Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Kërkime poetike

KËRKIMET POETIKE
(Letrat), 14
Arketipat homerikë, danteskë, biblikë dhe ata letrarë, vijnë e zbresin në kohën e në qenien e poetit, në trajtën e një lutjeje shpërthyese, revoltuese, tërë pelin. Miti i vargjeve kthehet në Mit Historik të epikës së përgjakshme, kurse… Miti letrar shndërrohet në ilaç të hidhur të ekzistencës.
Sa rrugë të mundshme e kalvare personale u dashka për t’u liruar shpirti! Për të qenë i lirë vetvetja, për lirinë e të tjerëve! Për të qenë të lirë edhe të tjerët! Ligjërimi poetik shqiptohet si urdhër i brendshëm moral (drejtuar vetes im/personale),
1.
Në antikën greko-romake poezia këndohej dhe ajo nuk mund të përfytyrohej pa këngën, pa melodinë, pa ritmin dhe rimën…. Këtë ideal antik e përvetësuan të gjitha epokat letrare, duke shtuar diçka e duke hequr diçka…. E fisnikëron edhe Epoka Moderne, që nga Renesanca e këndej, duke e ruajtur klasicitetin poetik (klasiciteti këtu nënkupton VLERËN E PARME POETIKE… A nuk shkruanin kështu Lasgushi, Noli, apo më vonë Agolli e Pano Taçi, në Kosove Sabri Hamiti etj. etj.).
2.
Gjeneratat poetike ndërrojnë njëra-tjetrën.
Poezia qëndron në kapërcyell moshe: midis dëshirave të një të riu ëndërrimtar dhe përplasjes me realitetin, me vetveten, së andejmi të futesh në misteret e labirintet e njohjes e të vetënjohjes. Shfaqen me ligjërim të sinqertë dëshirat romantike, ndërsa në fund ndodh një thyerje befasuese lirike; një lirizëm psiko-meditativ, një përleshje me fantazmat, hijet, shembjet e dëshirave dhe çlirimi i vetvetes nga to, për të dalë në dritë të diellit si qenie e lirë.
Mandej vjen loti i ndarjes, aq i rëndë. Ç ‘është ky hendek bote që ndan njerëzit, në këtë rast, dy protagonistët e dashurisë? Hendeku-botë… togfjalësh i gjetur poetik për ta shqiptuar dramatiken e ndarjes. Skenat e ndarjes, fiksohen nëpërmes largimit të ngadalshëm, shikimeve të ndërsjella që mbesin gjithnjë aty…te shpirti i njeriut… Sikur ky hendek-bote nuk mund ta tresë këtë shikim… d.m.th. nuk mund ta tresë ndarjen!
3.
Poeti peizazhon.
Të duket sikur peizazhi poetik, aq i ndërliqshëm e modern, sado që mban zi për përfundimin e ciklit vjetor (si do të këndonte Dikinson), për t’ia dorëzuar fundit kremtet e veta të fryteve, pajën e vet të ekzistimit, ende përplaset e shqetësohet: ajo dhuron, por edhe dëshiron të pranojë dhuratën e ekzistimit gjallërues… Në letërsinë e përbotshme vjeshta kremton të lashtat dhe mban zi për përfundimin e vitit… Metaforika e vjeshtës për fazën e pjekurisë së jetës, këtu, sikur ajo kërkon jo këndimin elegjiak (subjekti-vjeshtë frikësohet, si vetë ekzistenca jonë…), por një këndim të Odës, sikurse të Sheley, (“Odë erës pernëdimore”)…. E, megjithatë, toni elegjiak i drithërimës ekzistenciale i përshkon dhe iu bie kryq e tërthor vargjeve-ide-përshkruese…
Pritet të vijë e blerta.
E blerta simbolizon lulëzimin, rigjallërimin, përtëritjen shpirtërore, shteg-kërkimin dashuror… Aty fekson edhe imagjinata, miti popullor për zanën.
Në vend të epilogut vjen një prolog i bukur kërkimesh të blerta (poetike).
(Rishkrime, 3 shkurt 2023)