Komenti

Xh. Gjini: SHAKAXHINJTË E “ATENTATEVE – VRASJEVE” POLITIKE

SHAKAXHINJTË E “ATENTATEVE – VRASJEVE” POLITIKE
Kjo puna e “atentateve – vrasjeve” politike, që paska planifikuar dikush, në situatën dhe pozitën që ka Kosova dhe kombi shqiptar ma kujton atë thënien e urtë: “Fshati digjet e kurva krihet”!! Të gjithë ne kishim menduar se loja e pistë me kërcënime për atentate ishte harruar në Kosovën shqiptare… Por qenkemi mashtruar. Karta me kërcnime për vrasje qenka akoma në lojën e pistë të partive politike që janë bërë një me “vlerat programore”, me konceptin dhe metodat e përdorura nga LDK – ja e vjetër dhe e re për një dorë vota!! Thanë që një shërbim i huaj, gjatë përgjimeve, paska dëgjuar një mërgimtar shqiptar duke përmendur emra politikanësh (u thënçin politikanë) që, medemek, do t’i vras!!? Qesharake! Ky shërbim, dhe cilido shërbim tjetër, të këtilla biseda telefonike do të dëgjonte shumë… Sa njerëz ka gjatë ditës që në komunikimet e tyre telefonike përmendin emra politikanësh (të rinj e të vjetër), të cilët, sipas tyre, “duan kajt nënën” (nuk po shprehem tamam si shajnë shumë prej tyre), “duan vjerr në litar”, “duan vrarë”, “duan…” e ç’nuk duan. Të tilla biseda (të kësaj natyre) bëhen edhe në shumë kafene, në ndeja (kur nxehen militantët kundërshtarë partiakë!), etj. Madje, në rrjetet sociale lexon plot komente të mbushura me urrejtje e kërcënime për politikanë të caktuar të partive, me emër e mbiemër! Prandaj, dua t’ju them lerëni shakat me “atentate – vrasje” të imagjinuara e të shpikura për përfitime politike se u ka dalur boja dhe u ka ikur koha! Bëhuni shpinë për shpine (pozitë e opozitë) për shkëputjen – pavarësimin e plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia, shpëtimin nga “bosnizimi” – entiteti serb në Kosovë! Bëni diçka për Kosovën Lindore dhe për popullin e saj shqiptar! Kërkoni për Kosovën Lindore krejt çka po kërkon Serbia për pakicën serbe në Kosovën shqiptare! Bashkërendojeni dhe unifikojeni Politikën e jashtme dhe atë të Mbrojtjes me shtetin tonë (anëtar i OKB – së dhe i NATO – s! Hiçni dorë nga grindje e përçarjet, sepse Kosova me këtë klasë politike gjelash dhe me këto media të mercenarizuara rrezikon të “dominohet” nga kaosi dhe pasiguria, që do t’i interesonin vetëm Serbisë dhe të rekrutuarve e miqve të saj! Përkushtohuni dhe angazhohuni me të gjitha energjitë tuaja të kemi një shkollë që do të jetë vatër e dijes, kulturës dhe emancipimit tonë kombëtar, që të jetë bazë dhe krah i fuqishëm i zhvillimit dhe përparimit tonë në shkencë, teknologji dhe ekonomi! Përqendrohuni, përkushtohuni dhe angazhohuni që Kosova dhe populli i saj të mbeten në shtratin kombëtar, të ruhen nga ndikimet e huaja agresive, sidomos, ato që po bëhen në emër të religjionit, kulturës, letërsisë, ekonomisë, politikës dhe artit! Politika dhe angazhimi i secilës parti dhe shoqatë, por edhe i secilit shqiptar duhet të jetë mbrojtja e lirisë dhe pavarësisë së fituar me shumë përpjekje, mund, luftë e gjak nga kombi shqiptar. Partitë politike duhet ta kuptojnë se nuk mund të ketë liri, prosperitet dhe siguri për to në një Kosovë të përçarë, të dobët dhe vasaliste! Liria dhe pavarësia e plotë e Kosovës nga Serbia është kusht sine que non edhe për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare… Prandaj, nuk ka detyrë më të rëndësishme sot dhe më fisnike se angazhimi dhe ndihmesa për unitet politik e kombëtar! Rroftë Kosova e lirë dhe e pavarur nga Serbia! Rroftë kombi shqiptar!