Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE DHE VEPRIMTARI I SAJ I SHQUAR RAMADAN SHALA

LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE DHE VEPRIMTARI I SAJ I SHQUAR RAMADAN SHALA

 Fjalë e mbajtur me rastin e vendosjes së pllakës përkujtimore në shtëpinë e familjes së veprimtarit Ramadan Shala[1]

Pejë, më 27 shkurt 2023

E dashur familje Shala

Vëllezër dhe motra

1.

Jemi këtu për ta kthyer kujtimin tonë në retrospektivën historike të fillimit të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Në atë kohë dhe në kontekstin historik të saj, satrapi Rankoviq ishte në kulmin e karrierës së tij të përgjakshme antishqiptare. Kosova po rënkonte nën robërinë e egër serbe dhe jugosllave, mbasi fuqitë e mëdha më 1913 kishin bërë pazarllëqe me fatin e jetën e shqiptarëve për kënaqjen e interesave të fqinjëve të tyre grabitqarë dhe në emër të njëfarë paqeje në rajon e më gjerë.

Bota e padrejtë e kohës nuk çante kokën për vuajtjet e shqiptarëve as bënte gjë për t’i mbrojtur ata. Ishte Shqipëria që nga Kuvendi i saj më 1958 i drejtoi një reagim Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për pozitën koloniale të shqiptarëve në Jugosllavi.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare rezistonte pareshtur kundër sundimit të ri, por edhe ndjekjet e represioni shovinist serb mblidhte bijat e bijtë më të mirë të Kosovës për t’i dënuar e madje dhe vrarë, me qëllim të përjetësimit të sundimit në Kosovë dhe në trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi. Në statistikat  e fillimit të viteve gjashtëdhjetë thuhej se nga viti 1945 deri më 1960 kishin dalë para gjyqeve famëkëqija jugosllave mbi pesëqind organizata, grupe të mëdha e të vogla ose individë, të cilët janë akuzuar për “orvatje me e shkëputë Kosovën nga Jugosllavia dhe me ia bashkangjitë Shqipnisë”. Ndërkaq studiuesi  prof.. dr. Hakif Bajrami, duke shkruar për rëndësinë e Programit të LRBSH-së, thotë se  gjatë viteve 1944-1958, në Jugosllavi ishin organizuar 21.520 procese të montuara politike gjyqësore ndaj shqiptarëve.

Në shtator të vitit 1961 u nxor para gjyqit organizata e madhe çlirimtare, Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e themeluar dhe drejtuar nga veprimtarët  dhe intelektualët e shquar Kadri Halimi dhe Ali Aliu.

Dy vjet më vonë, po në shtator, u themelua organizata tjetër e fuqishme Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, nga intelektualë dhe veprimtarë të shumtë, në krye me shkrimtarin Adem Demaçi. Me t’u liruar nga burgu më 1962, Adem Demaçi i hyn veprimtarisë për themelimin e Lëvizjes, duke vënë kontaktet e para me Zeqir Gërvallën, Ahmet Haxhiun, Shaip Zullufin, Ilmi Rakovicën, Abdyl Lahun, Fazli Greiçevcin, Azem Beqirin, Arif Hoxhën, Mustafa Venharin, Ramadan Shalën, Hysen Dacin, Dibran Bajraktarin e shumë të tjerë.

Në konspiracion të thellë, në shtator të vitit 1963, në Mitrovicë, veprimtarët Adem Demaçi, Ramadan Shala, Mustafa Venhari dhe Arif Hoxha mbajtën mbledhjen themeluese të LRBSH-së. Në një mbledhje tjetër, të mbajtur më vonë në Prishtinë, me pjesëmarrjen e Adem Demaçit, Fazli Greiçevcit, Zeqir Gërvallës, Azem Beqirit e Abdyl Lahut, vendoset për emërtimin e organizatës, për hartimin e dokumenteve bazë të saj, programit e statutit, organit udhëheqës Komitetin Revolucionar, në krye të të cilit u zgjodh Adem Demaçi dhe vendime të tjera.

