Portreti/intervista

FETI TUNUZLIU: REZAK SHALA – ZËRI I GUXIMSHËM I NDËRGJEGJËSIMIT POLITIK E KOMBËTAR PËR KOSOVËN REPUBLIKË (1927-1998)

Rezak Shala është njëri ndër personalitetet më të ndritura të plejadës së intelektualëve të Kosovës në përpjekjet e shqiptarëve për të kundërshtuar autonominë e Kosovës, duke kërkuar avancimin e statusit juridik, politik e kushtetues të saj në stad republike përbrenda ish-federatës jugosllave viteve 1967-69. Ndërkaq, regjimi komunist e shkarkoi prej të gjitha funksioneve publike shtetërore e politike dhe e pensionoi parakohe, pa mbushur  42 vjet (1969) me arsyetimin tragjikomik – se gjatë demonstratave armiqësore të nëntorit 1968 kundër rregullimit  shtetëror e politik të ish-Jugosllavisë, demonstruesit paskan “brohoritur që duan Rezak Shalën”. Më pas, me që i pamundësuan të punojë e veprojë tjetër kund, u detyrua të mërgojë.

Institucioneve tona iu ka dalë nga mendja njëri ndër personalitetet kombëtare për të cilin, qe 23 vjet dominon errësirë e plotë në kujtesën e tyre  dhe zyrtarëve publik për ç’gjë nuk i dijmë arsyet konkrete. Thënë pa eufemizëm: institucionet e Kosovës, vijojnë të mos e përkujtojnë njërin ndër figurat më prestigjioze kosovare, i cili personifikon mendimtarin vizionar e luftëtarin energjik me qëndrim altruist, me shpirt sakrifikues, me devotshmëri të lartë dhe mençuri politike e intelektuale për Kosovën Republikë. Kundruall kësaj kulture (!) institucionale tradicionalisht të shëmtuar, në kujtesën popullore personaliteti i Rezak Shalës mban vend të merituar nderi ndër korifejtë politik, juridik, intelektual dhe kombëtar të viteve të zymta të fundit të dekadës së gjashtë të shekullit të kaluar (XX) sepse ishte ndër më të zëshmit e më të vendosurit që Kosova të kushtetuuohet Republikë e barabart me njësitë tjera federale në kuadër të ish-Jugosllavisë me çka qe fisnikëruar aq shumë ky njeri i dashur, i thjeshtë e dinjitoz, siç përceptohej nga ata që e njihnin. Pra, ndonëse i anatemuar nga pushteti komunist, si asnjë tjetër zyrtar, megjithkëtë, kjo figure e historisë së re politike të Kosovës nuk qe i shkëputur asnjëherë nga kujtesa e idhëtarëve të tij shokëve, miqëve, kolegëve e dashamirëve të cilët e vizitonin herë pas here gjatë periudhës gati 30 vjeçare sa rroi pas shkarkimit nga pozita e kryeprokurorit.

Iu pamundësua ripunësimi, karriera profesionale dhe avancimi akademik. Ndonëse vuri veten në shërbim të interesit shtetformues, në disa qarqe kishte zëra rreth  montimit të procesit politik gjyqësor kundër tij sepse si zyrtar numër një në kierarkinë e sistemit prokurorial kosovar po i inkurajonte  dhe mbështeste qytetarët që botërisht t’i artikulojnë kërkesat për Kosovën republikë me çka manifestojnë sulmin e tyre kundër rendit kushtetues të ish-Jugosllavisë. Me idetë dhe idealet e tij, ai sakrifikoi vetëm e vetëm të mbroj filozofinë e tij politike, pikëpamjet se populli dhe vendi i tij meritojnë ta kenë republikën e tyre në kuadër të federatës jugosllave pa e shtyrë për kohëra të tjera dhe së këto nuk duhej ndrydheshin assesi.

Familja e Rezak Shalës paraprakisht mbante mbiemrin Qallpani që nuk dihej nëse kishte ndonjë lidhje me familjet Qallpani në Gjakovë apo në Bursa (Turqi). Më pas, gjyshi i tij Aliu, merr mbiemrin Shala gjë që, sipas nipit të tyre Avni Zajmit, kjo familje prejardhjen e ka nga fisi Shala. Ndryshe, Rezak Shala u lind në Vushtrri më 9 gusht 1927, vitin që rastis me vdekjen e Idriz Seferit (1847-1927) dhe Shote Galicës (alias: Qerime Radisheva, 1895-1927). Rezak Shala, i përkiste një familjeje përparimtare, arsimdashëse, intelektuale e patriotike. Rezaku  ishte i dyti fëmijë i Teufik  Shalës dhe  gruas së tij Elmaze Shala (ish-Drejta).

I ati,Teufik (Ali) Shala (1900-1972), që në opinionin prishtinas dhe ma gjerë njihej me nofkën popullore “Babushi”, kishte të kryer medresën, por që kishte shërbyer edhe si mësues. Në 100 vjetorin e Shkollës së parë shqipe në Vushtrri, më 2015 u nderua nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit të Komunës së Vushtrrisë me Mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin edukativo-arsimor.

Vëllau i Rezak Shalës – Abdurrahman Shala (1925-1994), aktor dhe regjisor  teatri, këngëtar, aktor filmi (23 filma), producent (3 filma), skenarist (1 film), drejtor i parë i Shtëpisë filmike “Kosovafilm” dhe Udhëheqës i Unionit të Artistëve  të Filmit të Kosovës në Prishtinë.  Është dekoruar  post mortum nga  Presidenca e Republikës së Kosovës me “Medalen Presidenciale të Meritave” (2014) dhe nga Ministria e Kulturës e Kosovës, me Çmimin Kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” (2022).

Rezak Shala ishte vëlla i Vehab Shalës, inxhinier ndërtimtarie, drejtor i Ndërmarrjes së ujësjellësit në Prishtinë dhe i katër motrave: Mehlikës (1930-1947); Mehribanit (1931-1956), e para aktore e  teatrit profesionist (sot, Teatri Kombëtar) në Prishtinë; Sheribanit (1935) me shkollë normale, mësuese dhe Imihanit (1939), prof. e gjuhës angleze.

Gjyshi i Rezak Shalës, Ali Shala kishte qenë bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës.

Rezak Shala ishte nipi (djal i motrës) i Selim ef. Drejtës nga Vushtrria (1883-1951) i cili, mbaroi normalen në Shkup. Ishte mësues e pedagog fetar dhe drejtor i MEdreses Gazi Ali Beg në Vushtrri. I përkiste Organizatës Politike e Kulturore-Arsimore “Bashkimi”,themelues i së cilës qe Hasan Prishtina, të cilët kishin respekt të ndërsjell. Shkroi vepra, artikuj dhe poezi në gjuhën shqipe dhe gjuhë orientale. Komunikonte poetikisht me Haxhi Imer Lutfi  Paçarizin (1870-1928). Për shkak të veprimtarisë politike ndesh me ligjet e kohës, gjykata serbe e dënoi Selim ef. Drejtën më 1918 dhe mbajti 1.5 vjet burg prej nga doli i dërmuar dhe shëndetlig. I tillë jetoi deri në vdekje. I ati i Selim ef. Drejtës, Mulla Hasan Tahsin ef. ishte: drejtor i të parës shkollë shqipe në Vushtrri (1915); myderriz në Medresen Gazi Ali Beg, profesor në shkollën e mesme (ruzhdije) dhe mësues në shkollën fillore (iptidaije). Gjyshi i Selim Drejtës, Jashar ef. ishte muteveli i vakëfeve në Vushtrri. Stërgjyshi Haxhi Mahmud ef. ishte kadi, imam në xhaminë Gazi Ali Beg në Vushtrri dhe bashkorganizator i Marshit protestues të popullatës kosovare kundër Maliq Pashë Gjinollit (1822).

