Kulturë\Letërsi

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (I)

“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (1)

Zhvlerësimet kombëtare dhe falsifikimet historike nga Jusuf Buxhovi përmes një pamfleti politik (1) Në vend të prologut: Disa deklarime për Buxhovin Pjesë nga Intervista me veprimtarin dhe ish-të burgosurin politik Hysen Gega, e zhvilluar nga veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Bislim Elshani, në revistën “Zëri i Kosovës”, shkurt 1993, me titull: ASGJË NUK HARROHET Hysen Gega, i lindur në fshatin Sallagrazhdë më 1950, në mesin e të burgosurve politikë kosovarë, njihet si “legjendë e burgjeve jugosllave”, për shkak të qëndrimit të tij të paepur dhe përherë kryengritës. Për herë të parë unë vetë kam pasur rastin ta njoh atë gjersa isha nën hetime në Burgun e Qarkut të Prizrenit gjatë verës së vitit 1981. Pas një gabimi të rastësishëm (ose të qëllimshëm!) të gardianëve, më ra ta takoja në oborrin e burgut. Iu prezantova dhe m’u prezantua. M’u kujtua se emrin e tij ma kishin përmendur disa herë në hetuesi, mbase për të zbuluar ndonjë lidhje të mundshme. Pas ca muajsh, atë e degdisën në burgje të tjera, në Burgun Qendror në Beograd dhe së fundi në Nish, ndërsa mua në Leskovc. I detyruar të punojë që në moshë të re për bukën e gojës, vajti në fillim në Beograd, pastaj edhe jashtë vendit, në Gjermani, ku i ra të punonte me veprimtarët më të shquar patriotë të atjeshëm. Pothuajse jeta i kaloi në mërgim. Lidhur me ndriçimin e disa fakteve që patën jehonë në opinion, bëmë një intervistë të shkurtër në fshatin e tij. Pyetja: Hysen, a të kujtohet se kur je arrestuar me t’u kthyer prej Gjermanisë dhe kush të ka marrë në pyetje pas arrestimit? H. Gega: Posi. Po ato janë gjëra që nuk harrohen. Më kanë arrestuar më 31 dhjetor 1980, në orët e hershme të mëngjesit, diku kah ora 5-6, sapo kishte filluar pakëz të zdritej. Hetimet e mia kanë zgjatur rreth 6 muaj. Pothuajse gjatë gjithë kohës së hetimeve më kanë marrë në pyetje Mehmet Lumi dhe Lorenc Selmani. Kah fundi i hetimeve më ka marrë në pyetje edhe Adem Ibrahimi. Por në fillim të janarit 1981, data e saktë nuk më kujtohet, po ashtu më ka marrë në pyetje edhe Jusuf Buxhovi. Kështu ma kanë prezantuar atë. Për Jusuf Buxhovin kisha dëgjuar më parë se ishte korrespondent i “Rilindjes” në Bon, por nuk e kisha parë kurrë me sy. Për herë të parë e kam parë aty, në lokalet e Sekretariatit në Prishtinë. Pyetja: Sa herë e ke parë gjithsej Buxhovin në jetën tënde? H. Gega: Dy herë. Një herë në fillim të janarit të vitit 1981 kur më ka marrë në pyetje dhe një herë tjetër në fillim të vitit 1991 në lokalet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë. Pyetja: A ishte fjala për të njëjtën fytyrë? H. Gega: Po Pyetja: A mund të na i përshkruani sjellet e tij gjatë hetimeve? Për çfar interesohej më shumë dhe si sillej? H. Gega: Qëllimi i tij ishte që unë të pendohesha për aq sa kisha bërë. Më thoshte se më kishte përcjellë “atje” dhe se i dinte të gjitha gjërat. Më bënte presion psikik. M’i ofendonte shokët, vëllezërit Gërvalla, Ibrahim Kelmendin. E ofendonte Enver Hoxhën. Më thoshte se ata janë në rrugë të gabuar dhe se edhe mua më paskan hudhë në rrugë të gabuar, prandaj duhet… Pyetja: Domethënë shprehej me fjalorin më të ndytë të UDB-së? H. Gega: Po. Po. Po. Me sharje nëne e me fjalë, të cilat as me laps nuk shkruhen. Pyetja: Sa herë të ka marrë në pyetje? H. Gega: Vetëm një herë. Ka zgjatur disa orë, saktësisht nuk më kujtohet, dy deri në tri orë. Aty ishin prezentë edhe Mehmet Lumi e Lorenc Selmani. Pyetja: A ka pasur ndonjë pyetje të Buxhovit rreth vëllezërve Gërvalla? H. Gega: Jo, ai s’më pyeste asgjë për ta. Vetëm i ofendonte, i shante. Thoshte se ata janë në