Më vonë u formuan komitete të qyteteve në Prishtinë, me udhëheqës Xhafer Mamutxhiku, në Mitrovicë në krye me Zeqir Gërvallën, në Gjakovë nën udhëheqjen e Kadri Kusarit, në Gjilan me kryetar Rexhep Elmazin, në Pejë me në krye Ramadan Shalën, në Shkup me kryetar Musli Kajolli etj. Në komitetet e LRBSH-së u bashkuan grupe të organizuara më parë në  Pejë, Gjakovë, Gjilan e në Mitrovicë. Ishte vendosur gjithashtu që komitete të LRBSH-së të formoheshin edhe jashtë si në  Turqi dhe në mërgatë. Në strukturën organizative të LRBSH-së ishin edhe  Këshilli Revolucionar dhe komitetet e vendit, në vendbanime më të vogla.

Organizata ishte zgjeruar shumë shpejt me anëtarë të verifikuar për atdhetari nga shumë treva të shqiptarëve nën Jugosllavi. Që në fillim ishte vendosur për veprimtarinë e saj në konspiracion të thellë, me qëllim që t’u bëhej ballë ndjekjeve kriminale policore dhe të zhvillimit normal të organizatës.

Krahas zgjerimit të saj, organizata vepronte për sqarimin e qytetarëve mbi gjendjen nën robëri dhe nevojën e kundërshtimit e rezistencës kundër regjimit pushtues.

Organizata kishte vënë kontakte edhe me përfaqësues e diplomatë të Shqipërisë, duke marrë nga atje detyra dhe udhëzime dhe duke e njoftuar Tiranën zyrtare  me organizatën, me programin e statutin dhe veprimtarinë e saj.

Nën kushte të rënda të represionit dhe të gjendjes materiale, organizata ndërmerrte edhe veprime konkrete të propagandës e agjitacionit revolucionar.

Është sidomos  i njohur aksioni i madh i LRBSH-së kryer në tërë Kosovën me ngritjen e flamujve kombëtarë shqiptar dhe shkrimin e parullave mobilizuese. Për këtë aksion kishte vendosur Komiteti Revolucionar në fillim të prillit 1964 dhe pas përgatitjeve teknike e ndarjes së detyrave, në natën midis 12 dhe 13 prillit 1964, ishte zbatuar, duke filluar në orën 22:00. Do veçanërisht të theksohet këtu ideja e veprimtares Nefise Qerimi, e cila pasi e kishte qëndisur vetë një flamur kombëtar, kërkoi që të vendosej mbi varrin e veprimtarit të shquar, dëshmor i kombit, i mbytur në burg, Shaban Shala.

Organizata kishte vendosur dhe hartuar dy dokumentet themeltare të saj Programin, në janar të vitit 1964 dhe Statutin, në mars 1964. Në përvojën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trevat e ripushtuara pas LDB, këto dy dokumente programatike dhe statutore ishin deri atëherë më të avancuarat me përmbajtjen dhe nivelin intelektual, por edhe me përcaktimin e qartë e parimor të objektivave historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare në përgjithësi.

Është tashmë i mirënjohur neni 1 i Statutit që përcaktonte: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethënë, qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë.”

Sikur edhe nga organizatat para saj dhe pas saj, LBRSH si mjete për arritjen e qëllimeve, përcaktonte përveç mënyrave paqësore të veprimit edhe luftën e armatosur, në formë të kryengritjes popullore.

Në Program thuhej decidivisht se “zgjidhja e çështjes shqiptare nuk mund të vendoset nga jashtë dhe nga lart”.  Nga jashtë Kosovës dhe nga lart ishte vendosur më 1945 që Kosova me “vullnetin e saj” t’i aneksohej Serbisë. Historiani i njohur, Noel Malcolm ka shkruar: “Sikur më 1945, edhe me 1974 statusi politik i Kosovës u vendos nga lart.”

