Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: TEMPULLI I SHPIRTRAVE TË VDEKUR

TEMPULLI I SHPIRTRAVE TË VDEKUR

Sali Berisha është një njeri i shenjtë për demokratët dhe është kjo cilësi e tij që do të rrisë dhe fuqizojë ortekun e lirisë që po vjen” – Klevis Balliu

Kur pashë në TV Sali Berishën me fytyrë të mavijosur nga goditja me grusht e një qytetari të papërgjegjshëm më 6 dhjetor, m’u kujtuan shumë gjëra.

M’u kujtua dhuna tridhjetë e dy vjeçare verbale që ky njeri ka ushtruar mbi këdo që s’i ka pëlqyer dhe mbi kundërshtarët e tij politikë; m’u kujtuan pritat e pafundme që ky bandit politik iu ka zënë kundërshtarëve politikë, nga jugu në veri, duke përdorur bandat e rrugës dhe, pastaj, duke i mbrojtur aktet e tyre me sloganin e tipit “socialistët nuk i duan në Shkodër…”; m’u kujtua dhuna e tij mbi deputetët kundërshtarë në Libofshë të Fierit në vitin 1994, fytyrat e përgjakura të deputetëve dhe veprimtarëve politikë të opozitës së majtë në Sheshin Skënderbej në 28 maj 1996; m’u kujtua fytyra e gjakosur dhe brinjët e thyera të gazetarit Bardhok Lala nga policia dhe SHIK-u i Sali Berishës po atë ditë, ashtu si edhe karroca me rrota në të cilën qëndron prej 26 vitesh gazetari Zamir Dule i gjymtuar përjetë nga falangat berishiste; m’u kujtua fytyra e fashuar e Edi Ramës në vitin 1997 kur e plagosën dhe e lanë për të vdekur bandat e pushtetit berishist, ashtu si më erdhi në mendje edhe rrahja në Bruksel e ish-Ministrit për Integrimin, z. Paskal Milo nga banditi tropojan Sali Lusha dhe disa horra të tjerë; m’u kujtua dhunimi dhe zhdukja pa gjurmë e Remzi Hoxhës nga SHIK-u i sundimtarit, si dhe katër të vrarë e shumë të plagosur në 21 janar 2011.

Nuk mund të mos më kujtoheshin edhe fjalët e L. Bashës, i cili pohonte se “Sali Berisha nuk ka lënë kryetar të PD-së pa rrahur”. M’u kujtuan këto dhe shumë bëma e gjëma të tjera. Kujtesa u ndal tek thënia e Biblës: “Kush rrëmben shpatën, nga shpata do të vdesë”.

Mirëpo, nënvetëdija ia lë vendin shpejt vetëdijes (ndërgjegjes) dhe këtu nis arsyetimi. Akti i goditjes me grusht ndaj Sali Berishës është një akt në aspektin moral kategorikisht i papranueshëm dhe ligjërisht i dënueshëm. Ai nuk është i tillë pse drejtohet kundër një politikani të rëndësishëm, apo kundër një plaku, siç u shprehën disa me mendjelehtësi, por është i tillë sepse bie në kundërshtim me normat morale të shoqërisë dhe me ligjet e shtetit, dhe do të ishte i tillë ndaj kujtdo tjetër, pa dallime moshe, krahine, feje, ideje, etnie etj.

Ne, që kemi shumë kohë që kritikojmë dhe dënojmë aktet e panumërta të dhunës të kryera nga Berisha dhe ushtria e tij e verbër, nuk mund të mbajmë qëndrim të ndryshëm kur dhuna ushtrohet mbi dhunuesin nga dikush tjetër. Dhunuesit, ku bën pjesë edhe Sali Berisha, e kanë vendin në burg, por kurrsesi të dhunohen në rrugë.

Pak minuta pas incidentit dëgjova Sali Berishën të akuzonte Kryeministrin e vendit si porositës të dhunës ndaj tij dhe pastaj batarenë e fyerjeve, akuzave dhe kërcënimeve që goja e tij e ndyrë i lëshon prej më shumë se tri dekadash. Keqardhja për çka ndodhi ia lëshoi vendin neverisë për këtë mashtrues serial të pashërueshëm.

