Zize Pepshi, “EDHE VDEKJA TURPËROHET NGA DASHURIA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2021. ISBN 978-9951-06-850-5. Redaktor: Nazmi Rrahmani; Ballina; Diellza Rrahmani; Recensent: Shefqet Dibrani. Libri ka 130 faqe.
Shënim i shkurtër ose portreti i autores
Zize Pepshi, lindi në Lybeniç të Pejës. Shkollimin fillor e mori në vendlindje, të mesmen e mbaroi në Deçan, ndërsa studioi në Fakultetin e Filologjisë, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.Në Zvicër ka emigruar në vitin 1985.
Veprimtaria arsimore
Zize Pepshi, njihet si mësuese, veprimtare dhe politikane. Fillimisht, qe përkushtuar në planin pedagogjik, ku për vite të tëra ka punuar me nxënësit shqiptarë me mësim plotësues, (1991 – 2000). Po ashtu, atë e gjejmë të angazhuar edhe në funksione udhëheqëse në LAPSH (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”), asociacion ky që merrej me mësimin plotësues në Zvicër, (1993 – 1995 ishte sekretare për Zvicër, dhe nga viti 1998 – 2000, sekretare për kantonin e Bernës).
Gjatë asaj kohe (1991 – 1999), ajo me nxënësit e saj ka organizuar manifestime të ndryshme, siç janë: “Dita e mësuesit”, “8 Marsi – Dita e Grave”, “2 Korriku”, “7 Shtatori – Dita e Kushtetutës së Kaçanikut”, “Ditët e Naimit”, “28 Nëntori – Dita e Flamurit”, pastaj ka marrë pjesë ose ka udhëhequr “Kuize të diturisë”, në Thun e Bernë, koncerte humanitare me nxënës, në Thun 1998, etj. Vlen të thuhet se, në tubimet, protestat dhe programet kulturore që i organizonte Zize Pepshi, kurdoherë ishin prezentë edhe fëmijë zviceranë dhe prindërit e tyre. Angazhimet e kësaj mësueseje, pedagogeje dhe veprimtareje, shpeshherë i kanë regjistruar mjetet e informacionit publik: “Blick am abend”, “BZ – Berner Zeitung”, “Der Bund”, “Zeitung – Berner Oberland”, “Thuner Tagblatt”, si dhe gazetat shqipe “Rilindja”, “Bota sot”, “Zëri” etj. Zize Pepshi, herë pas here ka publikuar edhe shkrime letrare, proza poetike dhe lirika, rezultat i të cilave janë dy librat e saj me lirika të cilat u botuan gjatë vitit 2021.
Veprimtaria politike
Karshi angazhimeve familjare dhe atyre edukativoarsimore, në fushën politike, Zize Pepshin, e gjejmë në LDK, që nga viti 1990. Ndërsa gjatë viteve 1994 – 2006, ishte nënkryetare e LDK-së në Thun, pastaj 1996 -2006 anëtare e Kryesisë së Degës së LDK-së dhe nënkryetare e saj. Gjatë kësaj periudhe, falë angazhimit të saj është themeluar edhe Forumi i Gruas i Degës së LDK-së në Zvicër. Që atëherë, ka qenë aktive në të gjitha veprimtaritë që i ka zhvilluar Dega e LDK-së në Zvicër, duke i dhënë imazh të mirë emancipimit dhe prezencës së femrës shqiptare, sidomos në strukturat organizative në LDK.
Me daljen e fraksionit të parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe me krijimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Dardanisë në Zvicër, (2006 – 2009), Zize Pepshi është zgjedhur sekretare e Degës së LDD-së në Zvicër dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të LDD-së në Prishtinë, duke u kandiduar (dy herë, 2007 dhe 2011), edhe për deputete në Parlamentin e Kosovës. Kurse nga viti 2009, Zize Pepshi është zgjedhur kryetare e Degës së LDD-së në Zvicër, e në vitin 2010, në Konventën e LDD-së është rizgjedhur përsëri anëtare e Këshillit Kombëtar të LDD-së dhe e Kryesisë Qendrore të LDD-së në Prishtinë, si dhe sekretare për marrëdhënie me Degët e LDD-së në Evropë, detyra të cilat i kryen me përkushtim.
Krijimtaria letrare
Përveç publikimeve të herëpashershme, në pranverën e vitit 2021, Zize Pepshi, botoi librin me poezi “MË JANË PËRZIER ATDHETË“. Përmbledhja në fjalë kompletonte mozaikun e angazhimeve të saj edhe në fushën e krijimtarisë poetike, e cila bashkë me angazhimet tjera në sferën arsimore, kulturore dhe në fushën e angazhimeve politike e kompletojnë personalitetin intelektual të saj. Në anën tjetër, botimi i poezive i japin madhështi dhe reputacion rolit të gruas shqiptare në të gjitha proceset shoqërore, politike dhe arsimore që ka kaluar kombi dhe vendi ynë. Poezitë e këtyre librave, janë me motive të ndryshme, pa dyshim, janë ndjenja artistike të një nëne e cila, (pasi bashkëshorti, Muhamet Pepshi, i kishte vdekur), me përkushtim fisnik e amënor i rriti, i shkolloi, e vetme dy fëmijët e saj, dhe atë, në dheun e huaj. Mendojmë se do të mjaftonte ky fakt, për të kuptuar sakrificën e saj dhe për t’i përjetuar si duhet disa nga dhembjet që shfaqen si motiv i poezisë, të cilat herë-herë kanë element idilik, e herë të tjera janë përplot pezëm e mllef të shprehura nëpër vargje të shumta, por si asnjë motiv tjetër, shkëlqen vargu lirik, deri në lirika erotike, që përshkohen me kulturë dhe shprehje elokuente të cilat e kanë bërë vargun e poezisë lirike më mallëngjyes, më të ndjeshëm e më përjetues, së këndejmi edhe artistik. Tashmë, këto motive lirike, autorja po ia prezanton lexuesit të saj si një uverturë, poezi këto të realizuara me sukses. Pa dyshim, këto motive janë vargje më të përpunuara dhe artistikisht edhe më të fuqishme, prandaj vëllimi “EDHE VDEKJA, TURPËROHET NGA DASHURIA”, e ngrit cilësisht dhe artistikisht poezinë e saj.
Vlen të theksohet se qysh nga Pranvera kosovare e vitit 1981, Zize Pepshi, ishte femër aktive në jetën publike, ndërsa nga viti 1985, është figura më aktive e femrës shqiptare në Zvicër dhe tej saj. Pa dilemë, me botimin e këtyre dy përmbledhjeve poetike, autorja e kompleton mozaikun e veprimtarisë së saj, kurse në fushën e krijimtarisë letrare e artistike do të identifikohet si poete mirë e kompletuar!
*Ky shkrim është botuar si pasthënie e librit, faqe 123-126.