Rezak Shala që në fëmijërinë e hershme familjarisht qe shpërngulur nga Vushtrria në Durrës. Në shenimet autobiografike Rezak Shala, shprehet: “Motivi i shpërnguljes – gjyshi ka pas thënë: “unë nuk du me i lanë që nipat e mbi të mbesin  xhahila, prandaj do të shesim çdo gjë që kemi”,  e praktikisht atëherë na kishte mbetur vetëm shtëpia, sepse toka na u  muarr në reformën agrare, atëherë ai e mori Abdurrahmanin me vehte dhe më 1933 shkuan në Shqipëri” … nuk ka vonuar dhe pasi e shitëm shtëpinë dhe babushi i lau borxhet, na mbetën aq para, sipas disa shenimeve që na i ka lënë me shkrim, sa të mbërrijmë deri në Shkodër” vijon Shala. Me ndihmën  e autoriteteve fetare shkodrane dhe prof. Avni Zajmi vendosen në Durrës ku merren me tregëti (me Itali, Dalmaci, Kosovë) deri më 1943.  “Në këtë kohë unë vij në Prishtinë – të tjerët mbetën në Durrës, unë ika prej andej sepse mora pjesë në demonstratë”, shton ai tutje. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Prishtinë (1960) e të Lartë të Punëve të Brendshme në Beograd diplomon për drejtësi në Prishtinë (21.2.1967) dhe magjistron në Zagreb (1972).

Të nënvizoj kalimthi se publicistika serbe familjen Shala e ndërlidh me luftërat e “kaqakëve shqiptarë”. Kështu, autori i monografisë “Universiteti në Prishtinë në rrjetin e strategjisë shqiptaromadhe” (1990), prof. dr. Vujadin Millanoviq, biografinë e Rezak Shalës (fq. 104-106) e vendos në tekstin titulluar: “Mësimdhënësit nga familjet e emigrantëve kaqak”.

Që nga Lufta e Dytë Botërore tek Rezak Shala zë vend të thellë historia e popullit të tij dhe aneksimi i Kosovës nga Jugosllavia. Pasi Kosova  nuk ishte inkorporuar fare në Vendimet e AVNOJ-it të 29 nentorit 1943 me qëllim vetëpërcaktimi, prej 31 dhjetori 1943 deri më 21 janar 1944 do të mbahet  Mbledhja e parë (themeluese)  e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë e Dukagjin. Ndërkaq, prej 31.12.1943-1,2.1.1944 mbahet Mbledhja e Bujanit ku do të merret Rezoluta e vetëvendosjes politike të shqiptarëve të Kosovës. Qysh si partizan i ri kishte vërejtur mirëfilli gjendjen e rëndë të shqiptarëve në rrjedhat politike në Ballkan dhe nevojën e emancipimit politik të tyre dhe një korpus aktesh e masash të dhunshme të shtetit serb në Kosovë që pasqyronin krimet për shfarosjen e shqiptarëve e tyre në plotëni me dokumentet famëkeqe: “Naçertania” (1844) e Ilija Garashaninit për hegjemonin serbomadhe;  “Elaborati i Klubit Kulturor serb” (“Shërndarja e arnautëve”), (1939) i Vaso Çubrilloviqit (1939);  Elaborati i Ivo Andriqit (“Problemi i minoriteteve në Jugosllavinë e Re (1939) dhe Elaborati i Dytë i Vaso Çubrilloviqit (1944). Dokumentet e këtilla reflektonin qëndrimet hegjemoniste politike të regjimeve serbo-jugosllave ndaj popullatës së pushtuar e të pambrojtur shqiptare në Kosovë. Këto ishin në frymën e dokumenteve të dala nga Kongresi i Berlinit, (1878), Konferenca e Fuqive të Mëdha (1912), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Konferenca e Versajës (1918-1920).  Të gjitha tok cenonin egërsisht integritetin territorial të shqiptarëve, madje-madje tentonin edhe shlyerjen e këtij integriteti nga harta e Europës. Pasojisht, Shqipëria ngeli vetëm me 28 mijë km katror e me 750 mijë banorë. Shalës ia kishin sforcuar bindjen për padrejtësitë ndaj shqiptarë disa zhvillime tragjike.

I pari zhvillim lidhet me 44 mijë të mobilizuar dhe të rekrutuar nga udhëheqja jugosllave, (“Brigada të Kosmetit” dhe të trojeve tjera etnike). Prej tyre humbën rreth 8 mijë jetë njerëzish vetëm në periudhën prej 24 mars deri më 18 prill 1945 gjatë marshit prej Kosove –Shqipëri-Mal të Zi-Kroaci.për të mbërrijë në Frontin e Adriatikut kinse për t’luftuar bashk me partizanët jugosllav kundër gjermanëve. Por, pikërisht partizanët e një Divizioni serb dhe të një Brigade malazeze që ishin hedhur në terren, kishin ekzekutuar masovikisht me armë zjarri dhe armë të ftohta ushtarët shqiptarë. Pastaj, këta të fundit, janë ngulfat me gaz helmues si dhe janë mbyt në det nga fundosja e anijes. Kjo plojë e madhe për fatin e keq, ende ka ngel e pa hulumtuar e studiuar mjaftueshëm nga historianët (!). Më 1996,  prof. dr. Zekeria Cana, zbuloi botërisht varrezat masive të shqiptarëve të vrarë në Tivar; I  dyti zhvillim lidhet me luftën në Drenicë që zhvillohej, nga fundi 1944-ës dhe fillimi 1945-ës kur partizanët dhe çetnikët luftonin kundër brigadës së Shaban Polluzhës; i treti zhvillim ku vuri theksin Rezak Shala lidhet me dërgimin e “Brigadave në Frontin e Sremit” urdhëruar nga udhëheqja jugosllave në fillim të janarit 1945. Ky urdhër, realizohej përmes Shtabit operativ të Kosmetit i cili urdhëroi Shaban Polluzhën të nisej për në Podujevë dhe t’i bashkohej Brigadës së VII në Serbi. Por, Shaban Polluzha kushtëzoi zbatimin e këtij Urdhëri me ndërprerjen imediate t’vrasjeve e plaçkitjeve. Ndaj, plasën luftimet e përgjakshme për asgjësimin e ushtrisë së tij dhe u mobilizuan e rekrutuan dhunshëm shqiptarët që rropateshin në makth të tmerrshëm për Frontin e Adriatikut.

Rezak Shala pohonte se “pas Luftës filloi deklarimi i përdhunshëm i shqiptarëve si turq”, kur, rastisi të jetë Kryeshef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Mitrovicë. Sipas tij, “KK i LK të Kosovës në krye me Gjoka Pajkoviqin filloi të kujdesej për “turqit” të cilët asnjëherë nuk paskan guxuar të deklarohen për përkatësinë.”  Aksionin e tillë Shala e quante fillim të “apsurditetit”, që reflektohet me ate se “shqiptarët ndiqen, burgosen, rrihen, maltretohen, vdesin, ndahen familjarisht, njeri bëhet turk e tjetri mbetet shqiptar, në mes shokëve, vëllëzërve, familjes e kombit në përgjithësi fillon të hetohet një përqarje”. Më pas, sipas autobiografisë në fjalë, ky proces dështon, me që pak shqiptarë regjistrohen turq. “Në mes të shqiptarëve lindi problemi i vëllavrasjes sepse u përhap hasmëria në mes atyre që e pranonin shpërnguljen dhe atyre që edhe kokën e japnin për vatan”, thot Shala.