Duke thirrur në ndihmë kujtesën, m’u shfaqën akuzat e tij të dikurshme ndaj pushtetit të kohës për ngjarjen tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër, të cilat s’u provuan asnjëherë as nga prokurorët dhe gjyqtarët e tij shërbyes; m’u kujtua akuza e tij e vitit 1991 se autorë të një aksidenti automobilistik në Fushë Krujë ku u plagosën dy tropojanët, Elez Biberaj dhe Qemal Sakajeva, ishin agjentët e Sigurimit të Shtetit dhe që më vonë rezultoi një aksident rastësor ku makinën tjetër e drejtonte kryetari i PD-së së fshatit pranë; m’u kujtuan akuzat e Berishës ndaj Fatos Nanos si vrasës i Azem Hajdarit dhe pastaj “shfajësimi” i mëvonshëm se ato i kishte bërë “për efekte elektorale”; m’u kujtua pohimi i z. Alfred Cako, ish-aleat i Berishës në “Të Djathtën e Bashkuar”, i cili tregonte se si Sali Berisha në vitet 2000, pasi Fatmir Mediu i kishte treguar për aksidentin automobilistik që i kishte ndodhur nga pakujdesia atë ditë rrugës për Shkodër, e këshillonte ta publikonte atë aksident si vepër të Sigurimit të Shtetit.

Nuk mund të mos sillja ndërmend akuzat e Sali Berishës, 30 minuta pas vrasjeve të 21 janarit 2011 në bulevard, duke pretenduar se viktimat ishin vrarë me çadra pistoletë dhe thika me helm nga vetë protestuesit, por që më vonë u ndriçua pa mëdyshje se vrasësi ishte vetë ai, nëpërmjet pushtetit që drejtonte nga brenda godinës etj. etj.

Edhe kur dhunon të tjerët, edhe kur bëhet vetë viktimë e dhunës, ai menjëherë merr rolin e viktimës, akuzuesit, prokurorit dhe gjykatësit suprem që “di” gjithçka, paçka se nuk provon dot asgjë. Në “vendimet” e tij, fajtorët dhe autorët janë gjithmonë kundërshtarët politikë. Nuk skuqet dhe as zverdhet kur provohet se ka mashtruar, nuk ka brejtje të ndërgjegjejes kur i del në shesh gënjimi që i ka bërë një populli të tërë, sigurisht “për interesa elektorale”, siç e ka pohuar dikur. Interesat elektorale, interesat për pushtet e sundim, për të qëndrojnë mbi gjithçka tjetër, mbi moralin, të vërtetën dhe të drejtën.

Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim se Sali Berisha do të ikë nga kjo botë i turpëruar dhe do të mbesë në historinë shqiptare si falsiteti më i madh politik, por kurrë s’e kisha menduar se do të ikte edhe i rrahur. Ai e meriton plotësisht damkosjen historike, por jo dhunimin fizik.

Duhet të ikë nga kjo botë “i rrahur” nga ligjet e të mençurve dhe jo nga grushtet e të marrëve. Për çfarë ka bërë prej vitit 1990 e këtej, do të ishte e pranueshme që Sali Berisha të mos guxonte të kalonte pragun e shtëpisë së tij, por kjo nuk i jep të drejtë askujt për vetëgjyqësi.

Syri i nxirë nuk është turp, është dëm, por fytyra e nxirë është turp. Të parin mund t’ia shkaktojë kushdo dhe cilitdo, por të dytën ia shkakton njeriu vetes. Syri shërohet, fytyra jo.

Faqe e parë DITA, 12 dhjetor 2022

Kur lexova njoftimin e parë për incidentin e ndodhur ndaj tij, mendja shkoi menjëherë tek mundësia e implikimit të atyre që kanë gati dy shekuj që përpiqen të pengojnë shtetformimin shqiptar dhe që kanë mbi një shekull që financojnë kaosin shoqëror në vendin tonë, tek ata që, duke mos duruar faktin se Tirana po bëhej epiqendra politike e Ballkanit qoftë edhe një ditë të vetme, refuzuan fillimisht pjesëmarrjen në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, sepse, sipas tyre “atje do të thuhen budallallëqe”, e që pastaj “u penduan” dhe erdhën në Tiranë për të dëgjuar “budallallëqet”.

