– Në Itali do të miratohet ligji i cili parasheh gjobë deri në 100 mijë euro për zyrtarët publikë të cilët në komunikim zyrtar do të përdorin fjalë nga gjuhët e huaja. Kombi italian pavarësisht se komb i madh, që nuk ka çështje ekzistenciale të hapura, me gjuhën kombëtare italiane që veç në Itali e flasin 60 milion njerëz, e konsideron të nevojshme mbrojtjen e saj me ligj si mbrojtje të identitetit të vet kombëtar. Nuk mund të ketë zhvillim të shtetit nëse kemi zvetnim të identitetit kombëtar, sepse shteti modern është rezultat i kombit si ngrehina themelore kolektive e modernitetit. Në Francë është e sanksionuar me ligj që të gjitha televizionet dhe radiot janë të obliguara që nga vëllimi i përgjithshëm i transmetimit të përmbajtjes muzikore, të paktën 35% duhet të jetë muzikë në gjuhën frënge.
– Tek ne ndodh e kundërta. Gjuha shqipe, pavarësisht se është elementi qenësor mbi të cilin mbështetet ekzistenca e kombit shqiptar, pavarësisht se ajo është dëshmia e gjallë e lashtësisë sonë që u ka mbijetuar pushtimeve të cilave nuk u mbijetuan as kështjellat, sot ajo sulmohet nga të katër anët. Sulmohet nga kundërshtarët e “shqipes standarde”, të cilët nuk e kuptojnë që kulturat kombëtare homogjenizohen nga shteti kombëtar mbi bazën e një standardi që i rrafshon dallesat kulturore-rajonale (edhe gjuhësore) për të forcuar kohezionin kombëtar si kusht i ekzistencës moderne. Standardi mund të pasurohet, por koncepti i tij nuk mund të kontestohet. Sulmohet nga snobat e qytetit që mendojnë se sllengu i kafeneve ka kapacitete identitet-formuese dhe se çdo mëhallë duhet të shpallet komb. Sulmohet nga paidentitarët që si inferiorë mendojnë se gjuha shqipe s’ka çfarë na duhet, se është gjuhë e vogël. Pra, sipas tyre as shqiptarët s’kanë çka i duhen botës meqë nuk janë komb i madh. Në ketë grup futen edhe disa tik-tok shkrimtarë që tashmë e kanë shpallur edhe datën e vdekjes së shqipes.
Në emër të kundërshtimit të të ashtuquajturit “arbitraritet të standardit”, sot gjuha shqipe përdhoset masivisht në medie me frekuenca kombëtare, televizione e radio, ku folësi i flet kombit me gjuhën e rrugeçërve, duke e pandehur atë të folme si “gjuhë të popullit”. Injoranca e gjuhës nuk është dialekt, sepse dialekti që të bëhet kulturë gjuhësore i duhet pedagogji kombëtare.
– Nuk duhet të harrojmë se “qenia banon në gjuhë”, prandaj nëse nuk e mbrojmë gjuhën shqipe si shtëpinë e qenies tonë kombëtare, atëherë përfundimisht do të përfundojmë në qenie nomade që e banojmë ekzistencën vetëm përkohësisht.
add a comment