Shqipëria/Aktualitet

Rama e nderon me Yllin e Mirënjohjes Merkelin. Ishte gjë e mirë për mua të punoja së bashku me Ju, tha Angela Merkeli

TIRANË, 14 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkelit, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

“Faleminderit Angela. Kënaqësi e veçantë t’ju nderoj, në emër të Shqipërisë, me Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike. Ky është Ylli i Mirënjohjes. Ky këtu është simboli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, i cili mbrojti Shqipërinë nga pushtimi e u mbiquajt edhe ” Atleti i Krishtit”, si mbrojtës i krishtërimit”, tha Rama.

Duke i dorëzuar “Yllin e Mirënjohjes” Kancelares Merkeli, Kryeministri tha se “ju detyrohemi për këtë”.

“Nuk do mbaj fjalim këtu se e di që ju nuk para i duroni ceremonitë, ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, shtoi Rama.

Nga ana e saj, Merkel falënderoi Kryeministrin Rama, ndërsa u shpreh se “jam e vetëdijshme se është një nder i madh dhe ishte gjë e mirë për mua të punoja së bashku me ju”. /m.m//a.a/