Ndryshe, gjatë diktaturës ushtarake në Kosovë (1945), Rezak Shala ishte anëtar i delegacionit  të shqiptarëve të Kosovës të cilët udhëtuan në Beograd për t’ia parashtruar Titos shtatë kërkesat e tyre: 1.Të korrigjohet Ligji agrar; 2. Administrata të mbahet në gjuhën shqipe dhe gjuhet tjera minoritare; 3. Arsimtarët të sillen nga Shqipëria; 4. Shitblerja e tokave të bëhet pa pengesa shtetërore; 5. Të burgosurit e pafaj të fallen; 6. Flamuri kombëtar shqiptar të garantohet dhe 7. E  drejta për vetëvendosje të garantohet siç është theksuar në Konferencën e Bujanit të 2 janarit 1944. Mirëpo, me t’arritur në Beograd, u realizua një skenar tjetër i papritur nga regjimi serbo-jugosllav. Ky skenar do të jetë ogur i keq për shqiptarë sepse do të ketë reperkusione tragjike për sigurinë e tyre.

Në vazhdën e këtyre inskenimeve pa sens, pushtetmbajtësit renditnin “aksionin e mbledhjes së armëve“ i cili u realizua viteve 1955/56, me pretekst se kinse “në mesin e shqiptarëve ka filluar përgatitja për kryengritje”, rikujton Rezak Shala. “Arsyetimi zyrtar partiak i këtij aksioni paska qenë “pengimi” i gjakderdhjes së shqiptarëve mes vete” (!?). Në këtë amulli, Shala bën të ditur se prej shqiptarëve të ekspozuar  ndaj rreziqeve për jetë – qindra ishin vrarë, vetëvrarë, rrahur e keqtrajtuar shtazarakisht nëpër burgje, ishin gjymtuar sepse ishin në pamundësi për t’blerë armë e për t’ia dorëzuar hijenave të regjimit t’kohës. “Atbotë shqiptarët filluan të shpërngulen me të madhe në Turqi”, vetëm “për të gjetë shpëtim e rehati shpirtërore”, vazhdon ai. Kështu, “numri i tyre arrijti mbi gjysëm milioni”, sipas tij. Në këtë autobiografi përmend edhe procesin gjyqësor të Prizrenit (1956) duke e kundërshtuar sepse akuzonin dhe gjykonin disa udhëheqës shqiptarë të revolucionit se kinse qenkan agjent të Sigurimit të shtetit shqiptar.

Dy muaj pas Plenumit të Brioneve mbajtur me 1 korrik 1966, Shala hedhë dritë tek disa deformime në punët e brendshme në Kosovë në materialin që mban datën 23 shtator 1966. Ndërkohë që, Mehmet Gjoshaj në librin e tij “Aksioni i armëve në Kosovë (2012) këtë material e quan “Deklaratë të Rezak Shalës” dhënë Sekretariatit të Komitetit  Krahinor  të LKS për KM, më 23.IX, respektivisht  më 28.IX1966”. “Në shërbimin e punëve të brendshme  gjendem prej  gushti  1946 dhe ate gjithnjë  në sektorin e sigurimit publik dhe në pozita udhëheqëse – prej shefit të sektorit deri te Kryeshefi i Sherbimit të Kriminalistikës Krahinore”. Si njeri ndër akterët e punëve të brendshme të kohës, ai vuri theksin te karakteri centralist  i këtij sherbimi duke theksuar se “ka qenë shërbimi më i centralizuar dhe vërtikalisht i lidhur me Sekretariatin republikan dhe Sekretariatin federativ, e posaçërisht  Shërbimi i Sigurimit Shtetëror dhe milicia … Edhepse kam qenë anëtar i Kolegjiumit Krahinor, nuk kam mund të marrë pjesë kur janë shqyrtuar madje çështjet  e përgjithshme  nga fushëveprimtaria e sigurimit shtetëror”, thekson Shala dhe shton: “Sidomos është karakteristike kur në Kosmet dhe ate mendoj  në vitin 1953 nga SPB të Serbisë, ishte dërguar i tërë ekipi udhëheqës i udhëheqësisë  së sigurimit shtetëror“. Sipas tij, “ky ka qenë grupi më i deformuar  që nga ekzistimi i këtij Shërbimi sepse kanë manifestuar botërisht  mosbesimin ndaj  kuadrove në Kosovë, e posaçërisht ndaj shqiptarëve.” Tutje, identifikon një zyrtar dhe metodat brutale të tij të zbatuara ndaj shqiptarëve: “Çiroviqi ka bërë paraqitje  publike  shoveniste, rrahje të fshatarëve shqiptarë rrugëve, … sharjen e nënave shqiptare, e përveç kësaj kanë shërbyer si inspektor bixhozi, pijanecë dhe t’kurvërisë …”

Ndër deformimet e mëdha në estabilishmentin e punëve të brendshme, Shala cilëson, akcionin e grumbullimit të armëve. Nismëtar i këtij aksioni ishte, sipas tij, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SHSSH) dhe shton: “Sa më kujtohet, së pari ka  filluar në rrethin e Pejës, ku ka qenë Kryeshef i SPB  Vujo Vojvodiq, e Shef i Sigurimit Shtetëror Sveto Bagdanoviq. Pas Pejës, aksionin e kanë tumirë Mitrovica  dhe rrethet tjera në Krahinë. Rrahja ka qenë shumë masive.  Kanë qenë shumë situata ku njerëzit nuk kanë mbijetuar torturat dhe janë rrahur edhe anëtarët e LK.” Kur “janë arritur rezultate të mira” vijon Shala, “atëherë janë harruar motivet fillestare dhe është folur se armikut duhet me ia fut ethet n’eshtra.” Tutje vijon: “Në këtë aksion aktivisht kanë marrë pjesë Shërbimi i Sigurimit Shtetëror, milicia dhe një pjesë e Sherbimit kriminalistik në Prishtinë.” Prandaj, “kam kërkuar që aparati i Shërbimit kriminalistik në Prishtinë të mos merr pjesë në aksione, duke theksuar  si arsye se  më me rëndësi është që ky Sherbim të punoi në punët e veta e jo të gjitha t’i anashkaloi për të marrë pjesë në grumbullimin e armëve”. Ndërkohë që, e akuzonin se po i kundërvihet “aksionit dhe se shkaqet e tilla janë manifestim i kundërshtimeve të mia.”  Lidhur me metodat dhe karakterin e aksionit të grumbullimit të armëve, Shala thot: “… mendoj se janë përdor metoda që ka mund t’i mendoi një mendje e zezë njerëzore e që është karakteristike se kanë patur dhumë pak karakter masiv, sepse nuk di por mendoj se 80 % të familjarëve të një fshati i janë nështruar torturave.”

