Vështrim/Analizë

MIGJENI për urimet e festave

MIGJENI:
Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejnë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.
Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekt dhe t’u uroj shokëve të mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë.
Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?
E gjuha në vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.
Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashuninë shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).
Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.
Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht!
E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht.
[Millosh Gjergj Nikolla / MIGJENI, dhjetor 1936.]
(Tekstin e huazova nga profili i Mikeshës Shpresa Frey.)
***
Meqë ca shqipfolës hibrid, – simulojnë besimtarë myslimanë dhe katolikë, – irritohen nga emri Milosh, prandaj kanë hangër mjaltë herë pas here se Migjeni është sllav, po ofroj informacionin:
Kur u mora me tematikën e Shqiptarëve ortodoksë në Makedoni (2006-2014), rastisi të informohen se Migjeni ishte nga Reka e Eperme (masiv bjeshkësh në mes të Gostivarit dhe Dibrës). Prindët e Migjenit kanë qenë bashkëfshtarë me Rilindasin Josif Bageri, në Nistrovë. Janë shpërngul në Dibër. Babai, Gjergji, ka punuar disa vite nallban. Djalin e tij, Miloshin, e ka dërgua për shkollim në Manastir.
Meqë muratorët rekali janë angazhuar në Shkodër e rrethinë si muratorë guri, edhe Gjergji iu është bashkëngjit për fitim më të madh. Dhe kështu ka ndodh emigrimi familjar nga Reka e Epërme (Makedoni), në Shkodër. Miloshi (MIGJENI) punësohet mësues në Pukë…
***
Meqë për herë të parë po e lexoj këtë “urim” për Vitin e Ri 1937, shkruar nga Migjeni, po e përdor për urim publik për Vitin e Ri 2023 të gjithë Miqve që po i përcjellin shkrimet i mi në facabook.
[ibrahim Kelmendi]