Ndërsa, bërja publike e të shkuarës së grushtdhënësit, gjendjes së tij psikike dhe sjelljeve të manifestuara 5-6 vitet e fundit, e ngushtoi mjaft spektrin e dyshimeve.

Mirëpo, çfarë mendojnë e thonë rreth ngjarjes skota pafundësisht e madhe e veglave politike dhe mediatike të “Doktorit”? Kjo tufë me moral të vdekur që ka qelbur, qelb dhe duket se do vazhdojë të qelbë me frymën e saj kundërmuese atmosferën shoqërore e politike të vendit, nuk po i ndal përpjekjet e saj shumëvjeçare për t’ia shitur sapunin për djathë popullit shqiptar.

Ndryshe nga njerëzit me moral që kanë shpirt të ndjeshëm, ndiejnë dhimbje njerëzore, shprehin keqardhje për dukuritë negative të shoqërisë dhe nuk i ndalin përpjekjet për të shkuar tek e vërteta, të pamoralshmeve u ka vdekur shpirti, revolta që shprehin është e rreme, hiqen sikur e dinë të vërtetën duke na paraqitur si të vërteta të kulluara gënjeshtrat e tyre. Me përsëritjet e pandalshme bëjnë çmos që edhe të tjerët t’i besojnë ato, me ose pa hir.

Shpirtrat njerëzorë mbajnë qëndrime të njëjta (standarde) kundrejt dhunës, ndërsa shpirtrat e vdekur përdorin dy e më shumë standarde, një për vete e një për të tjerët, pasi atyre nuk iu intereson e vërteta, as e drejta e morali. Ata duan dhe luftojnë vetëm për të nxjerrë fitime, qofshin ato politike apo materiale.

Le të kemi keqardhje për ta, por nuk duhet të çuditemi kur shohim se në vargun e shpirtrave të vdekur vetërreshtohen jo vetëm dudumë dhe palaço pa nivel e kulturë të spikatur, por edhe njerëz me kulturë e intelekt mbi mesataren, që kanë mbajtur apo mbajnë poste të larta shtetëror.

Ish-komunistë e bij komunistësh të rremë, ish-spiunë e bij spiunësh janë mbledhur rreth sofrës së mashtrimit dhe i mbajnë ison gënjeshtrës së njëmijtë të S. Berishës se autori i rrahjes së tij ishte “agjent i policisë”, duke e kthyer atë nga kontingjent (person në fokus të punës policore) në anëtar (punonjës) të saj. Përçmimi i tyre për të vërtetën është fyerje ndaj intelektit të shoqërisë dhe interesave të saj. Shkelmimet e pashpirta ndaj së vërtetës pa u merakosur për skrupujt moralë, janë tregues dëshpërues i gjendjes që përjetojnë, por janë edhe thellësisht të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Për ta bërë më të kuptueshëm përkushtimin e “shpirtrave të vdekur” që duan me doemos të shenjtërojnë të parin e tyre po veçoj ç’thanë disa nga përfaqësuesit e kësaj skote.  Pasi pohon se Rama është autori, regjisori dhe producenti i aktit, spurdhjaku politik Klevis Balliu na njofton shenjtërimin e S. Berishës.

Shpirtrat “e gjallë”, pra njerëzorë, e kanë të shenjtë nderin, familjen e atdheun, ndërsa të kundërtit e tyre shpallin të shenjtë kryetarin e fisit apo të sektit, edhe kur ky kryetar ka kryer krime dhe vepra të turpshme, të njohura nga shoqëria dhe bota mbarë. Nuk ka as meritë dhe as faj spurdhjaku politik. Merita është e Sali Berishës që e ka kthyer Partinë Demokratike në një grupim njerëzish të ngjashëm me disa sekte pseudofetare që krijohen në Perëndim, ku kryetari i tyre iu bën shpëlarje truri dhe anëtarët e mbajnë për të shenjtë, i përulen, e admirojnë pa kushte edhe kur ai i dhunon, përdhunon dhe sodomizon.

