Komenti

Xh. Gjini: Po të ishim kundër Gjykatës speciale antishqiptare

PO TË ISHIM KUNDËR GJYKATËS SPECIALE

Po të ishim kundër Gjykatës speciale nuk do të lejonim fushatën dhe linçimin (“gjuetinë e shtrigave”) e luftëtarëve dhe oficerëve komandues të UÇK – së!! Po të ishim kundër Gjykatës speciale nuk do të lejonim gjykatat e UNMIK – EULEX – it t’i persekutonin, arrestonin e dënonin me shumë vite burg luftëtarët dhe oficerët e lartë të UÇK – së me dosje dhe ligje të Jugoserbisë!! Ragimi i vetëm i pushtetarëve dhe partive politike pas dënimit të grupit të radhës të luftëtarëve të lirisë ishte: Askush mbi ligjin!! I binte që në Kosovën e lirë ligjin e bënë UNMIK – EULEX – i me asistencën e Beogradit dhe të bashkëpunëtorëve të tij shqipfolës dhe ne e respektojmë!!

Po të ishim kundër Gjykatës speciale nuk do ta themelonim (votonim) me dy të tretat e votave të Kuvendit të Republikës!! Po të ishim kundër Gjykatës speciale nuk do ta bënim Kryetare të Republikës Vjosa Osmanin që e kishte votuar krijimin e kësaj Gjykate antishqiptare me një entuziazëm të paparë (me shumë kolegë e kolege)!! Më e vogla që mund të bënin, po të ishin kundër Gjykatës Speciale, ata që e votuan do të kërkonin falje, sidomos këta “analfabetët”, që po thonë se ishin të “mashtruar” (sikur nuk dinin shkrim – lexim për ta lexuar ligjin për Gjykatën që ishte mbi shtetin?!! Apo ishte ligj me rreth 40 faqe e nuk kishin kohë ta lexonin deputetët e shefave të partive?!!). Deri sot vetëm Duda Bala dhe Adem Graboci kanë kërkuar falje publikisht për “gabimin” e pafalshëm që kanë bërë kur e kanë votuar Gjykatën raciste dhe antishqiptare…

Po të ishin kundër Gjykatës speciale të dyshuarit dhe të akuzuarit prej saj do të deklaronin prerë, siç bëri Nasim Haradinaj: Nuk e njohim këtë Gjykatë dhe juridiksionin e saj! Vetëm kështu do të na hapnin rrugë të gjithëve që jo vetëm të jemi kundër saj në rrjete sociale, por edhe të angazhohemi kundër saj deri sa të zhbëhet… Po të ishim kundër kësaj Gjykate, nisma e shtetit tonë Amë për shfuqizimin e rezolutës së parlamentit të Këshillit të Evropës, që i parapriu krijimit të kësaj Gjykate suigeneris, do të mbështetejë nga çdo qelizë e Republikës së Kosovës dhe e shoqërisë shqiptare. Vetëm kështu një ditë edhe dëshmitarët (bashkëpunëtorët e Serbisë ose ndonjë i dëmtuar padrejtësisht, luftë ishte…) do të ndërgjegjësoheshin, do të tërhiqeshin dhe do ta “bojkotonin” këtë Gjykatë antishqiptare. Vetëm kështu do t’u hapejë rruga ose do të detyroheshin edhe institucionet e Republikës ta “bojkotonin” këtë Gjykatë raciste dhe Kuvendi do ta shformonte me procedurë dhe votim të rregullt… Ndryshe do të kënaqemi, siç po kënaqemi, duke reaguar e protestuar në rrjete sociale kundër dënimeve drakoniane të kësaj Gjykate, duke denoncuar Serbinë në rrjete sociale për vrasje, masakra e gjenocid, duke imituar patriotin tipik të rrjeteve sociale, kurse fqinjët tanë shovinistë dhe aleatët e tyre zbatojnë nismat dhe projektet e tyre antishqiptare me “vullnetin” e institucioneve tona dhe me dorën e “përfaqësuesve” tanë!!…