tha ajo.
Ndërkaq, për çështjen e liberalizimit të vizave, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz, tha se Kosova e meriton dhe ka plotësuar gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
“E kuptoj shumë mirë se mund të ndiheni të lënë anash nga disa vende në BE, mirëpo në Parlamentin Evropian është një konsensus i gjerë se Kosova e meriton dhe ka nevojë për vëmendjen tonë të vazhdueshme. Kur kemi të bëjmë me liberalizimin e vizave ne jemi aleat të juaj të palëkundur, ne nuk kemi t’iu bindim për këtë, ju e dini këtë. Disa vende akoma po hezitojnë për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të jeni të bindur qartë për këtë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me mbajtjen e premtimeve të BE-së, premtime këto që janë dhënë para tri vitesh”, deklaroi ai.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomáš Szunyog, ka kërkuar të punohet për bindur Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave, megjithëse thotë se Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për largimin e regjimit të vizave.
“E dimë sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Zonja Von Der Leyen ka qenë e qartë në këtë pikë, Komisioni i qëndron prapa vendimit të korrikut të vitit 2018 që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Propozimi është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian në lexim të parë, por është në shqyrtim në Këshill. Unë llogaris në mbështetjen e anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe të deputetëve që janë këtu sot që të vazhdojnë të punojnë me Parlamentin Evropian për ta arritur këtë qëllim. Kuvendi ka rol të rëndësishëm që duhet ta luajë në zbatimin e reformave dhe priorietizimin e reformave në sundim të ligjit”, ka thënë Szunyog.