Dhe, pastaj, kur vjen dita që kryetari i sektit përfundon në pranga i akuzuar për dhjetëra vepra kriminale, sekti shpërbëhet, por anëtarët e tij vazhdojnë të jetojnë në një gjendje “dehjeje” psikologjike.

Ish-Nënkryetarja e PD-së dhe ish-Kryetarja e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, e cila qe bërë deputete nga zgjedhjet e dhunuara të majit 1996 dhe që, disa vite më vonë, e kritikonte Berishën “pse nuk iu dha plumbin protestuesve të marsit 1997”, apo që më vonë bënte thirrje për rrëmbimin e armëve kundër qeverisë, tani na thotë se incidenti me Berishën ishte “Agresioni brutal politik, agresion i egër kundër opozitës dhe provokim i rëndë ndaj shoqërisë në përgjithësi. Nuk besoj se është person me probleme mendore”.

Drejtuesi i emisionit televiziv “Opinion”, z. B. Fevziu, duke e konsideruar incidentin me Baba Saliun më të rëndësishëm se të sotmen dhe të ardhmen e vendit, e diskutoi atë si temë në datën 6 dhjetor. Dhe, siç bën shpesh herë, në vend që të thërriste në emision ndonjë mjek të shquar psikiatër për t’u njohur me cilësitë, sjelljet dhe rrezikshmërinë e personave që vuajnë nga çrregullimet mendore prej të cilave vuan autori i incidentit Gerti Shehu- sipas raportit mjekësor të botuar- kishte ftuar dy nënkryetarë të partive opozitare (askënd nga pushteti), si dhe ndonjë gazetar pa dinjitet që mashtronte nga studioja e Fevziut se “Autori është i lirë, e kanë nxjerrë nga spitali, ndodhet në shtëpi”.

Agim Neshon e kishte lënë në prapaskenë. Kur e thirri në panel ai bëri detyrën e lolos, duke pohuar se, megjithëse kishte qenë dhjetë metra pas Berishës, nuk e dinte mirë çfarë kishte ndodhur por, ajo që “dinte” mirë ishte se incidenti ishte organizuar nga Edi Rama. Edhe nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi iu përcolli shikuesve të njëjtin mashtrim, por kur u pyet nëse kishte ndonjë provë, pohoi se prova nuk kishte por po bënte arsyetim politik. Arsyetimet e tij politike janë si ato të kryetar Saliut që përmenda më sipër për ngjarje të tjera i bindur se prej tyre do përfitojë politikisht.

Nëse do të bënim arsyetim të verbër politik, mundësia më e madhe do të ishte që incidentin ta organizonin ata që e dinë mirë se shumica dërmuese e popullit shqiptar nuk i do, prandaj nuk i voton, dhe, rrjedhimisht, incidenti do të shërbente si artific politik për t’u viktimizuar, faktorizuar e radikalizuar dhe do të linte në hije aktivitetin politik ndërkombëtar që bëhej atë ditë në Tiranë. Madje, sa më shumë këmbëngulin në versionin e tyre të rremë dhe përpiqen ta keqpërdorin, aq më shumë shtohen dyshimet se, në mos e paçin sajuar vetë, mezi e kanë pritur të ndodhte.

Të akuzosh kryeministrin e vendit si fajtor, pa pasur asnjë provë, pse një i marrë të godet në pazar, dhe të shpresosh se me kësi pallavrash mund të vish në pushtet, është guxim i marrë, guxim maskarenjsh. Përgjithësisht, Edi Ramës nuk i bihet në qafë kur e akuzon për tendera, PPP e koncesione, por je i dështuar dhe i vetëdiskredituar kur e akuzon për ngjarje si ajo e 6 dhjetorit 2022, sepse, edhe nëse nuk e pengon ndërgjegjja, e frenon intelekti.