një rrugë të gabuar, se ne kurrë s’kemi qenë më mirë… Pyetja: A mos e keni njohur rastësisht Buxhovin gjatë qëndrimit tuaj në RF të Gjermanisë? H. Gega: Jo. Pyetja: A është dëshmuar gjatë marrjes në pyetje se ai të ka njohur ty? H. Gega: Po. Kur më kanë sjellë në zyrë, ata më kanë prezantuar në bisedë e sipër, ndërsa ai më ka thënë se të kam përcjellë ty, se të kam njohur shumë mirë, se i kam përcjellë dhe vëllezërit Gërvalla. Pyetja: Hysen, kemi dëgjuar edhe për një ofertë që të ka bërë UDB-ja jugosllave lidhur me likuidimin e vëllezërve Gërvalla. Sa është e vërtetë kjo? H. Gega: Po. Kanë qenë të pranishëm aty Mehmet Lumi, Adem Ibrahimi, Lorenc Selmani, Vesel Krasniqi dhe një serb. Për herë të parë e kam parë atë aty, vetëm se kam dëgjuar se edhe ai ishte inspektor. Kjo ka ndodhur dikund në muajin qershor 1981, kah mbarimi i hetimeve të mia, në zyrat e SPB-së së Prizrenit. Vetë Mehmeti më ka thënë, ashtu si dhe të tjerët se “do të të lëshojmë prej burgut e do t’i bëjmë të gjitha kushtet e mundshme, do të të japim armë çfarë të duash, kemi armë speciale… Shko likuidoji vëllezërit Gërvalla! Ose Ibrahim Kelmendin! Të holla, përveç shpenzimeve, njëqind mijë marka më tepër i ke”. Kjo ishte e tëra. Për këtë ua kam bërë me dije edhe shokëve pasi më kthyen në burg nga lokalet e SPB-së. Ibrahim Kekmendi: JUSUF BUXHOVI – KUADËR I UDB-së Ndihem i detyruar të informoj konkretisht për Jusuf Buxhovin, sepse ndihmohemi për të pas parasysh, jo vetëm çfarë shkruan ai, por edhe kush është e pse shkruan. Qysh në vitin 1978 më ka rastis të konfrontohemi me Jusuf Buxhovin në Klubin Shqiptar në Dyzeldorf të Gjermanisë. Ai u angazhua që të mbronte linjën e ashpër të UDB-së serbe, që atë Klub famëmadh të mos guxonim ta karakterizonim shqiptar, por vetëm jugosllav. Me ndihmën edhe të Sekretarit të parë të ambasadës jugosllave në Gjermani, z. Shefqet Hashani (paraprakisht drejtor i drejtorisë së 5-të të UDB-së së KSA të Kosovës), i cili përfaqësonte linjën e UDB-së autonomiste të KSA të Kosovës, Klubin e emërtuam Klubi Shqiptar. Jusuf Buxhovi në Gjermani ishte i kamufluar si korrespondent i gazetës “Rilindja”, por ishte operativ i UDB-së serbe. Në tetor 1980, në panair të librit në Frankfurt, te standi i “Rilindjes” takoj z. Shefqet Hashani dhe Jusuf Buxhovin. Iu ofrova të pinim kafe. Z. Hashani, në prani të Jusuf Buxhovit, si në shaka, ma tërhoqi vërejtjen: “Mos flisni në prani të Jusufit ato që ju rrezikojnë, sepse është i detyruar të më informojë mua, kurse unë jam i detyruar t’i përcjell në Beograd.” Edhe pse e kisha informimin dhe përvojën se ishte marionetë e UDB-së, nuk i jam frikësuar takimeve me të, meqë kisha konsideratë për profesionalizmin e tij dhe për talentin krijues (bile edhe i kam shkuar për vizitë në banesë të tij në Bonn). Gjykoja se edhe kuadrot e strukturave të KSA të Kosovës (edhe të UDB-së) janë të interesuar për sa më shumë autonomi e zhvillim të Kosovës, si dhe doja ta (dez)informoja për angazhimet tona, që të mos dezinformoheshin vetëm nga spiunët injorantë. Pasi vuajti dënimin bashkëveprimtari Hysen Gega, ai i informoi Ibrahim Rugovën (në prani edhe të Bujar Bukoshit), drejtues tjerë të LDK-së dhe bashkëveprimtarët në Lëvizje, se Jusuf Buxhovi kishte marrë pjesë në hetime kundër tij në Prizren, si specialist për veprimtarinë tonë në Gjermani. Aty e tutje Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi dhe të tjerë në LDK stimuluan largimin e heshtur të Jusuf Buxhovit… Në vitin 2004 takova z. Shefqet Hashani (për një intervistë). Ai vërtetoi angazhimin e Jusuf Buxhovit si kuadër i UDB-së, bile informoi edhe për pjesëmarrjen e tij në hetimet kundër vetë Shefqet Hashanit, i burgosur në maj 1981 në Beograd dhe i dënuar me 7 vite burg, etj.

