Portreti/intervista

Ismet Jonuzi – Krosi: 92 – vjetori i vrasjes së albanologut kroat Milan Shuflai

ME RASTIN E 92 VJETORIT TË VRASJES SË ALBANOLOG KROAT DR. MILAN SHUFLAJ (ALBA LIMI) (1879-1931)
Milan Shufllaji, u lind në vitin 1879, në Lepogllavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa Gjimnazin Klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënës më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoraturësë, Shufllaj i rreket punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivet e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”. Këto ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. (Musa Ahmeti, “Shuflaj në dritën e të dhënave më të reja për jetën dhe veprën”, revista “Ekskluzive”, Nr. 9/2000).
Dr.Shufllaji Investimin për Albanololigjinë e nisë me një studim që e bëri të famshëm. Në moshën 24 vjeçare hasi në burime që lidheshin me të kaluarën e shqiptarëve në periudhën e mesjetës. Ndër studimet për Shqipërinë veçohen “Akte dhe Diploma”, që e ilustrojnë çështjen e Shqipërisë mesjetare, (Vëllimi I, II), botuar në Vjenë në vitin 1913-1916. Ka shkruar dy studime në gjermanisht: “Rrethanat e Shqipërisë paraturke” dhe “Fatet politike të Themës së Durrësit” si dhe studimin “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”. Më 1920, botoi veprën e parë letrare “Konstandin Balsha”, me pseudonimin “Alba Limi”. Afërsisht në këtë kohë shkruan studimin “Qytetet dhe Kështjellat e Shqipërisë në Mesëjetë” (1924), botuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës. Në vitin 1925 botoi revistën “Historia e shqiptarëve të veriut” si dhe veprën shkencore “Serbët dhe Shqiptarët”, rezultat i një pune të gjatë 20-vjeçare. La edhe shumë vepra shkencore në dorëshkrim.
Qarqet shoviniste serbe përmes njerëzve të “Dorës së Zezë” dhe xhandarerisë së kohës ekzekutuan edhe ballkanologun dhe albanologun me famë botërore kroatin Milan Shufllaj, vetëm pse në dritën e së vërtetës shkencore botoi një opus të gjerë veprash që e ndriçojnë të kaluarën mesjetare të shqiptarëve, gjë që qarqeve mbretërore serbe ua prishte planet për falsifikimin e historisë.
Likuidimi i dr. Milan Shufllajit, ishte e planifikuar shumë mirë nga qarqet më të larta shtetërore serbe që në vitin 1927, në dosjen e “Bozha Maksimoviq-Kundak”, në të cilën, ndër të tjera, mirëfillti del se ishte bërë planiekzekutiv për likuidimin e Hasan Prishtinës, Nazim Gafurrit, Shtjefën Gjeçovit dhe Milan Shufllajit. Kjo dosje do të shpaloset më 1927, me shifrat :”N.Gafurri-populli”; “Sh. Gjeçovi-Kisha”; “M. Shufllaj-historia” dhe “H. Prishtina-Kosova”. Pra, këto shifra do të thonë se ndaj personave të theksuar duhet bërë atentate. Atentatet u bënë në kontinuitet me qëllim për ta shfarosë popullin, për ta rrënuar kishën katolike shqiptare, e cila kishte dhënë prova të mëdha atdhetarie sidomos në Kongresin Kombëtar të Alfabetit në Manastir (1908), për ta falsifikuar historinë dhe për ta sllavizuar Kosovën gjatë viteve 1928-1933. Dosja pansllaviste serbe shpaloset me likuidimin mizor të Nazim Gafurrit më 9 maj 1928, Shtjefën Gjeçovit më 14 tetor 1929, Milan Shufllajit më 18 shkurt 1931, Hasan Prishtinës ish kryeminister i Shqipërisë vritet më 14 gusht 1933… (Hakif Bajrami, “100 vjet plan për shfarosjen e shqiptarëve” punim i cituar “Fokusi”, 5 mars 2004, f.16).