Pas aksionit të gjerë me flamuj që bëri bujë në Kosovë dhe jashtë saj, UDB-ja e Rankoviqit ra në gjurmë të organizatës dhe burgosi shumë veprimtarë të saj, duke dënuar mbi 50 prej tyre me dënime drakonike burgimi dhe qindra të tjerë për kundërvajtje.

Dënimi i LRBSH-së pati jehonë të gjerë edhe në botë, me ç’rast edhe njëherë u bë e njohur çështja e pazgjidhur shqiptare në Jugosllavi.

Rëndësia historike e LRBSH-së qëndron në kontekstin e rëndë historik për shqiptarët kur u organizua; në gjerësinë e shtrirjes së radhëve të saj në gjithë gjeografinë e pushtuar shqiptare; në drejtësinë dhe legjitimitetin e pakundërshtueshëm të çështjes që ajo përfaqësonte; në vullnetin e hekurt, besnikërinë dhe vendosmërinë e anëtarëve të saj; në fatin që kishte të themelohej e të udhëhiqej nga korifeu Adem Demaçi, zemra e të cilit rrahu tërë jetën për kombin e tij të shtrenjtë; në shtyrjen e çështjes kombëtare përpara drejt demonstratave historike popullore të vitit 1968; dhe në përvojën e pasur e të thellë që ua la pas brezave të rinj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare deri te UÇK-ja e lavdishme.

2.

Zonja dhe zotërinj

Për këtë veprimtari të përkujtimit dhe të mirënjohjes ndodhemi në familjen e atdhetarit të madh e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ramadan Shala. Kam nderin e veçantë të flas sot para jush pikërisht në këtë familje  për përfaqësuesin e saj e të Kosovës, për burrin e madh të lirisë, Ramadan Shala.  Këtu, në shtëpinë e vet, për disa ditë pune intensive, nga data 27 deri më 31 janar 1964  Ramadan Shala bashkë me drejtuesin e LRBSH-së, Adem Demaçi, hartuan Programin e kësaj organizate që bashkë me Statutin e shkruar më vonë nga Adem Demaçi, përbënin dokumentet themeltare të orientimit dhe veprimtarisë, të organizimit dhe strukturimit, të teknikave të kësaj veprimtarie dhe të kodifikimit të jetës së  brendshme të organizatës.

Ramadan Shala lindi më 15 janar 1934 në Pejë, nga një familje me traditë shumë të gjatë atdhetare dhe sakrifikuese për liri. Ramadani si pinjoll i denjë i saj e vazhdoi traditën e familjes me përpjekje e angazhim të pareshtur tërë jetën e tij në shërbim të lirisë së popullit të vet, duke sakrifikuar shëndetin dhe jetën deri në vdekje më  12 shtator 2004 në Malmo të Suedisë. Pas ndarjes nga jeta, Ramadani ka lënë gruan e tij besnike të idealit, Gjylfidane Kelmendin me të cilën ishte martuar më 1971 dhe dy vajza e katër djem.

Ramadan Shala kishte mbaruar shkollimin e lartë dhe ishte formuar si veprimtar intelektual me dije dhe kulturë të gjerë.  Para se të aderonte në LRBSH, Ramadan Shala vepronte në një grup tjetër të organizuar me karakter çlirimtar, Bashkimi Territorial i Shqiptarëve, i cili u bashkua me Komitetin e Qytetit.

Në LRBSH, Ramadani ishte kryetar i Komitetit të qytetit të Pejës me rrethinë dhe nënkryetar i organizatës, duke qenë figura më e lartë e saj pas kryetarit Adem Demaçi. Në Komitetin e Pejës, anëtarë ishin edhe veprimtarët: Remzi Baloku, Sylë Shala, Abdyl Shala, Vesel Morina, Shefqet Deçani, Niman Podrimja, Ahmet Zeka, Ejup Kastrati, Mehmet Krasniqi dhe Nezir Gashi.

