EKSKLUZIVE: Zbulohen për herë të parë dokumentat, Sali Berisha ka falsifikuar regjistrin e Gjendjes Civile dhe Formularin e Dekriminalizimit (FAKSIMILE)
Është thënë disa herë që Sali Berisha ka falsifikuar dy nga gjeneralitetet e tij, por mungesa e provave si dhe djegia e çuditshme e dokumentave të familjes së tij në vitin 1997 në Tropojë e bënte të pamundur vërtetimin e kësaj akuze, ashtu siç ka ndodhur rëndom në rastet e akuzave më të rënda ndaj tij.
DITA publikon sot për herë të parë dokumentat që provojnë falsifikimin flagrant të regjistrit të Gjendjes Civile të shtetasve dhe për më tepër, falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit, gjë që sipas ligjit, çon në heqjen e mandatit të deputetit dhe në dënimin e ish-kryeministrit.
Në dokumentat origjinale fillestare të Sali Berishës, duket qartë datëlindja e tij është 1 korrik 1944. Këtë ditëlindje ai ka patur edhe në fletën e regjistrit ku rezulton me prindërit dhe gruan, por edhe kur është ndarë nga trungu:
Është e qartë që datëlindja e ish-kryeministrit është 1 korrik 1944. Dihet pse ai e festonte para ’90-s datëlindjen në 16 tetor, kur gjithë Shqipëria festonte ditëlindjen e Enver Hoxhës.
Komunisti fanatik i atyre viteve ftonte miq e kushërinj në të njëjtën datë. Por pasi i vuri gjoksin “revolucionit” të madh të dhjetorit ’90, demokratit të ri, nuk i rrinte mirë kjo historia e datëlindjes. Mirëpo kishte shumë dëshmitarë të festave, ndaj ai nisi të thoshte gënjeshtrën e dytë, që kishte lindur në 15 tetor, megjthëse kishte festuar në 16.
Në të vërtetë nuk është as 15, as 16 tetor. Datëlindja e doktor Saliut është 1 korrik dhe është falsifikuar në mënyrën më të trashë në regjistrin e Gjendjes Civile me shkrim dore të mbivendosur, pa asnjë vendim gjykate.
DITA posedon edhe emrat e personave që kanë ndërhyrë në regjistër si dhe urdhëruesin e falsifikimit. Por në këtë pikë, i rëndësishëm nuk është as identiteti i tyre, as Enveri, të cilit i jargaviteshin shumë si Saliu.
Sot merr rëndësi fakti që ky falsifikim ka pasoja ligjore sipas Ligjit për Dekriminalizimin. Në formularin që mbushet bazuar te ky ligj, ka një pikë specifike mbi ndryshimin e gjeneraliteteve. Ato duhen deklaruar. Berisha rezulton që ka gënjyer edhe aty:
Disa vite më parë kur këto dokumente nuk njiheshin, Berisha u pyet nëse e ka ndërruar ditëlindjen dhe pse nuk e ka deklaruar këtë në Formularin e Dekriminalizimit (kliko). Berisha dha nga ato përgjigjet e tij prej shejtan budallai duke folur për Edin që e kishte emrin Edvin dhe shtoi se formulari nuk kishte kërkesa të tilla. Sigurisht që gënjeu prapë. Formulari, e kërkon qartazi deklarimin e ndryshimeve të këtij lloji.