Andon Lula:
Leta e Radios…dhe poezia lirike
“Leta e Radios”, kështu i flisnim Violeta Muços, folëses së Radio-Gjirokastrës në vitet 70-të, sot e njohur për poezitë e saj romantike e lirike, në vëllimin e parë të saj të titulluar “Shtigjeve të zemrës”, redaktuar nën kujdesin e poetit të njohur gjirokastrit, Ylli Musta. Kur mora në dorë librin e saj, m`u kujtua Leta e atyre viteve, vajza e bukur me zë të mrekullueshëm radiofonik, e cila, në radio bënte dy punë: redaktore e muzikës dhe hartuese e radiopostës, një emision ky shumë i kërkuar nga dëgjuesit, me këngë popullore dhe muzikë të lehtë. Por, në kolektivin tonë, flitej edhe se Leta shkruante dhe vjersha, por që ne si kolegë të saj, nuk i lexuam kurrë… Përse i mbante për vete dhe
të fshehura, këtë edhe sot e kam të vështirë të jap një mendim; por ndoshta për motiv dhe liri të munguar… Me vëllimin e saj të parë, ajo ndan me lexuesin ide, ndjenja e emocione të bukura, poezi të pasura me nuanca dhe shprehje individuale, vështrim të kthjellët për jetën dhe shoqërinë. Herë-herë bien në sy shprehje popullore, folklorike, fjalë gjirokastriçe… që krijojnë një stil e bukuri të veçantë poetike! Leta është origjinale në mënyrën sesi në to shpreh veten, gëzimin, dhimbjen dhe trishtimin. Nga poezitë më të bukura, e të spikatura, mendoj se janë ato “me dashuri”… Të tjerat, për natyrën dhe Gjirokastrën,vendlindjen e saj të dashur, në të cilat shpreh lidhje intime, zbulon anë të veçanta të qytetit gri, mall, traditë, pasion e dëshira, qetësi dhe reflektim me veten dhe botën rreth tyre. Ja, për shembull, vargjet e një poezie me lidhje të forta emocioni: “Dikur edhe unë kam qenë më parë/Brenda atyre mureve, odave të rënda,/Kam njohur njerëz të zotë në fjalë/ Të çlirët, sikur kishin lerë nga kënga…/ O moj Gjirokastër, ç’të ndrin ai nur!/ Si ëngjëll më je lartësuar…/ Dhe pse në kohë të acartë/ S’më mbyllet syri, por rri zgjuar/ Nga dashuria e pamatë!”
Ndërkohë do veçoja dhe dy poezi për dashurinë:
“Mëngjesi më gjeti aty ku ne mbetëm/
Një trëndafil aty e këputa,/
Prandaj po e marr, ta mbaj mu në zemër/
Në faqet e një libri do ta vë…/
Sa herë ta shfletoj, do pëshpëris një emër/
Që tok me petalet ka mbetur në të…”
Dhe tjetra:
“Do këndoj për dashurinë/ Sa ta zbraz shpirtin me derte,/
Vitet ikin më nuk vijnë…/
Zemra këngën merr me vete…”
Nga vëllimi veçojmë edhe poezinë “O kohë e shkuar”, në të cilën poetja shpreh ndjenjat e melankolisë dhe kujtesës në lidhje me kohën e shkuar. Përshkrimi i natyrës, bora dhe dielli, bashkëshoqërojnë ndjesitë, mbresat e pashlyera shpirtërore, poetike për bukurinë, rrëketë dhe rete, sfidat dhe pengesat;
ndërsa strofa e fundit:
“Sa ëndrra u tretën/
Bashkë me rininë,/
Po kujtimet mbetën/
Përjetë shkreptimë…” shpreh ndarjen midis ëndrrave dhe realitetit, duke treguar se edhe pse ëndrrat mund të jenë zhdukur me kalimin e kohës, kujtimet e mbresat mbeten të forta dhe të pakthyeshme, si një shkreptimë e përjetshme…
Kjo poezi, si dhe shumë të tjera të këtij vëllmi lirik, me atmosferë emocionale, shprehin reflektim mbi jetën dhe Shtigjeve të zemrës 5 kohën, duke sjellë një ndjesi të ndarjes nga e kaluara dhe vlerësimin e rëndësisë së kujtimit. Kjo është në përgjithësi tematika e poezive të Letës, që ju do të mund të njiheni në faqet e këtij vëllimi të parë, ku autorja gjirokastrite, sikundër treguam në fillim të këtij shkrimi, disa i mbajti “të fshehura”, të “pazbuluara” për vite të tëra, që të na i shfaqë sot…
Dhe ja, sot kemi “arkivin” e saj poetik të hapur, në dorën tonë! E natyrisht ne provojmë atë ndjesinë e bukur, që provon çdo njeri kur hap një shishe vere të vjetër, shumëvjeçare…
Të mbledhura në kohë, të gjitha poezitë bashkë, janë qershia mbi tortë, mbi gurin e argjendtë të qytetit të saj të dashur, Gjirokastrës. Duke i uruar poetes suksese në poezinë e saj, i them çdo lexuesi: Udhëtim të mbarë nëpër shtigjet e zemrës së poetes sonë!