Histori

17 maj 1941 – 82 vjetori i atentatit ndaj perandorit të Italisë fashiste

17 Maj 1941- 82 vjetori i atentatit mbi Perandorin e Italisë fashiste 17 Maj 2023 –
Vasil Laçi, Hero i Popullit
Vasil Laçi, lindi më 19.9.1920 në fshatin Piqeras të Sarandës. Është fshat me kontribute atdhetare, ka 12 dëshmorë të LANÇ, duke përfshirë 2 Heronj të Popullit, Vasil Laçin dhe Mitro Xhanin.
Vasil Laçi shkollën fillore e kreu në vendlindje. Dëshira e Vasilit dhe e prindërve të tij për të vazhduar shkollën e lartë nuk u plotësua, sepse regjimi shtypës zogollian nuk i mbështeste masat e varfra. Vetë familja nuk kishte mjete financiare për të përballuar shpenzimet për shkollimin e birit të vetëm, Vasilit. Varfëria ekonomike e familjes Laçi, e detyroi Vasilin të fillonte punë krahu në portin e Sarandës, e cila për moshën e vogël të djaloshit, rreth 14 vjeç, ishte e rëndë dhe tepër lodhëse, gati 12 orë punë në ditë me shpërblim të vogël. Por për adoleshentin ishte hapi i parë në jetë i njohjes së shfytëzimit kapitalist, përballja me vështirësitë e jetës së rëndë. Punën e krahut Vasili e vazhdoi për 12 vjet rresht. Nga Saranda në portin e Durrësit e Tiranë, duke u përballur me shfrytëzimin e egër kapitalist të dyfishtë, atij vendas dhe të huaj. Në Durrës, Vasili punoi hamall. Atje ai u takua me Mitro Xhanin, fshatarin e tij, i cili e ndihmoi për të shkuar në Tiranë me shpresë për të gjetur ndonjë punë më të lehtë, por edhe për të mundësuar lidhjen e tij me aktivistë revolucionarë. Në Tiranë Vasili punoi në Hotel Berati si pjatalarës. Ai mbante lidhje me Kol Laçin, kushëriri i tij, anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Vasili hotelin e kishte kthyer në një strehë për të ndjekurit nga fashizmi italian, për punëtorë të papunë, ushtarë të dezertuar nga lufta italo-greke e viteve 1940-1941. Ai me guxim fliste, argumentonte pakënaqësitë që kishte shkaktuar fashizmi italian për mohimin e lirive, grabitjen e pasurive, rritjen e varfërisë ekonomike, por edhe për shtypësit e shfrytëzuesit kapitalistë vendas. Në Hotel Berati, Vasil Laçi u lidh me Vasil Shanton, shok dhe mik i ngushtë i Qemal Stafës. Vasili në aktivitetin revolucionar, bërjen e atentatit më 17 maj 1941 kundër Viktor Emanuelit III, u lidh me Stilo Mekshin nga Shënvasili, Sarandë. Stillua i bleu Vasilit revolverin “Beret” me 5 fishekë, 50 franga ari me paratë e veta tek një ushtar italian i quajtur Umberto. Ky e mbrojti Vasil Laçin në gjyq, duke treguar se kishte porositur Vasilin për blerjen e revoles. Vasili gjatë përgatitjes së atentatit e ruante të fshehtë revolen para aksionit. Atë e kishte fshehur në dyshemenë e dhomës, e vajiste, e pastronte vazhdimisht, shpjegonte bashkëpunëtori i tij i ngushtë Stillo Mekshi. Vasili i thoshte Stillos: “Beretin e duam që të ruajmë kokën dhe për neve do të vijë një ditë e mirë që nuk do të punojmë gjithë jetën për të pasurit”. Stillua tregonte: “U dëgjua një autoparlant me thirrjen që nesër vjen mbreti në Tiranë. Dil e bëj sehir ti, tha Vasili, sepse unë do të dal ta përcjell kur të largohet. Dhe vërtet e përcolli me 5 plumba”. Ditën e ballafaqimit në gjyq, Vasili u shpreh: “Mos merrni njeri në qafë! Unë e kreva vetë atentatin dhe askush tjetër.”
Ushtari italian Umberto në gjyq deklaroi se pistoletën e shiti, sepse nuk kishte para për të ngrënë dhe për të fjetur.
Stillua vijon: “Më pyetën mua nëse pranoja thënien e ushtarit. Vasili, pa ia dhënë fjalën, tha: Unë i thashë Stillos që ta blente revolverin, ndaj ai si dhe Umbertua nuk kanë faj”.
Vasil Laçi u gjykua nga gjykata ushtarake e shtetit fashist italian. Trupi gjykues drejtohej nga gjeneral Feruci, prokuror i akuzës ishte gjeneral-major Umberto Meragini. Ky gjyq u bë me dekret të posaçëm mbretëror. Vendimi ishte i formës së prerë, nuk u lejua të bëhej apel. Më 26 maj 1941, Vasil Laçi u dënua me vdekje, varje në litar. Ai u ekzekutua në 27 maj 1941, ora 5.40 në burgun e Tiranës. Pyetjes së trupit gjykues për dëshirën e tij të fundit, Vasili iu përgjigj:
– Dua një krëhër për të krehur flokët!
Gjatë ekzekutimit me varje Vasili nuk pranoi t’i largonin arkën e sigurisë së ekzekutuesit, por e shtyu vetë me këmbë.
Më 17 maj 1941, kur mbreti italian po largohej nga vizita njëjavore në Shqipëri, Vasili si një dragua qëlloi mbi të me 5 plumba, por nuk e vrau dot. Për mendimin tim mbreti nuk u vra fizikisht, por moralisht u diskreditua. Atentati i Vasil Laçit mbi Perandorin e Italisë fashiste ishte një shkëlqim atdhedashurie dhe urrejtje kulmore për pushtuesit fashistë, ishte akt frymëzimi për brezat. 5 plumbat mbi mbretin fashist ishin thirrje për kryengritje të armatosur si i vetmi mjet i fitores së lirisë dhe të drejtave të tjera kombëtare. Ishin akt trimërie, vetëmohimi për interesat e përgjithshme që Vasili i dinte pasojat, por ishte i ndërgjegjshëm për misionin e lartë që kreu mbi armikun pushtues. Krismat e revolverit gjëmuan në Tiranë, por u dëgjuan në të gjithë Shqipërinë. Jehona e tyre u përhap në të gjithë botën si rrufe. Ato krisma ishin një simbol trimërie, burrërie, vendosmërie për t’i dalë zot Atdheut. Trimëria e Vasilit nuk u shkreh vetëm në atentatin mbi mbretin, por edhe me qëndrimin e tij plotësisht të heshtur që mbajti gjatë hetimit. Ai nuk kallzoi asnjë njeri dhe e pranoi se e kishte kryer vetë atentatin nga urrejtja për pushtuesit. Torturat e shumta nuk mundën ta thyenin. Ai edhe para priftit që dërguan hetuesit fashistë për të kërkuar falje apo pendesë prej Zotit, qëndroi mbi këto, nuk u lëkund për aktin e kryer. Akti madhor shkëlqeu si yll karvani në Atdheun shqiptar.
Kuvendi Popullor e ka dekoruar Vasil Laçin me titullin më të lartë Hero i Popullit.
I përjetshëm kujtimi i Tij!
Lavdi LANÇ!
Myslim Bishaj
Bir dëshmori
(Marrë nga gazeta “K.brezash”, botuar në 26 maj 2016)