Shala shpjegon akuzat që i janë bërë. “Njëfarë Dushan Krajinoviq, zyrtar i SPB të Serbisë mua më akuzonte, pasi që e kisha provokuar, se “Do t’vie radha edhe tek ti”, duke aluduar, sigurisht në “Procesin e Prizrenit”. Sipas tij, “qëndrimi në raport me kuadrot shqiptare, të cilët edhe ashtu kanë qenë shumë pak, ka qene i pabesueshëm”. Por, bëmat e këqija nuk përfunduan këtu. “Politika kadrovike, siç është konstatuar shumë herë, ishte e gabuar” pohonte Shala duke vazhduar se “përtrirja që kemi bërë ka përfshirë një numër shumë të vogël shqiptarësh”, kështu: “Mitrovica nuk ka pranuar asnjë shqiptarë, Prishtina, mezi një nga Prishtina, Gjilani askend, Ferizaji – numrin më të madh, Prizreni fare pak dhe Peja fare … në Ferizaj  është pranuar numri më i madh i shqiptarëve sepse Shef i Degës ishte shqiptar.” Ai veçon disa raste kur zyrtarët serb kanë shprehur mosbesim ndaj kolegëve prizrenas e gjilanas. Pastaj, tregon për transferet e tyre prej Kosove në Serbi.

Gjatë deformimeve në Shërbimin kriminalistik, veçon për rezistencë qytetet: Prishtinë, Mitrovice dhe Gjakovë. Ndërkaq, përmend rastet kur zyrtarët në Prishtinë dhe Prizren kanë nxjerrë dëshmi me dhunë nga qytetarët, kur këta i kanë burgosur dhe rrahë.Të konfiskuara nga kryesit e veprave penale, gjësendet dhe mjetet monetare i kanë mbajtur nëpër depo të organeve të punëve të brendshme apo i kanë përdorë në mënyrë klandestine, në vend që këto të fundit, t’ua dorëzojnë institucionave bankare. E për evitimin e këtyre abuzimeve janë formuar komisione përkatëse, gjesendet e konfiskuara procesverbalisht i janë dorëzuar prokurorive kompetente. Ka patur devijime edhe gjatë procedurave disiplinore, rreth pakicave kombëtare, burgosjeve përmbajtjes së të ligjeve, … Ne diskursin publik të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë janë përdorur etiketime fyese të tipit “shiptar”. Tendencat e centralizimit të Shërbimit të Punëve të Brendshme përmes Ligjit të punëve të brendshme e argumenton me normën e cila parashikonte që Kryeshefin e organeve të punëve të brendshme mund ta caktoi Kuvendi komunal, me pëlqimin e Sekretarit (Ministrit të brendshëm). Opinioni i Shalës – se një dispozitë e tillë ligjore bie ndesh me Kushtetutën, kishte has në vesh të shurdhër.

Shala nga pozita e Kryeshefit të Shërbimit Kriminalistik të Kosovës, më 1967 do avancohet tutje. Lidhur me këtë thot: “deri kah fundi i vitit 1967 i mllefosur, i tmeruar, dhe i brengosur për tendencat e asimilimit të popullit shqiptar, mezi prisja momentin tim. Dhe kur erdha në funksion, me këmbëngulje kërkova strehimin ku kombi shqiptar do të bënte një jetë më normale  dhe ai strehim ishte Republika e Kosovës. Ja pra, këto ishin shkaqet  që i paraprijnë kërkesës sime për një shtetësi shqiptare në kuadër të federatës jugosllave”. Ndryshe, se pas Plenumit të Brioneve Rezak Shalës i është besuar detyra e Prokurorit Publik të Krahinës, (ekuivalent me pozitën aktuale të Kryeprokurorit të Shtetit në Republikën e Kosovës – shenimi im, FT) konfirmon edhe autori Millanoviq në librin e tij “Universiteti në Prishtinë …“ duke  shtuar se “këtë besim Shala e ka fituar  ashtu që  “prej fillimit  të luftës aktivisht dhe organizativisht ka vepruar  … se për shkak të punës aktive ishte burgosur deri në  kapitulimin e Italisë … dhe pas çlirimit  nga gjermanët  sakaq ka hyrë edhe në Komitetin e Rrethit të PKJ”.

Plenumi i Brioneve, mbajtur më 1 korrik 1966, ishte në fakt  Mbledhja e IV e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dedikuar  për “disa çështje aktuale  përkitazi me veprimtarinë e dëmshme  të disa organeve të sigurimit dhe pasojat nga ajo veprimtari”. Gjatë këtij Plenumi, u shkarkua krahu centralist e unitarist i Aleksandar Rankoviqit, Sekretarit të Parë të KQ të LKJ për shkak të veprimtarisë antipartiake. Ndërsa, Kuvendi federativ e shkarkoi nga funksioniet shtetërore për shkak të keqpërdorimeve në SHSSH dhe pensionoi. Pas shkarkimit të Rankoviqit, Kryetari i Jugosllavisë Josip Broz Tito ishte shprehur se “mjafton që ai është i vetëdijshëm që mban përgjëgji morale dhe politike”, duke lënë të nënkuptohet se ndaj famëkeqit Rankoviq, megjithatë, nuk do pasojë kurrfarë ndjekje penale !? Ndjekje penale nuk do të kërkoi as Komiteti Qendror i LK të Serbisë për “trajtimet” e mijëra shqiptarëve përtej dhjetë viteve sa ishte udhëheqes i SHSSH – as kur  ishte  Ministër i Punëve të Brendshme (1946-1953), as kur ishte  nënkryetar i Jugosllavisë (1963-1966). Vetëm do konstatohet se – dënohen ashpër praktikat e fenomeneve negative byrokratiko-nacionaliste, keqpërdorimet, deformimet  dhe devijimet në aparatin e SHSSHt prirë nga Rankoviqi dhe se do të luftohen forcat  byrokratike-frakcioniste për qëndrimet e tyre nacionaliste e centraliste. Mbase mund të thuhet, se megjithatë, u dërmua perandoria e fortifikuar kriminele (SHSSH), sepse pasojë klima paksa më liberale  brendapërbrenda udhëheqësisë politike jugosllave, njëfarë shëndoshje dhe demokratizim i raporteve  shoqërore e politike në përgjithësi dhe një shpresë për shqiptarët e përvuajtur ndër dekada në bashkësinë jugosllave.

Rezak Shala kishte rastisur në piadestalin e karrierës së tij profesionale: Prokurorit Publik të Kosovës kur po diskutohej për evoluimin kushtetues të Krahinës dhe shqiptarët po pretendonin republikën e tyre në kuadër të sistemit kushtetues jugosllav (1967,68). Gjithnjë sipas tij, Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i Komitetit komunal të LK të Kosovës diskutoi nga aspekte shkencore, teorike, politike-juridike çështjet rreth vetëvendosjes, republikës dhe Kushtetutës së Kosovës. Komisionin përbënin: Hajredin Hoxha, Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Rezak Shala, Ramadan Vraniqi, Ali Hadri, Asllan Fazlia, Bardhyl Çaushi, Hasan Mekuli, Idriz Rexha, etj. Madje, “mbledhja mori karakter të një simpoziumi shkencor” me që është diskutuar me kompetencë shkencore apo, siç thekson Rezak Shala, secili diskutues “nevojën për republikën e Kosovës e pat paraqit nga këndi i vet profesional”.

Ç’është e vërteta, diskutimet kushtetuese për Kosovën Republikë të filluara në Aktivin politik të Gjakovës (14 gusht 1968) u tumirën dhe u mbështeten nga Rezak Shala dhe intelektualë tjerë shqiptarë, pjesë të institucioneve të Kosovës, shprehet Ethem Çeku në punimin “Kosova në shtetndosjen e raporteve shqiptaro-jugosllave në vitet 60-70.

