Komenti

Xh. Gjini: Lum i forti e mjerë i ligu

LUM I FORTI E MJERË I LIGU
Armiqt e popullit shqiptar, që lakmonin e grabisnin tokat e tij, ishin fqinjët e tij më të organizuar dhe më të fortë… Kjo edhe ishte arsyeja pse në çdo kohë patën përkrahjen e Fuqive të Mëdha për t’i zaptuar dhe përvetësuar tokat e Shqipërisë. Fatkeqësia dhe tragjedia e kombit tonë bëhej edhe më e madhe dhe më e dhimbshme kur me pushtuesit e tokave të Shqipërisë bashkohej edhe një pjesë bastarde e popullit tonë që për grada e çifliqe ndërronte komb e fe dhe mohonte gjuhë, flamur e atdhe!
Përpjekjet gati një shekullore, që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, kulmuan me Luftën e Armatosur Çlirimtare dhe me çlirimin e një pjese të tokave të pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia… Kësaj toke shqiptare, të çliruar me luftë e përpjekje titanike, iu mohua e drejta më themelore, e drejta e bashkimit me shtetin e saj!! “Kompromisi” ishte një shtet pa sovranitet dhe me një prani kërcënuese dhe potencialisht destabilizuese serbe!!
23 vite pas çlirimit Kosova e Shqipërisë është peng i shovinizmit serb dhe i një projekti antishqiptar evropian, që Kosovën e sheh në çdo variant të lidhur pas qerres serbe! Janë këto shtete evropiane (Rusia po se po…) vazhdojnë ta ledhatojnë Serbinë, nga njëra anë, dhe ta godasin Kosovën shqiptare, nga ana tjetër! Ka 23 vite që këto Fuqi evropiane e botërore e mbajnë të gozhduar Kosovën e Shqipërisë dhe popullin e saj shqiptar pas një tryeze absurde të “dialogut” me Serbinë, tryezë që ka të gjitha karakteristikat e shtratit të prokustit! Kosova shqiptare po mbahet e lidhur pas këtij shtrati të prokustit deri sa t’i jepet forma që i përshtatet Serbisë dhe disa fuqive evropiane e botërore!! Këto fuqi vazhdojnë t’i tremben më shumë shkëputjes-pavarësimit të plotë të Kosovës nga Serbia dhe bashkimit të saj me Trungun e vet se sa Serbisë së madhe dhe shovinizmit të saj destruktiv e luftënxitës!!
Qëndrimi përkrah të fortit i këtyre Fuqive po manifestohet qartë edhe këto ditë! Presioni dhe shantazhi po bien gjithmonë mbi Kosovën shqiptare (më të pafuqishmin), kurse Serbia (i forti) po ledhatohet e po merret me të mirë!! “Kosova, thonë Fuqitë e Mëdha Perëndimore, ka të drejtë për çështjen e targave, por nuk duhet të veprojë, duhet të lëshojë pe e t’i tolerojë serbët pakicë (Serbinë) ta ladronjë atin nga të duan”!! Në vend se t’i thuhet e t’i bëhet presion Serbisë që të mos përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës dhe ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial ato, Fuqitë e Mëdha Perëndimore, i bëjnë presion dhe e shantazhojnë Kosovën shqiptare që të mos ushtrojë sovranitetin në territorin e saj të njohur nga më shumë se 100 shtete!!
Këtu duhet kërkuar edhe arsyeja pse Kosova nuk u lejua të kishte forcën e saj ushtarake dhe pse nuk po lejohet dhe ndihmohet të armatoset aq sa për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e saj në gjithë territorin e vet të njohur edhe ndërkombëtarisht dhe të VULOSUR edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë…
Të gjithë mund ta paramendojmë sjelljen dhe veprimin e Serbisë pushtuese në Kosovën Lindore nëse populli shqiptar atje do të mbante targa të Kosovës në vetura ose nëse shqiptarët do t’i bllokonin rrugët atje… Përvoja ka treguar se këto Fuqitë e Mëdha do t’i miratonin sjelljet dhe veprimet e dhunshme të Serbisë ndaj popullit të pushtuar shqiptar në Kosovën Lindore, siç ishte rasti me monumentin e UÇPMB -së, me Flamurin kuqezi, me mohimin e të drejtave dhe lirive themelore, etj.!! Kjo është politika me dy kute për të njëjtën çështje!! Kjo pozitë e vështirë e Kosovës dhe e popullit të copëtuar shqiptar në Iliri bëhet edhe më tragjike dhe më e dhimbshme për faktin se për këtë situatë të një rrethi vicioz kanë kontributet e tyre edhe partitë politike dhe qeveritë e (për)zgjedhura në Prishtinë në këto 23 vite, që i bënë gjithë ato koncesione Serbisë shoviniste… Por, përgjegjësia më e madhe bie mbi shtetin tonë Amë, i cili është i vetmi pronar legjitim i çdo pëllëmbe të tokës shqiptare në Iliri dhe si i tillë do të duhejë të sillejë, të angazhohejë e të vepronte… Çështja shqiptare nuk mund të zgjidhet duke u parcializuar e “laramuar”, por duke u bashkuar dhe fuqizuar. Të parcializuarit e të përçarët janë kafshatë e vogël për t’u kullufitur në çdo kohë nga armiqt. Komuniteti i (jugo)kosovarëve në Prishtinë dhe ai i esadistëve në Tiranë do ta donin Shqipërinë dhe kombin shqiptar të organizuar në bajraqe e krahina… për këto komunitete kolaboracionistësh pak rëndësi ka Shqipëria e bashkuar në një shtet të fuqishëm… për këtë shtresë bastardësh të rëndësishme janë privilegjet, gradat e pasuritë që mund t’i bëjnë me lehtësi duke shitur e kontrabanduar lirinë, interesat dhe pasuritë e kombit e të Shqipërisë… Populli ynë e ka të qartë se vetëm të bashkuarit dhe të fuqishmit ftohen dhe nderohen në sofrën e Fuqive të Mëdha… Vetëm kur u organizua Lufta e Armatosur dhe u krijua UÇK – ja bota e mori seriozisht Kosovën shqiptare dhe ndërhyri për ta parandaluar zgjerimin e saj… Ndryshe edhe sot do të ishim duke u lutur e duke vajtuar çdo të premte nën çizmen e egër të Serbisë.