Takimi me Shefqet Hashanin

Pra, më se e logjikshme është se një kuadër i tillë, nuk mund të ketë marrë vendim autentik për të themeluar LDK-në… Logjike është të thuhet se ai ka qenë i urdhëruar nga eprorët e tij të Beogradit. Sa njerëzore dhe shqiptare do të ishte që Jusuf Buxhovi tani të bënte catarsis (pastrim shpirti), duke rrëfyer edhe për angazhimet e tij si kuadër i shërbimeve inteligjente, pavarësisht se i frikësohet ndëshkimit nga shërbimet serbe… Thekse nga libri i Nafi Çegranit “Ballë për ballë me vdekjen” Në vitin 2000 në Shkup është botuar libri “Ballë për ballë me vdekjen” i Nafi Çegranit. Autori i librit nga marsi i vitit 1969 – deri në vitin 1980 ka punuar në sektorin II në Shërbimin Sekret të Sigurimit Shtetëror, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në Shkup. Në këtë libër ish-udbashi Çegrani në mes tjerash spikat hapur veprimtarinë e këtij shërbimi famëkeq në hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi, dhe i bën publike disa emra të “elitës intelektuale” që iu shitën “falas” këtij shërbimi sekret. Çegrani në faqen 129 – 130 të librit “Ballë për ballë me vdekjen” shkruan: “Edhe pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, vazhdon spiunazhi në mes shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Gati të gjitha redaksitë e gazetave dhe të radiotelëvizioneve në Maqedoni dhe Kosovë shndërrohen në qendra rezidente, me të cilat SDB-ja (UDB-a – Sh.  vite me radhë e sinkronizonte veprimtarinë e vet të errët kundër shqiptarëve. Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin…, M.Sh, Xh.H, M.M e S.B, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si: …. Jusuf Buxhovi…”, – përfundon citati. (Për më tepër lexo te libri i N. Çegranit f.130). (Vazhdon…)