Këtu po e kontekstualizoj opinionin e gazetarit Enver Robelli nga shkrimi “Politika vulgare” (Javanews.al, 28.7.2022): “Hashim Thaqi vetëm e ka lexuar Deklaratën e pavarësisë së Kosovës sepse idenë e pavarësisë e ka prezentuar Ibrahim Rugova në fillim të viteve 90-të por as Rugova nuk ka asnjë meritë sepse idenë e Kosovës Republikë  e ka përmendur në fund të viteve 60-të prokurori publik Rezak Shala e para tij Adem Demaçi, ama as ky ska merita sepse Hasan Prishtina angazhohej për një shtet shqiptar në Ballkan, por harrojeni edhe këtë, Skënderbeu qe nisur në vjeshtën e viti 1448 për të marrë pjesë në betejën e Dytë të Kosovës kundër osmanëve, por, … nuk arriti sepse u kurthua në disa ngatërresa lokale”. Tutje, Rezak Shala shton, se – jo vetëm që “Kryesia  e Komitetit Krahinor mori qëndrim kundër këtij diskutimi” por “edhe udhëheqësitë shqiptarë të sëmurë nga protogonizmi i theksuar, filluan të shprehin “patriotizmin socialist jugosllav”. Rezak Shalën e dëshpëronte dhe gërryente ideja se si këta filluan “edhe të bëjnë gara se kush do të jetë më i ashpër në sulmet ndaj atyre që me këmbëngulje kishin kërkuar Kosovën republikë”. Kështu, pasuan “sulmet prej kërcënimeve deri te etiketimet”. Shala, teksa ishte kryeprokuror përballej edhe me brutalitetin e sulmeve të demonëve politik shqiptarë që hiqen sikur zbatojnë fjalëpërfjalë Kushtetutën jugosllave dhe Programin e komunistëve. Në këtë përballje politike me kryegjykatën e komunistëve të Kosovës, Kryesinë e Komitetit Krahinor të komunistëve, Shala  specifikon emrat e: “Veli Devës, Kolë Shirokës, Asllan Fazliut, Ali Shukriut, Ilaz Kurteshit, Mahmut Bakallit, e me radhë”.  Më pas, i indinjuar shton se “me direktivë të Partisë u ndalua diskutimi për Republikën e Kosovës”, çështje kjo e cila ushqente frymëzimin e rinisë për të demonstruar. Për pasojë, “më 27 nëntor 1968 shpërthyen demonstratat në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në Tetovë”, ku, “u brohorit emri im, …” në koloritin e kërkesave studentore, saktëson Shala.

Pikërisht këtë fakt, e konfirmon edhe autori Millanoviq në tekstin e tij “Universiteti në Prishtinë …”. Ai thekson se në demonstratat masive të vitit 1968 “në Prishtinë dhe në vende të tjera të Kosovës e Metohisë … janë dëgjuar edhe këso parullash e brohoritjesh: “Duam Rezak Shalën !”, “Rroftë Rezak Shala”. Kësisoj, kjo figurë na shpërfaqet si burim i pashtershëm frymëzimi gjatë artikulimit të kërkesave studentore. Demonstratat e organizuara nga “Grupi 68” i rinisë shqiptare në Kosovë ishin tok me sloganet: “Vetëvendosje”, “Republikë”, “Kushtetutë”, “Barazi”, “Statusi i kombit për shqiptarë”, “Emërtimi Kosovë – jo Kosovë e Metohi”, “Liria e përdorimit të flamurit shqiptar”, “Liria e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”.

Në mbledhjen e Aktivit politik të komunistëve të Prishtinës, mbajtur më  9 shtator 1968 përkitazi me ndryshimet kushtetuese, Rezak Shala kishte theksuar: “Unë po flas për  parimin e vetëvendosjes duke u nisur nga fakti  se gjeneza e vetëvendosjes është e përcaktuar në mënyrë të qartë nëpërmjet sistemit tonë politik, madje institucioni i vetëvendosjes sot respektohet dhe pranohet në rregullimin tonë federativ. Vetëvendosja vjen si një element i cili siguron barazinë e popujve. Shtrohet pyetja, nëse popujt kanë të drejtë për vetëvendosje, nga aspekti i barazisë, atëherë pse mos të kenë të drejtë vetëvendosjeje edhe kombësitë”, çështje kjo e cila parakupton se shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk trajtoheshin dhe nuk duhej trajtoheshin si komb shtet-formues vetëm e vetëm që të mos kenë të drejtën e formimit të shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Më pas, Shala i ka kundërshtuar disa diskutues. “Unë nuk mund të pajtoj me disa diskutime të cilat përpiqen  që disa paraqitje këtu t’i paraqesin, t’i kualifikojnë kështu apo ashtu …” Në përpjekje e sipër për ta kultivuar kërkesën për Kosovën republikë dhe për t’i çmontuar argumentet e politikës zyrtare, shton: “Mendoj se jemi pjekur që të jemi  njësi e barabartë federale edhe për nga  forma dhe atë pikërisht në sistemin tonë … Dëshiroj të mbetem konsekuent dhe të them se që nga dita e parë mbetem në pozitat e mëparshme, në pozitat e njejta dhe nuk kam ndryshuar. Në bazë të të gjitha këtyre  argumenteve jam deri në fund i bindur se kjo është imperativ i kohës dhe mendoj se kjo do të sigurojë barazinë e plotë.”

Në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur më 23 nëntor 1968, pohon se vetevendosja si institucion i pranuar gjatë revolucionit nuk mund të vehet në dyshim por  se duhet vazhduar me diskutime rreth këtyre problemeve sepse institucioni i vetëvendosjes “jeton mes nesh.”  Në këtë kontekst ka  nënvizuar se për problemin e njësive federale “diskutoj qe dy vjet me pjesëmarrje në punën e Komisionit për marrëdhënie ndërnacionale, ku kam diskutuar dhe argumentuar pse  mendoj ashtu dhe përse janë bindjet e mia të tilla.” Tutje ka shtuar se edhe në Komisionin  për sistemin shoqëror-politik të Krahinës “kam mbetur deri në fund pranë bindjeve të mia … madje kemi diskutuar dhe nuk jemi pajtuar, por kemi vazhduar tutje.” Shala kishte debatuar edhe për problemin e flamujve duke aspiruar se ato duhet të janë  të barabarta me ç’rast disa e kanë keqkuptuar dhe etiketuar rëndë si tradhëtar. “Unë mendoj se në betejën e mendimeve që ne e bëjmë duhet konfrontuar mendimet me argumente”, ndërsa “çështjen e vetëvendosjes duhet diskutuar  nga lartë e poshtë, … Madje, as konkluzat e miratuara nuk i mohojnë këto diskutime, mohojnë vetëm diskutimet që insistojnë që republika është zgjidhja e vetme. Përndryshe, problemi i vetëvendosjes, forma e akteve të përgjithshme juridike, simbolet, etj.  andaj,  nuk ka  arsye për akuza të ndërsjella. Unë nuk pretendoj të jem më i mençur nga të tjerët, madje nuk pretendoj se dua më shumë se ju këtë dhe zgjidhjet e këtilla kushtetuese, sepse atëherë do isha diçka tjetër nga ai që jam në realitet.”