Pas zbulimit të veprimtarisë së organizatës LRBSH në qershor të vitit 1964, Ramadan Shala arrestohet dhe dënohet me 14 vjet burgim të rëndë. I torturuar rëndë deri buzë vdekjes, ai i mbajti shtatë vjet burg në kushte mesjetare, në Lepogllavë, në Nish dhe në Mitrovicën e Sremit.

Duke qenë i vendosur dhe i pamposhtur në betimin e tij, Ramadani nuk jepet, por vazhdon veprimtarinë çlirimtare dhe arrestohet e dënohet disa herë nga regjimi pushtues, si më 1981, kur izolohet në burg disa muaj dhe më 1986, i organizuar me disa të rinj në një organizatë tjetër çlirimtare, arrestohet sërish dhe dënohet në moshën mbi 50 vjeç me gjashtë vjet burgim të rëndë. Pas mbajtjes së burgimit, i shtrirë në spital me shëndet të rrënuar, i kthehet Kosovës dhe familjes së tij të lektisur.

Një dënim akoma më i rëndë për Ramadan Shalën ishte detyrimi që t’ia kthente shpinën Kosovës, për shkak të survejimit policor, përndjekjes sistematike dhe gjendjes ekonomike të familjes. Ai emigroi në Malmo të Suedisë, ku qëndroi me mallin për Atdhe deri në fund të jetës së tij.  Veprimtarinë e ka vazhduar edhe në mërgim, ku shkruante në revista e gazeta artikuj publicistikë dhe fliste kudo që i jepej rasti për çështjen kombëtare dhe lirinë e pavarësinë e Kosovës së tij të shtrenjtë.

Adem Demaçi e ka vlerësuar bashkëveprimtarin e tij Ramadan Shalën luftëtar të pandalshëm, këmbëngulës me orientim kombëtar.

***

Pas lirimit nga burgu në prill të vitit 1990, veprimtari i shquar Adem Demaçi, priste vizitorë në shtëpinë e motrës së tij. Ishim liruar përnjëherë. Një ditë derisa ndodhesha aty, erdhi Ramadan Shala ta vizitonte bashkëveprimtarin dhe udhëheqësin e tij. Kujtoj që në bisedë e sipër, Ramadani i pandalshëm e këmbëngulës iu drejtua Demaçit:

-“Adem kryej këto vizita dhe duhet të organizohemi përsëri për ta vazhduar luftën për Kosovën.”

– “Ngadalë bre Ramadan”, – ia ktheu ai në stilin e tij – “se ende nuk i kam tretur makaronat e burgut”.

Le të përfundoj. Ramadan Shala ishte dhe mbetet figurë politike dhe kombëtare që me përpjekjet, sakrificën dhe luftën në gjithë jetën e tij, ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës e të kombit shqiptar. Kontributi i tij madhor dhe i pareshtur për çlirimin e popullit të robëruar shqiptar dhe bashkimin e Shqipërisë të ndarë dhunshëm, emri dhe veprimtaria e tij nuk do të vdesin kurrë, sepse kujtohen me pietet, mirënjohje e respekt të pafund nga brezat e sotëm e të nesërm shqiptar.

Lavdi burrit të madh të Kosovës, Ramadan Shala dhe LRBSH-së së tij!

[1] Për këtë fjalë u shfrytëzuan:

Selatin Novosella Demaçi Lëvizja për Bashkim, 2012

Kujtime të Adem Demaçit dhe bashkëveprimtarëve të tjerë të tij

Shkrim i Adem Demaçit për Ramadan Shalën, Pashtriku.org

Shkrim dhe kujtime të Adil Pirevës për Ramadan Shalën, Pshtiku.org

Prof. dr. Hakif Bajrami, Dosja Demaç, 2004 dhe shkrim në internet për rëndësinë e Programit të LRBSH

Kujtime të autorit etj.