Shtegtime nëpër Atdhe (CCC)
LIVADHIA – FSHATI KU LUFTOI SKËNDERBEU, TË CILIN PO E HA KURBETI
Livadhia (Livada) është një fshat i rrafshët në fushën e Strugës, komuna e Strugës. Ndodhet rreth 9 km në verilindje të qendrës komunale.
Fshati Livadhi paraqitet si një vendbanim i lashtë. Në periferi të tij është zbuluar një nekropol antik, ndërsa nëpër Livadhi ka kaluar një degëzim i rrugës së njohur antike “Egnatia”, e quajtur “Via Kandavia”. Në vitin 1462, në territorin, që tash mbulon ky fshat, është zhvilluar beteja e Livadhisë (Livadës) mes ushtrisë arbërore, në krye me Gjergj Kastriotin dhe ushtrisë osmane, e kurorëzuar me fitoren e madhe të ushtrisë arbërore.
Livadhia ka rreth 320 familje me rreth 1600 banorë, mirëpo sot në fshat jetojnë 700 deri 800 banorë. Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Livadhisë, madje llogaritet se gjysma e popullsisë së fshatit, jetojnë në botën e jashtme. Braktisja e fshatit, si një plagë e hapur dhe e pashërueshme, ka marrë përmasa shqetësuese edhe në Livadhi. Madje, edhe ata të rinj që kanë mbetur, shumë prej tyre planifikojnë të largohen nga fshati. Në fshat kanë mbetur të jetojnë kryesisht të moshuarit. Shtëpitë e mira e të mëdha, të ndërtuara gjithandej nëpër fshat, kanë mbetur me dry në dyer. Mbi 450 persona nga Livadhia janë vetëm në Amerikë, por ka shumë që jetojnë edhe në Zvicër dhe në shtetet tjera të Evropës Perëndimore. Fshati gjallërohet vetëm në muajt korrik – gusht, kur mërgimtarët kthehen për pushime dy – tri javëshe në vendlindje. Mirëpo, edhe kthimi i mërgimtarëve për pushime në vendlindje viteve të fundit sikur ka filluar të bie.
Për shkak të migrimit të madh të popullsisë, numri i nxënësve të Livadhisë ka rënie nga viti në vit. Derisa para 20 vjetëve shkolla e fshatit kishte rreth 500 nxënës, tash nuk i ka as 100. Numri i nxënësve në një klasë dikur ishte mbi 30, sot paralelet kanë nga katër, pesë apo gjashtë nxënës. Ka raste kur në klasën e parë të shkollës së fshatit janë regjistruar vetëm dy, tre apo katër nxënës. Nxënësit edhe në klasat tjera e braktisin shkollën dhe shkojnë me familje në botën e jashtme.
Në Livadhi, para shkollës së fshatit, është ngritur lapidari që i kushtohet betejës së vitit 1462, aty ku ushtria e Skënderbeut e ka shpartalluar ushtrinë osmane, që ishte strehuar në fushën ku sot gjendet Livadhia.
E veçanta e Livadhisë është muzeu, çfarë nuk e kanë as qytetet e mëdha. Më 2 prill 2002 në Livadhi është hapur muzeu etnografik, i njohur me emrin “Etnokultura Via Kandavia”. Muzeu u Livadhisë ka rreth 3000 objekte të mbledhura nga banorët e fshatit dhe të fshatrave përreth, që paraqesin më së miri trashëgiminë kulturore e historike të fshatit dhe rrethinës që nga hershmëria e deri sot. Në përbërje të muzeut janë tetë sektorë: i arkeologjisë, i filaterisë, i nomizmatikës, i orendive shtëpiake, i armëve, i veshjeve popullore, i instrumenteve muzikore dhe i veglave të punës.
Si një fshat i madh dhe përparimtar, në Livadhi vepron shoqëria kulturore – artistike “Drita”, si dhe klubi i futbollit “Dinamo”.
Livadhia është ndër fshatrat më të mëdha shqiptare të komunës së Strugës, një fshat bujqësor me tokë të begatshme e njerëz të urtë, trima e punëtorë, një fshat si një çerdhe e arsimit e kulturës në këtë anë.
add a comment