Derisa në njerën anë republika ishte shtyese këmbëngulëse dhe kryeshqetësim politik për Rezak Shalën të cilit i bashkoheshin bashkëmendimtarët e tij politik, rinia dhe popullata shumicë, në anën tjetër, “Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve i kundërshtonte, Kryesia e tij, përbërë nga: Veli Deva, Kolë Shiroka, Asllan Fazliu, Ali Shukriu, Ilaz Kurteshi, Mahmut Bakalli, e me radhë” ishin kundër saj, duke ngarendur  për të “shprehur patriotizmin socialist jugosllav”, pohon Shala. Në të tilla takime të tendosura, natyrisht se këta eksponent të lartë dhe kundërshtarë politik të Shalës mëtonin së koti për ta vënë  me shpatulla për muri e për ta konvertuar politikisht n’anën e tyre. Shala ishte i mishëruar duke përpunuar diskursin e vet alternativ vizavi politikës zyrtare dhe duke orientuar kërkesën e vet e të bashkëmendimtarëve, ndaj diskursit mbizotërues zyrtar politik. Ndryshe, për Shalën, ishte kauzë, mision që Kosova të bëhet një nga konstituentët e ish-Jugosllavisë që, ndonëse dukej mjaft i vështirë, megjthkëtë nuk ishte i pamundur.

Shala në shenimet autobiografike, specifikon akuzat  dhe presionet e bëra nga disa krerë shqiptarë të nomenklaturës komuniste kosovare: “Iljaz Kurteshi, për shembull, duke mos kuptuar gati asgjë filloi të flas me një gjuhë të hutuar politike. Veli Deva,  kërkesat e mia për Kosovën Republikë i klasifikoi “veprimtari armiqësore”. Ngjashëm foli edhe Kolë Shiroka. Fadil Hoxha  u mundua të më bindë për një autokritikë duke cituar gabimisht një thënie të Leninit: “Nuk duhet me ra në bisht të masave. I pata thënë që masat duhet të deklarohen e ta thonë fjalën e  tyre e jo të mendojmë ne në vend të tyre. Nuk mbeta pa u sulmuar as nga Mahmut Bakalli”, duke shtuar se “gjatë pauzave të mbledhjeve iknin prej meje sikur prej dreqit. Mbeta si fëmij pa prind.” Shala hedh dritë edhe në polemikën me Veli Devën: “Udbashi i atëhershëm më pat treguar se do t’i marr disa masa. I pata thenë se masat duhet të ndërmirren vetëm në kuadër të kompetencave ligjore sepse si Prokuror Publik i Kosoves nuk lejoj që të shkilet  ligjshmëria”.

Rezak Shala na sjell në vëmendje edhe kohën se kur u detyrua të dorëhiqet.“Në fillim të vitit 1969, dy tre muaj pas demonstratave më detyruan të jap dorëheqje nga funksioni”, sqaron ai. Në këtë kohë, në përpjekje  për të mbijetuar politikisht duke mos iu bindur trysnive të disa politikanëve shpirtvegjël të Kosovës të mbërthyer  pas  foteleve të tyre, që të pranoi fatin e të qenit partner politik i tyre, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Fadil Hoxha, ia kumton lajmin e fundit, lajmin e keq: “në konsultim me Plakun (Titon) paskan vendosur  të ma ndërrojnë vendin e punës”. (!). Por, ky lajm nuk ia thejë  idealet largpamëse dhe diskursin kritik tlidhur me aspiratat e tij për Republikën e Kosovës që ishte e veçanta e këtij njeriu ngase gjeti forcë për t’i përballuar trysnitë e tilla.

Më pas, prej dy arsyeve të shpalosura nga Kuvendi i Kosovës për shkarkim nga posti i të parit të Prokurorisë kosovare, sipas Shalës, e para që konsiston në ate se prania e tij gjoja ”po i frikëson serbët dhe malazezët” doli të jetë “tejet tendencioze” dhe e dyta që konsistonte në kërkesën për Kosovën Republikë doli që Shala paskësh “rënë në kundërshtim me politikën e LKJ”. Këto sjellje që i faturoheshin Shalës, sipas një praktike politike të kohës, me pretekst se paska shkelur njëfarë standardi “strategjik” të etikës politike të ashtuquajtur “përshtatshmëri moralo-politike” pasoi me sanksionin politik ndaj tij: Përjashtimi nga LKJ. Asnjeri prej dy justifikimeve të trilluara nuk ishin problematik, pretendonte Shala. I zhytur në këto beteja politike, ky zhveshi përfundimisht skenarin e politikës së shtetit serb përkitazi me shkarkimin e tij “nga të gjitha detyrat”. E nuk mund të ndodhte ndryshe. Duke pohuar se për ta kishte qenë “halë në sy”, Shala shpalos një spektër arsyesh: “pata rehabilituar shumë të dënuar jashtë ligji, i pata ndjekur penalisht disa deformatorë, i pata zbutur dënimet marramendëse të grupit të Adem Demaçit … jam bërë shkaktar i prishjes së klimës politike … me këmbëngulje fillova të kërkoj Republikën e Kosovës, u zbulova se jam nacionalist i rrezikshëm.”

E, në librin “Universiteti i Prishtinës …, autori Millanoviç, përmend një fakt mjaft sinjifikativ: “Mishoviç në librin e vet  publikon shumë citate nga diskutimet e Shalës nga të cilat qartë shihet angazhimi i tij i vendosur për shqyrtime kushtetuese të vitit 1968 që Kosova të konstituohet si republikë, përkundër mendimeve të udhëheqësve të atëhershëm politik shqiptar në krye me Fadil Hoxhën si Kryetar i Komisionit kushtetues të Kosovës, që për kërkesën radikale realisht nuk mund të pritet përkrahja e udhëheqësve republikan e federativ qysh në atë fazë të ndërtimit të rendit tonë politik e shtetëror; se kjo është, prandaj, verbëri politike e Rezak Shalës”.

Në tekstin “Universiteti në Prishtinë …”, autori Millanoviq, referuar veprës tjetër: “Kush ka kërkuar Republikën, Kosova 1945-1985” të Millosh Mishoviq (1987) duket se jep versionin zyrtar të arsyeve të shkarkimit të Shalës, që paradoksalisht, reduktohet vetëm në brohoritjen e emrit të tij nga demonstruesit e 68-ës (!): “Komisioni për Zgjedhje dhe Emrime  i Kuvendit të Krahinës  ka paraqitur Propozimin për shkarkimin e tij më 30 janar të vitit 1969 me arsyetimin se në demonstratat “kundër  socializmit vetëqeverisës dhe interesave të shtetit (…)  në momentin kur ato kanë fituar karakterin e shprehur armiqësor (…) kanë brohoritur se e duan Rezak Shalën”. Shkarkimi i Shalës qe ngjarje e faqeve të para të shtypit të asaj kohe jo vetëm në Kosovë e Serbi. Edhe vet autori  Millanoviq në  librin e tij të mësipërm, shfaqet në linj me arsyetimin zyrtar për shkarkimin e Shalës nga pozita e kryeprokurorit. Këtu, ai ka parasysh se “në opinion  pakundërshtueshëm depërtoi e vërteta, për orientimet e Rezak Shalës dhe në shqyrtimet kushtetuese pak para shpërthimit të demonstrative antijugosllave.” Tutje konstatoi edhe insistimin  e Rezak Shalës “për të mbetur pranë atyre qëndrimeve para organeve më të larta politike të  Krahinës, e posaçërisht për shkak të njohurive të opinionit  për vlerësimet  e tij në thelb pozitive për demonstratë.”

