Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CXLIII) – ULËZA – qyteza që lindi nga hidrocentrali

Një qytezë fare e vogël po fort e bukur, e rregulluar dhe e pastër në rrethin dhe në bashkinë e Matit është Ulëza. Ulëza është ndërtuar në vitet 60-ta të shekullit të kaluar, pas fillimit të ndërtimit të hidrocentralit të Ulzës mbi lumin Mat dhe kur ishte krijuar liqeni artificial i Ulzës. Që atëherë Ulëza njihet për hidrocentralin e saj, por edhe si qendër turistike.
Terreni, ku ndodhet qyteza e re e Ulëzës, është një kodër e bukur mbi liqen në afërsi të digës së HEC-it. Ulëza, me rreth 1200 banorë, ndodhet në rrugën Milot – Burrel – Peshkopi, rreth 25 km nga Burreli, qendër e bashkisë dhe e rrethit dhe mbi 100 km nga qendra e Qarkut të Dibrës, Peshkopia. Ulëza është larg Milotit 23 km dhe Tiranës, 70 km. Banorët e parë të Ulzës ishin punëtorët e kuadrot t HEC-it, të ardhur nga shumë rrethe të vendit. Menjëherë, pas ndërtimit, qyteza kishte rreth 2000 banorë, kur kishte edhe kinema e qendër kulturore.
Në Ulëz gjejmë ndërtesat e vjetra e të sistemuara mirë në tërë hapësirën, gjejmë rrugë të pastra si askund tjetër. Gjejmë edhe edhe kulla të vjetra tradicionale shekullore. Qyteza ka përfituar me investime nga projekti kombëtar i Rilindjes urbane, duke e transformuar tërësisht qendrën, rrugët e sheshet, duke i meremetuar e fasaduar objektet, për çka vendbanimi është kthyer në destinim turistik, veçanërisht për turizmin e fundjavës.
Pos njësi administrative e pesë fshatrave përreth, Ulëza është edhe qendër e Parkut Rajonal të Ulzës, i shpallur në vitin 2013, një park mjedisor me bukuri të rralla, mjaft shumë i vizitueshëm nga turistë të vendit dhe të huaj. Gjithashtu, në Ulëz ndodhet administrata e KESH-it për rrethin e Matit.
Parku Rajonal nga Shkopeti deri në Ulëz, me sipërfaqe prej 4200 hektarësh përfshinë, pos qytezës e fshatrave, edhe Liqenin e Ulzës dhe Liqenin e Shkopetit, ku gjenden dy diga hidrocentralesh, pastaj gryka mahnitëse e lumit Mat, sipërfaqet e mbuluara me pyje të larta etj.
Popullsia e Ulzës dhe e fshatrave përreth merret me bujqësi e blegtori, me peshkim, me punime të artizanatit dhe, kohëve të fundit edhe me hotelieri e turizëm e me mbledhje të bimëve mjekësore etj. Dhjetra subjekte afariste, kryesisht të karakterit shërbyes, si bare, kafene, restorante, shitore, servise zhvillojnë veprimtari në këtë zonë. Një pjesë e madhe e popullsisë është shpërngulur në Tiranë, Durrës e vende tjera dhe, si në tërë Shqipërinë, numri i personave që kanë emigruar jashtë vendit, kryesisht në Greqi, Itali e Angli, është i madh. Për dallim nga vendet tjera, papunësia në Ulëz e rrethinë është në nivelin më të ulët, vetëm rreth 9 për qind.
Janë dy hidrocentrale të ndërtuara në kaskadën e lumit Mat; HEC-i i Ulzës dhe HEC-i i Shkopetit. Ndërtimi i HEC-it të Ulzës ka filluar me hapjen e themeleve të digës në vitin 1952 dhe ka përfunduar në vitin 1957. HEC-i i Ulzës, me kapacitet prej 25.6 MW në katër turbina të instaluara, me digë të gjatë 264 m., lartësi 64 m. dhe gjerësi 57 m., fillimisht ishte i njohur me emrin “Karl Marks”. Derisa liqeni i Ulzës, i krijuar pas ndërtimit të digës, ka gjatësi 14.5 km dhe gjerësi 1.6 km.
Ndërtimi i HEC-it të Shkopetit në afërsi të Ulzës, me dy turbina e me kapacitet 24 MW, ka filluar në vitin 1959 dhe ka përfunduar në vitin 1963. Ky HEC është ndërtuar në kanionin shkëmbor me faqe vertikale të lumit Mat, 10 km poshtë HEC-it të Ulzës. Liqeni i Shkopetit ose i Vablinit, i shtrirë në luginën e ngushtë mahnitëse mes maleve të larta, është nga liqenet më panoramike, shumë i pasur me rezerva të peshkut. Liqeni ka gjatësi prej 11 km, gjerësi 240 m. dhe thellësi 75 m. Edhe një hidrocentral tjetër, i treti me radhë në Mat, planifikohet të ndërtohet përmes tubave në rrjedhën e lumit Lunre në fshatin Madhesh, afër Ulzës, por që ka kundërshtime të banorëve vendorë.
Të theksojmë se Qeveria shqiptare, në janar të vitit 2013 ia shiti kompanisë turke “Kurum” (pronare edhe e Metalurgjikut të Elbasanit), 100 për qind të aksioneve të katër HEC-eve; të Ulzës, të Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 (Sarandë), në shumën e përgjithshme prej 110 milionë euro. Ndaj këtij privatizimi dhjetra herë kanë protestuar banorët e zonës së Ulzës e Shkopetit. Protesta janë zhvilluar edhe kur kompania Kurum i ka larguar nga puna shumicën e punëtorëve të HEC-eve të Ulzës dhe Shkopetit.
Zonën e Ulzës, e njohur ndryshe edhe si zona e Rranzës, e mbulojnë malet, kodrinat, fushat dhe dy liqenet. Aty gjejmë, jo vetëm pyjet e larta, por edhe kullotat, livadhet, arat, pemishtet, vreshtat. Zona është e përshtatshme, pos për bujqësi e blegtori, edhe për turizëm e sporte, si ngjitje maleve, ecje në natyrë, not e peshkim, lundrim me barkë nëpër liqen, kanotazh, rafting etj. Ulza ofron edhe një kuzhinë të pasur tradicionale. Janë edhe punimet e dorës, një traditë e vjetër e kësaj zone.
Në këtë vend të mrekullueshëm janë gërshetuar më së miri mali me liqenin, lumi me fushën, rrugët gjarpëruese me gjelbërimin e dendur. Me peisazhet panoramike dhe me restorantet me gatime të traditës, Ulëza mundëson turizëm të suksesshëm familjar, malor, kulturor, aventuresk e mjedisor. Me pak përpjekje, mund të vizitohet e të njihet nga afër ky vend i mrekullueshëm, që ndodhet në një natyrë mbresëlënëse në breg të Matit.

Postimet e fundit !