Lëvizja\UÇK

Fjala e Bajrush Xhemailit në zbulimin e Pllakës përkujtimore e nderimore në Familjen KELMENDI

E nderuara dhe shumë e respektuara familje e madhe Kelmendi,
Të nderuar vëllezër e motra, miq e shokë, të nderuar pjesëmarrës,
Këtë fjalë rasti, e cila m’u besua dhe që ndjehem shumë i nderuar ta paraqes para jush, po e filloj aty ku edhe fillon njohja e bashkëpunimi im, me njërin nga pinjollët më aktiv asokohe, të kësaj familje të madhe dhe emblematike të patriotizmit dhe luftës për liri, Ibrahim Kelmemdin.
Që në shtatorin e vitit 1979, po atë ditë që isha këthyer nga Zvicrra, pas një pune dymujore si student, familjes sonë, na ra mbi kokë humbja e babait. Për ceremoninë e varrimit, në odën e mixhës, ishin tubuar shumë miq e dashamirë. Ndër të tjerë, kishte qenë edhe një pejan, për të cilin më thanë se, ka rastisur këtu, pasi ka ardhë nga jashtë, ilegal, si udhëheqës i organizatës atdhetare Frontit i Kuq Popullor dhe se është emigrantë politik. Pra ky ishte Ibrahim Kelmendi, i cili e lexoi një fjalë mortore për babain tim dhe, në mbrëmje, e mbajtëm një mbledhje për formën e bashkëpunimit të mundshëm të organizatave tona, apo edhe bashkimin e tyre eventual e , pastaj, pas një aktiviteti brenda, Ibrahimi u kthye në Gjermani.
Që atëherë, 44 vjet më parë, kemi vazhduar bashkëpunimin me Kelmendët, në rrethana e situata të ndryshme, për lirinë e këtij vendi.
Vëllezër e motra,
Sot, pas sa e sa vitesh veprimtari të pashkëputur atdhetare. jemi tubuar këtu për të vendosur një pllakë që të shënojmë një vend tepër të vecantë,te kulla e Kelmendëve të Llabjanit.
Kompleksi i objekteve të vendbanimit të Kelmendëve, ku po vendosim sot këtë pllakë, ishte një ndër bazat më të njohura të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.
Nuk mund të jetë e plote historia e Kosovës pa u përmend bijtë e bijat që u rritën në këtë vend ku jemi sot.
Ende e kemi të freskët dhembjen dhe humbjen e pazëvendësueshme, jo vetëm të Kelmendëve, por të të gjithë shqiptarisë, të pjesëtarit të kësaj familje, heroit të kombit Qerim Kelmendit, bashkëluftëtarit të Adem Jasharit, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqit, Ilir Konushevcit, Mujë Krasniqit…
Qerimi, ndonëse ishte ndër më të rinjtë ndër Kelmendët e Llabjanit, atij largë ju dëgjua krisma e pushkës clirimtare. Megjithatë, ai po ndiqte një rrugë që, Kelmendët më në moshë, e kishin nisur shumë më herët.
Pjestari tjetër i kësaj familje, Ibrahim Kelmendi, është njëri nga udhëheqësit që mori pjesë në themelimin e Lëvzijes Popullore të Kosovës, në janar të vitit 1982, bashkë me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën.
Pastaj, Muhameti, një pjesëtar tjetër i Kelmendëve, në vitet ’90-ta, ishte Nënkryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Mustafa, Zeneli, Ibrahimi, Ademi, Osmani, Qerimi, Lusha, Dauti e Nena Nokë dhe gjithë vuthjanët e Llabjanit u përfshinë në Lëvizjen Popullore të Kosovës, në Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, në Luftën e UCPMB-së dhe Ushtrisë Clirimtare Kombëtare n’Maqedoni.
Në këtë vend, ku jemi këtu, qarkulluan veprimtarë e luftëtarë të panumërt. Kulla e Familjes Kelmendi, për shkak të veprimtarisë së gjatë patriotike, që nga periudha e luftës së Dytë Botërore, deri në periudhën e Luftës së Lavdishme të UÇK-së, ishte streha e konaku dhe magjeja e sofra e shumë veprimtarëve e luftëtarëve më në zë të kohës.
Veprimtaria e Mësuesit patriot Imer Vuthi, veprimtaria e gjatë e Ibrahimit në perëndim, bashkë më vellain Mustafën, më pastaj e Muhametit në Kosovë dhe në perëndim, si edhe e Zenelit me vëllezërit dhe kushërinjtë në Kosovë e perëndim, bëri që policia jugosllave, familjen e madhe Kelmendi, sistematikisht ta ndjekë e ta bastisë, ta prangosë e torturoj dhe ta izoloj në vazhdimësi. Por familja Kelmendi nuk u thye, e nuk u zbraps kurrë, perkundrazi, po forcohej edhe më shumë.
E, megjithë survejimin e pandërprerë të kësaj kulle, shumë veprimtarë nga të gjitha trevat, e patën guximin të jenë pjesë e shtëpisë së familjes Kelmendi dhe të ndajnë, bashkë me ta, vuajtjet dhe ecjen drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar.
Veprimtarë dhe luftëtarë që bashkuan veprimtarinë me familjen Kelmendi në Llabjan janë të shumtë, siç ishin: nga Shtabi i Luftës Nacional Çlirimtare të shtetit amë, ne vitin 1943/44, ku në këtë kullë kanë qenë kapiten Rudi, kapiten Selimi dhe Mehmet Shpendi, e nga Kosova Alush Gashi me të tjerë; kurse, në historinë më të re, në këtë kullë, ishin figura të shquara, si Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi, Hysen Dreshaj, Gëzim Sejdiu, Xhemajl Fetahu, Xhevdet Cenë Kelmendi, Feriz Kuçi e shumë luftëtarë të tjerë; mandej, këtu ishin edhe shumë atdhetarë të mëdhenjë të qështjes kombëtare si Adem Demaçi, Murteza (Xajë) Nura, Rexhep Qosja, Teutë Hadri, Ilmi Ramadani, Shaban Uke Kelmendi, Sulejman Broqi, Malush Ademaj, Shemsedin Hadri, Ramadan Shala, Demë Fetahu, Vehbi Fetahu, Rexhep Kelmendi, Ibish Gashi, Nezir Gashi, Jashar Salihu, Adem Graboci, Sadri Elez Ibërdemaj, Rexhë Ibërdemaj, Isa Demaj, Hydajet Hyseni, Ali Lajçi, Binak Ulaj, Zymer Neziri, Anton Çeta, Nasim Haradinaj, Taip Zeka, Dukagjin Gervalla, Avdyl Gervalla, Xhevat Zeka, Qazim Zeka, Idriz Blakaj, Xun Çetaj , Qaush Çetaj, Shemsi Reçica, Avdi Kelmendi, Dinore Curri, Bajram Binaku, Skender Hyseni, Ibish Neziri, Sylejman Haxhiaj, Adem Loshi, Blerim Muriqi, Shaban Vishaj, Arben Kadriu, Osman Haxhiaj, Nustrete Haxhiaj, Emrush Xhemajli, Bajrush Xhemaili, e shumë e shumë veprimtarë të tjerë.
Krejt në fund, shprehi mirënjohjen time për punën e palodhshme të Shoqërisë Lëvizja, ashtu si edhe për organizimin e shpalosjes së kësaj pllake mirënjohjeje, shenjë e qëndresës shqiptare.
Lavdi, për të gjithë ata që ranë për liri!
Respekt, për ata të gjallë që punuan për liri të atdheut!