Dr.  Miomir Gatalloviç, autor i librit: “Kohë të turbullta – Kosova në politikën shtetërore të Jugosllavisë 1966-1969” në përgjigjen dhënë një gazetareje të medias serbe, e rendit Rezak Shalën ndër  politikanët  më me influencë në Kosovë: “Kjo ka qenë elita politike partiake, ku ndikimin me të madh e kishte Fadil Hoxha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Rezak Shala, … Ata kanë punuar më së shumti për çështjen shqiptare dhe kanë mbuluar veprimet irredentiste posaçërisht me demonstratat e vitit 1968. Kjo elitë ka punuar në mënyrë shumë unike në luftimin e kuadrove serbe dhe malazeze që kryesisht kanë bërë përpjekje të ruajnë pozitat e veta. Tito dhe Kardel krejt këto i kanë miratuar që të i pacivizojnë dhe lidhin me  Federatën jugosllave.”

Në faqet e librit “Universiteti në Prishtinë …”, autori Millanoviç tërhjek edhe një paralele interesante midis Rezak Shalës dhe Syrja Popovcit: “Sipas këmbëngulësisë dhe qartësisë së qëndrimeve  për konstituimin e Krahinës  në Republikë (si fazë e parë  në luftën për shkëputje dhe bashkim me Shqipërinë), me te ka qenë i barabartë vetëm Rezak Shala.” (!)

Kontributin e rëndësishëm të Shalës në dimensionin penitenciar, përkatësisht të ndërprerjes së ekzekutimit të dënimeve me burgim përmes lirimit nga mbajtja e mëtejme e dënimeve me burg të pjesëtarëve të organizatës  ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (“Grupi i Adem Demaçit”, etj.) e konfirmon dr. Sabile Keçmezi-Basha. Në të përditshmën “Lajm”, datë 16 tetor 2008, në shkrimin titulluar: “Kërkesa legale për Republikën e Kosovës” ajo shprehet: “Prokurori krahinor, Rezak Shala, kërkoi që shumë të burgosur politik shqiptarë të lirohen menjëherë ose  t’u zvogëlohen vitet e burgut.”.

Kontributi i madh i Shalës për zbutjen e dënimeve rikonfirmohet me librin “Adem Demaçi, biografi” (2010) të Shkëlzen Gashit. Pasi shprehet se të burgosurit nuk kanë pranuar të shkruajnë kërkesa të tilla sepse “kjo ka  kuptimin e të lypurit mëshirë”, autori  Gashi shton: “Më pas, Rezak Shala, prokuror (i cili më 1968 i përkrah kërkesat e studentëve demonstrues  për Kosovën Republikë dhe prandej pushteti  serb  e shkarkon nga pozita), propozon të lirohen  të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë të dënuar në kohën e Rankoviçit. Pushteti serb nuk pranon t’i lirojë por vetëm t’i rishikojë dënimet e asaj kohe. Për rrjedhojë, dënimi i Adem Demaçit, nga 15, ulet në 10 vjet” i cili  dënim qe shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë gjatë procesit të dytë gjyqësor kundër tij dhe anëtarëve të grupit të tij më 1964  që pason me burgimin e dytë një dekadëshe të tij (1964-1974).

Shkrimtari i mirënjohur Ibrahim  Berisha  në veprën e tij “Vdekja e kolonisë” sjell një informatë të karakterit taktik,  metodë të pistë pune dhe pa asnjë skrupull të regjimit serbo-jugosllav: “Shërbimi sekret serb, përmes mënyrës së lashtë, shpifjeve “vesh më vesh”, mbillte  dezinformata se ishte Rezak Shala gardiani i cili  në vitin 1968 mbrapa perdeve pengoi statusin e Kosovës Republikë.” (!?), thot tekstualisht autori Berisha.

Për kërkesën e Rezak Shalës për një Republikë shqiptare në zingjirin e Federatës jugosllave dhe për heqjen e tij nga skena politike qe informuar, edhe Enver Hoxha, drejtpdrejt nga i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Jugosllavi, Lik Seiti më 19 shtator 1970 në Tiranë. Por, Enver Hoxha, nuk qe pajtuar assesi me kërkesën politike të Rezak Shalës me pretekst se – shqiptarët kanë vetëm një Republikë, Republikën Popullore të Shqipërisë.

Përplasjet stereotipe politike të Rezak Shalës me rivalët politikë që i suleshin ngase nuk rreshtohej në anën e tyre,  ishin këmbanë djallëzore për hakmarrje të pavonuar të tyre ndaj tij përmes shkarkimit nga posti prokurorial. Ishte i vetmi Rezak Shala prej zyrtarëve të lartë shtetëror shqiptar ai i cili duke qenë në majë të sistemit prokurorial kosovar, njëherit edhe pjesë e udhëheqësisë politike kosovare jo që iu zvetënuan pretendimet  politike, por u përça thellë me elitën politike shtetërore në Kosovë rreth statusit të Kosovës dhe u rebelua. Shpejt pasoi shkarkimi i tij. U harrua ndërrimi i pozitës sikundër kishte qenë “marreveshja” mes Titos e Fadil Hoxhës. Tani, i pensionuari parakohe, Rezak Shala qëndron, do thosha në heshtje lavdie, por vazhdon të çirret nga instiktet e shfryera politike, pushtetore e morale të disa politikanëve të përçudnuar shqiptarë që nuk vranin mendjen për koston e faturave mund t’i paguajnë në t’ardhmën.

E sipas Shalës, pas shkarkimit nga pozita e Prokurorit Publik të Kosovës me mbështetjen e pa rezervë të Fadil Hoxhës, do t’pengohet seriozisht që të zgjedhet mësimdhënës universitar nga Mahmut Bakalli: “Magjistrova në Zagreb dhe desha të punësohem në Fakultetin Juridik të UP-ës, por pasi kolegët e mi më shpallën “të rrezikshëm”, vet zoti Mahmut Bakalli strukturave të UP-ës ua bëri me dije që nuk guxoj të ligjëroj në këtë fakultet.”. Ndëkaq, Vehap Shita, do shprehej:“…kreu fakultetin e studimet  pasuniversitare” dhe dëshironte “të jepte kontributin e vet edhe në ngritjen  e kuadrove të reja”, por “Ishte një dorë që Rezakun, sikurse edhe të tjerët, donte t’iu largonte  nga Universiteti” .

Edhe me këtë çështje u muar publicistika serbe. Autori Millanoviq në veprën “Universiteti në Prishtinë …, thekson: “Në librin e kujtimeve të Fakultetit juridik me rastin e 25 vjetorit të themelimit nuk ka emër të Rezak Shalës as në mesin e  arsimtarëve të përhershëm as në mesin e arsimtarëve me honorar.” … Në kohën e publikimit të Biltenit me referat pozitiv dhe propozimin e Komisionit (Tomisllav Markoviç nga Zagrebi,  Vlladimir  Vodineliç nga Spliti dhe Dragolub Moraçiq mësimdhënës i lartë nga Prishtina) që Shala  të zgjedhet për mësimdhënës, dekan ka qenë Zdravko Zdravkoviq, e prodekan kanë qenë: Gazmend Zajmi e Esat Stavileci. Sikur Dekanati të kishte qenë kundër propozimit të Komisionit, referati  as që ishte publikuar  apo ky do të vështirësohej, … Pa mëdyshje e dijmë se  Shala në vijim  nuk është lajmëruar përsëri në konkurs për zgjedhje – rizgjedhje të mësimdhënësit për at lëndë, ndërsa në vitin 1977 ishte zgjedhur magjistër Vesel Latifi”, fq. 105. Ndryshe, Mishoviq në librin: “Kush ka kërkuar republikën – Kosova 1945-1985, konstaton se Shala “karrierën e ka vazhduar në Fakultetin Juridik”. Por, në të njejtën vepër (“Universiteti në Prishtinë …”), në pjesën: “Arsimtarët nga Shqipëria”, ku bën fjalë edhe për Galip Demën që të zgjedhet mësimdhënës i Kriminalistikës, Millanoviç shkruan: “Nuk e dij deri në cilin vit ka qenë mësimdhënës i asaj lënde të rëndësishme profesionale në Fakultetin Juridik në Prishtinë, por Rezak Shala qe propozuar për atë lëndë në verën e vitit 1972 … mirëpo  nuk është plotësisht e qartë si përfundoi  procedura e zgjdhjes së tij,  dhe as nuk është e qartë nëse atë lëndë gjatë vitit 1972/73  do e ligjëroi Dema apo Shala.”