Pra, dr. M.Shufllaj, vritet pas katër vjetëve më vonë më 1931. Kontributi i dr. Milan Shuflajt në fushën e studime albanologjike dhe ballkanologjike është i jashtëzakonshëm dhe, ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanëshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare duke nxjerrë në dritë dokumente dhe të dhëna shumë të çmuara për këtë periudhë pothuajse të pa hulumtuar fare. Në këtë mënyrë ai, tejkalon studimet e vjetëruara, të njanshme dhe tendencioze të studiesve sllavë, grekë, bullgarë, e të tjerë. (Musa Ahmeti, “Shuflaj në dritën e të dhënave më të reja për jetën dhe veprën”, revista “Ekskluzive”, Nr. 9/2000)
Problemet me policinë janë pjesë përbërëse e jetës së dr. Shufllajt. Në dhjetor të vitit 1920 burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysëm burg, të cilat i vuan në Mitrovicën e Sremit. Sipas disa të dhënave më të reja, të zbuluara në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb, dr. Milan Shufllaj është njëri ndër shkenctarët e rrallë në botë, që është përcjellur çdo hap nga ana e policisë, e jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët ka kontaktuar, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e tij më të ngushtë. Një mbikqyrje e tillë ka filluar në fillim të vitit 1928, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht është përcjellur vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Me raportet nga mbikqyrja, njoftohej drejtpërdrejt kryeministri, Petar Zhivkoviq, e më vonë pasardhësi i tij, Millorad Srshkiq në Beograd dhe vetë mbreti, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëviizjet e shkentarit të madh. Gjithmonë sipas dr. Musa Ahmeti, “Shefllaj në dritën e të dhënave më të reja për jetën dhe veprën” (Revista “Ekskluzive”, Nr. 9/2000), në vitin 1929, Akademia Austriake e Shkencave i propozon dr. Milan Shufllajit që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë nisiativë e përkrahu edhe Qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të heqë shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme.
Dr. Milan Shufllaj, ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Sapo kthehet nga Shqipëria vritet nga dora e kriminelëve serbë, duke lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhen në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb, për të cilat shpresoj se shkencat shqiptare do të tregojnë interesim që t’i marrin në shqyrtime e t’i botojnë.
Dr. M. Shufllaj, së pari i spionuar, pastaj i kërcënuar dhe i burgosur, profesori përgjohej vazhdimisht, madje edhe ditën kur e rrëmbyen nga shtëpia dhe u gjetë me kafkën e coptuarnë një rrugë të Zagrebit. Ai kishte pas marrë një letër ku i njoftohej ekzekutimi i tij i afërt. Kjo letër mbante vulën e organizatës së quajtur “Për Mbretin dhe Atdheun”, e afërt me Mllada Jugosllavinë (Jugosllavia e Re) dhe ngushtë përkatësisht rreptësisht e kontrolluar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga ajo e Luftës. (Mirko Grmek, Marc Gjidara dhe Neven Shimac, “Spastrimi Etnik-Dokumente historike mbi një ideologji serbe” f.128)
Në mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 1931, aty rreth orës 20, në rrugën “Dalmatinska” nr.6 në Zagreb, dr. Milan Shufllaj goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdes të nesërmen më 19 shkurt 1931. Vrasësit ishin Branko Zerger, Lubomir Bellosheviq dhe Sveto Veçerina. Këta kishin marrë urdhër nga Beogradi, që ta likuidonin profesorin M. Shufllaj. Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare ishin shkaqet themelore që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë. Menjeherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjith dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrimeve si duket janë humbur përgjithmonë, ngase edhe sot e kësaj dite nuk u gjejmë ndonjë gjurmë.
Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre si: “Tribuna”, Romë; “Berliner Tegblat”; Neë York Times”; Frakfurter Zeitung”; “Arbënia”, Tiranë; “Vullneti i Popullit”, Tiranë e tjera. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si; Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Jozef Bajza, dr. Max Hilderbert Boehn, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica si dhe Ligue Internationale des Droits des L’Homme, Federation Universitaire Internaionale.
Kështu me vrasjen e Shufllajit, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë. Studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË ALBANOLOGUT, MILAN SHUFLAJ (1879-1931)