As ai dhe as cilido tjetër në vendin e tij nuk mund të ishte aq i cekët që, ndërsa po i shërbente elitës politike evropiane në “dhomën e pritjes”, në “oborr” të organizonte një akt kriminal. Po të vepronte kaq pa mend do t’iu thoshte miqve nga Evropa: E shikoni çfarë demokrati jam unë dhe si i trajtoj kundërshtarët e mi politikë?!

Disa gazetarë me pamjen e ushtarëve të ISIS-it, të cilët shërbejnë ose në kabinetin politik të Berishës, ose në TV familjar Syri TV, iu drejtuan Kryeministrit me kërcënime cubash të sapo dalë nga prapa ferrave: “Ke dashur të zhburrërosh të paprekshmin. Ke prekur mitin. Mos rri i qetë. Rëndësi ka që demokratët të marrin vendimin, të të japin mësimin”, ose “Berisha nuk duhet ta denjojë këtë polici kulimo-politike… Policia duhet të bëjë mbrapsht nga seria e provokimeve dhe të rrijë në vrimën e saj që qelbet era kërmë korrupsioni”.

Këta besojnë se idhujt dhe mitet e katundit të tyre politik, të bajraktarit dhe kryeplakut të tyre, janë edhe mite të të gjithë shqiptarëve. Këta e fyejnë policinë, e dhunojnë siç bënte para pak vitesh matrahuli Flamur Noka që shtynte dhe godiste oficerët e policisë brenda Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe që tani, me mendjelehtësinë dhe papërgjegjshmërinë e një halabaku, pretendon nga njëra studio televizive në tjetrën se “ishte marrë vendimi që Berisha të asgjësohej fizikisht me goditje me grusht”.

Disa individë me nivel më të lartë kulturor se të cituarit, por të sëmurë nga pasionet na thanë se, edhe nëse Rama s’e ka organizuar incidentin, ngjarja ka marrë shkas nga gjuha e Kryeministrit dhe se ai e ka kryer aktin në mënyrë metaforike, pasi e fyen opozitën duke e quajtur “opozita e rublave” (gjë me të cilën nuk pajtohem as unë). Merreni me mend ku është katandisur dinjiteti njerëzor i këtyre pseudointelektualëve të cilët na thonë se etiketimi i opozitës si “e rublave” apo përdorimi i sarkazmës nga qeveritarët është më i rëndë, më i rrezikshëm dhe më i papranueshëm se etiketimet që i bëhen Kryeministrit si “hajdut, drogamen, vrasës, tradhtar, kriminel, kryekriminel, armik i PD-së dhe Shqipërisë etj.” që bën Sali Berisha dhe tufa e tij me shpirt të vdekur.

Qejfmbetja e karrieristëve dhe mospërfillja e qeverive ndaj tyre ka qenë dhe mbetet përherë burim i zemërimit, hakmarrjes por edhe i budallallëkut të pafrenuar. Një akademik “hokatar” na kumtoi se fakti që personalitetet kryesore politike qeverisëse e dënuan shumë shpejt incidentin me deklaratat e tyre i bën ata fajtorë sepse “I shtyu ndjenja e fajësisë të nxitojnë. Vetëfajësimi, që psikanaliza e njeh shumë mirë… Mospranimi në deklarata i z. Berisha si kryetar i opozitës përbën dhunë psikike”.

Sipas logjikës së “hokatarit”, i bije që ata që akuzohen padrejtësisht për një krim ose duhet ta dënojnë krimin shumë vonë, ose aspak, ose ta shpallin krimin akt të drejtë moral e ligjor, siç ka vepruar Sali Berisha në dhjetëra raste, kur është kapur me presh në dorë.