Gjithnjë sipas kujtesës së kryepresonazhit tonë, Mahmut Bakalli nuk zbrapsej as nga angazhimi që Rezak Shala t’mos arrij titullin e doktoratës. “Po ky njeri e pengoi edhe Komisionin përkatës që ishte caktuar për vlerësimin e tezës së doktoratës sime.  Këtë që po e them mund ta vërtetoni edhe sot. Të gjitha urdhërat e këtij funksionari për avancimin tim si shkencëtar gjenden edhe sot e kësaj dite në Fakultetin juridik”,  shpjegon Shala.  Ndryshe, koha tregoi se ai së koti priste vlerësimin e tezës sepse kurrë nuk i erdhi.

Ai, shprehej të ketë qenë “i harruar, porse krenar kundër të gjitha mynxyrave  të jetës që nuk arritën të ma thejnë mendjen se Kosovës  patjetër i duhet Republika”. Por, kujtoj se me entuziazmin e tij Rezak Shala lartësoi vetëveten deri në shkallë strumbullari. Nuk mbeti me dëmkën e imazhit të zbehtë siç mëtonin ta paraqisnin oponentët politik që kishin idealin e të qenit të fortë duke u veshur me pushtet e arrogancë, ata të cilët i vardiseshin politikanëve dhe politikës së errët serbe me patos të lartë nga frika deri në palc.

Kryetari i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në telegramin e ngushëllimit dërguar familjes së Rezak Shalës, pasi kishte cilësuar si njerin “prej kuadrove të çmuara politike shqiptare në Kosovë”, ishte shprehur: “Angazhimi i mr. Rezak Shalës për mëvetësinë dhe vetëvendosjen e Kosovës janë të hershme e të vazhdueshme dhe këtë kontribut të tij do ta dine ta çmojnë brezat e ardhshëm.”

Gjatë përcjelljes së Rezak Shalës në shtëpinë  e tij të fundit, Prof. dr. Bardhyl Qaushi kishte thënë:“Ishe dhe për sa të jetë jeta do të mbetesh njeri i veçantë, me virtyte dhe prirje të jashtëzakonshme për drejtësi dhe barazi midis njerëzve dhe popujve, njeri që nuk diti se çfarë është frika nga forcat e  errëta të s’kaluarës  jo të largët, as nga këto të ditëve tona. … Edhepse gjitha ato përpjekje  dhe sakrifica të mëdha Tuajat dhe tonat nuk u kurorëzuan me sukses të plotë për një Kosovë të aspiruar, të pavarur dhe sovrane, megjithatë gjurmat e një përkushtimi të tillë politik të një plejade të intelektualësh militantë dhe atdhetarësh të tjerë do të mbesin të pashlyeshme.”

Kritiku, shkrimtari dhe gazetari Vehap Shita në fjalën e përmotshme për Rezak Shalën kishte theksuar: “Luftëtar konsekuent për të drejtat e popullit të vet … njëri ndër ata që edhe në organet e punëve të brendshme diti t’i ruajë dhe t’i mbrojë të drejtat njerëzore, jetën dhe identitetin e bashkëkombasëve të vet … pas Plenumit të Brioneve … theksonte platformën themelore të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popuijve të Kosovcës – të përcaktuar në Rezolucionin e Konferencës Themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit në Bunjaj të Malësisë së Gjakovës në dhjetor 1943 e janar 1944 … ndër të parët që ngriti zërin publikisht për Kosovën – njesi e barabartë federale në ish-federatën jugosllave, në të cilën kishte mbetur Kosova pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore … ishte e vështirë të depërtonte në atë kohë legalisht ideja e Rezakut dhe e veprimtarëve të tjerë të kësaj ideje … por Rezaku ishte ai që qëndroi edhepse iu vërsulen  organet e shtetit e të partisë, e larguan nga funksionet dhe e qiten në pension të parakohshëm. Por Rezaku … detyrohet të kaloi një pjesë të jetës në mërgim … në Turqi. E kur u dha iniciativa për formimin e  Forumit Demokratik të Kosovës, … Rezaku ishte njeri ndër ata që e përqafoi me gjithë shpirt këtë ide, dha kontributin e vet …”.

Gazeta “Zëri” në tekstin titulluar: “Vdiq mr. Rezak Shala”, datë 7 maj 1998 shkruan: “Nuk dëshironte të rikthente  qëndrimin e tij në  pozicionin që Kosova  dhe shqiptarët  të mbeteshin edhe më  pjesë e nënshtruar  dhe e zhvlerësuar  në ish-Jugosllavi. Organet politike  dhe shtetërore  jugosllave  pas tre vjetësh, përfundimisht  e dërguan në pension të dhunshëm. Megjithëse në moshën më të mire dhe me një përgatitje të lartë profesionale, ai që nga atëherë më nuk u kthye në veprimtari profesionale …” Gazeta, nxjerr përfundimin se, “Rezak Shala mbetet një nga figurat e respektuara të shqiptarëve, i cili përpara postit, zgjodhi mbrojtjen e të drejtës së kombit të tij.” Ky medium, t’nesërmen (8 maj 1998) i kushtoi edhe një shkrim Rezak Shalës, titulluar: “Simbol i parimësisë kombëtare e profesionale”. Këtu rikujtohet lexuesi se pas vitit 1990 Rezak Shala ishte aktiv kryesisht në senzibilizimin dhe organizimin  e  emigracionit shqiptar dhe të opinionit turk në favor të çështjes sonë.”

E, “Zëri javor” i 16 majit 1998 nën titullin: “Kosova duhet të bëhet Republikë”, përgatitur nga Agim Zogaj, pasi pohon për Rezak Shalën se “ndërgjegjësimi i tij kombëtar  ishte deri në fund fanatik ndaj Republikës  së Kosovës” shton se ky  “pas diferencimit politik e kishte shtruar para shokëve vetëm një kërkesë: që t’i lejohet që si magjistër i shkencave juridike të ligjërojë në Universitetin e ri shqiptar. Shokët e dikurshëm nuk ia mundësuan  atë.” Sakaq, pason “teksti integral i diskutimit të Shalës në Aktivin politik të LK të Prishtinës, datë 9 shtator 1968”, për çka u fol më sipër.

Këtej, a nuk meriton Rezak Shala të mbahet gjallë emri i tij për ta nderuar kujtimin e këtij njeriu i cili, pas një sëmundje  të rëndë e të shkurtër ndërroi jetë më 6 maj 1998, pa mbushur 71 vjet jete.