Pranvera Shqiptare ’81 nuk njeh kufijtë që kanë copëtuar e ricopëtuar tokën e Atdheut tonë, Shqipërisë… Akademi solemne për 40 – vjetorin e Pranverës Shqiptare ’81 u mbajt edhe në Kumanovën e qëndresës, heroizmit dhe sakrificës shqiptare për liri e bashkim të Atdheut. Në kuadër të kësaj Akademie u shënua edhe 20 – vjetori i famëmadhes Ushtri Çlirimtare Kombëtare. Për kujtimin dhe nderimin e këtyre ngjarjeve të mëdha kishin ardhur atdhetarë, veprimtarë, luftëtarë lirie e qytetarë nga e gjithë hapësira shqiptare. Aty ishte edhe Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, dhe Kryetari i komunës së Likovës, deputeti Gani Krasniqi, Hysni Shaqiri, Berat Luzha, BejtullaTahiri e shumë të tjerë. Akademia nisi me Himnin Kombëtar dhe vazhdoi me një minutë heshtje për t’i nderuar të rënët në përpjekje dhe në luftë për liri e bashkim të kombit…Akademia u moderua nga Mirvan Xhemaili. Një fjalë të shkurtër për Pranverën Shqiptare ’81 dhe për 20 – vjetorin e UÇK – së e mbajti Kryetari i Degës së Shoqërisë LËVIZJA në Maqedoninë shqiptare, Ulusi Beqiri, kurse Teuta Bekteshi foli më gjatë për demonstratat e vitit 1981. Me nga një FJALË u paraqitën në foltore edhe Sadulla Duraki e Kryetari i veteranëve të UÇK – se dhe deputet i Kuvendit të Republikës, Berat Ajdari. Para pjesëmarrësve të kësaj Akademie folën edhe Avni Dehari (deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës e Xhevat Gjini (Kryetar i Shoqërisë LËVIZJA dhe sekretar i Këshillit Organizues “Pranvera Shqiptare ’81). I fundit foli Kryetari i Këshillit Organizues (edhe Kryetar i Shoqatës së Burgosurve dhe deputet), Hydajet Hyseni. U shfaq edhe një dokumentar për Pranverën Shqiptare ’81 dhe për UÇK-në. Në fund pati edhe dy – tri valle shqiptare të luajtura bukur nga të rejat e të rinjtë e Kumanovës. Akademia u mbajt në ish kazermën e ushtrisë pushtuese jugoserbe (sot fakulteti i Universitetit të Tetovës). I përgëzojmë shokët tanë që e kishin përgatitur me pasion e përkushtim Akademinë solemne për 40 – vjetorin e Pranverës Shqiptare ’81.
add a comment