Shqipëria/Aktualitet

67 vjet nga krijimi i Regjimentit të Parë të Aviacionit Ushtarak në Kuçovë, së shpejti bazë për NATO-n

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Sot mbushen 67 vjet nga krijimi i Regjimentit të parë të Aviacionit Ushtarak Shqiptar që në vitin 1995 do të emërtohej Baza Ajrore e Kuçovës, ndërsa së shpejti përmes investimeve që kanë nisur të kryhen ajo do të jetë një nga bazat e Aleancës së NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kujton këtë 67-vjetor, duke shprehur njëherësh mirënjohjen dhe vlerësimet për punën e palodhur të pilotëve në ndihmë të komunitetit, përmes dëshmisë së pilotit më të vjetër në moshë të Bazës Ajrore, Faslli Spahiu.

Në videon e publikuar nga ministri Peleshi, piloti rrëfen momentet e vështira, kur helikopteri ka qëndruar për rreth 26 minuta me një patinë, teksa po shpëtonin një alpiniste në malin e Tomorit.

Edhe pse ka vite në këtë profesion Faslli Spahiu vazhdon ta dashurojë atë njësoj si në ditën e parë, duke e cilësuar çdo ditë si “një ëndërr”. /j.p/