Këta dhe disa gazetarë të “shumëditur” e akuzuan policinë pse ajo në komunikatën e saj fliste për “deputetin Berisha” dhe nuk ia përmendte gradat politike partiake apo shtetërore që ka mbajtur dikur. Këta zotërinj nuk e dinë, ose hiqen si të paditur se policia i përmbahet statusit aktual ligjor të personit dhe jo dëshirave e pretendimeve të njërit e tjetrit politikan apo gazetar. Si do ia bëjnë këta tani që, në deklaratat e tyre, asnjëra nga përfaqësitë e huaja që u prononcua duke e dënuar incidentin, nuk e quajti Berishën “kryetar i PD”-së”, madje edhe Organizata e Partive të Djathta Evropiane (PPE), në deklaratën e saj i referohej thjesht si “protestues”.

Gazetari Nikoll Lesi, kolegët e të cilit i pati burgosur, rrahur e gjymtuar Sali Berisha në vitet ’90, madje edhe i kalli flakët redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, pasi na e shpall Berishën “të mbrujtur me natyrë patriotike”, nxit hapur dhunën dhe krimin duke pohuar se “Ai grusht dje në fytyrën e Sali Berishës nuk ka për të kaluar lehtë. Këtu do të jemi dhe do të shikojmë… Pra, ai (autori) edhe ” i çmendur” ka qenë në mision…Tashmë grushti i bulevardit do të kthehet në grusht në Kryeministri”.

Të krijohet përshtypja se folësi është një njeri që del nga shpellat e Mirditës duke mbajtur në njërën dorë një Aifon (iPhone) dhe në tjetrën Kanunin e Lekë Dukagjinit. Por jo saktësisht kështu, se Kanuni kërkonte të provohej fajësia dhe, në raste dyshimesh lypsej që i akuzuari të bënte be, ndërsa “kanunorët” e sotëm janë edhe nën nivelin e kanunit mesjetar të Lekës.

Të vjen ndot kur sheh e dëgjon burra 50, 60 apo 70-vjeçar, që mbajnë një e më shumë diploma universitare, të shfaqen në ekran apo shtyp me intelektin e një fëmije apo me moralin e një prostitute. Provoni të gjeni në arkiva ndonjë rast kur këta shërbëtorë me shpirtra të vdekur të kenë dënuar publikisht aktet kriminale të Sali Berishës dhe veglave të tij, që nga fyerjet familjare e deri tek vrasjet e njerëzve të pafajshëm. Asnjë për be.

Të bije në sy fakti se prej shumë e shumë vitesh janë një grup i vogël tropojanësh që e rrethojnë Sali Berishën, i bëjnë elozhe kur kanë shpresë për pushtet, i zgërdhihen me servilizëm kur ky fyen apo dhunon të tjerët, heshtin apo e mbrojnë kur ai vret njerëz të pafajshëm, manipulon apo dhunon procese zgjedhore dhe gjyqësore, apo tenton marrjen e pushtetit me dhunë, e duartrokasin kur ai gënjen hapur dhe i mbajnë ison e turpit.

Nëse ky grup individësh, ku spikat edhe njëfarë A. Biberaj që bën thirrje për revolucion e dhunë, pa ose me pak fare dinjitet, që nuk përfaqëson kurrsesi popullin e Tropojës, nuk do të nxjerrin mësime do të mbeten në histori si Banda Politike e Tropojës. Është e çuditshme se si asnjërit prej tyre nuk i shkon në mendje se, përveç se janë bërë gazi i botës, i janë bërë barrë e rëndë popullit shqiptar prej 32 vitesh me mungesën e theksuar të qytetarisë, me shkeljet e pambarimta të parimeve demokratike dhe të normave të bashkëjetesës shoqërore, me demonstrimin e dhunës verbale dhe asaj fizike, me avokatinë e krimit dhe padrejtësisë, me vrazhdësinë e sjelljeve civile dhe politike, me karshillëkun që i bëjnë shumicës dërmuese të popullit shqiptar dhe me përpjekjet e tyre të paskrupullta për t’iu imponuar, duke i mbajtur peng rendin, qetësinë dhe zhvillimin normal demokratik të vendit.

Nuk është vonë të nxjerrin mësime dhe të mos presin zemërimin popullor që i mban mbi qafë kaq gjatë. Populli i Tropojës meriton një përfaqësim më të denjë, më të kulturuar dhe më të moderuar. (Botuar në DITA)