TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Lushnjë në përkujtim të 78-vjetorit të Çlirimit të Lushnjës.
Në fjalën e tij, Balla përmendi edhe Luftën Çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, si dhe nuk la pa theksuar edhe deklaratën e Kryeministrit Rama në Strasburg.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë Çlirimtare të pastër, të drejtë ashtu siç janë të gjitha luftërat çlirimtare njëlloj si partizanët e rënë dëshmorë që ne kujtojmë sot. Të gjitha përpjekjet për të bërë pis luftën Çlirimtare në Kosovë janë përpjekje të pabazuara në asnjë provë, sikurse janë pretendimet se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës paskësh kryer trajtime çnjerëzore apo trafikim të organeve njerëzore”, tha ai.
“Nuk janë aspak të vërteta, dhe beteja që ka nisur Kryeministri Rama javën e kaluar në Strasburg është një betejë që i takon çdo shqiptari kudo që ai është. Nuk mund ta pranojnë shqiptarët këtë baltë, këtë turp të vendosur me të padrejtë ndaj tyre, ku të gjithë e dimë që kjo baltë, ky turp, kjo peshë e rëndë, i vendosur me pa të drejtë ndaj çdo shqiptari është bërë nga ata që asnjëherë nuk ia kanë dashur të mirën Shqipërisë dhe përgjegjësi e madhe bie mbi ata që qeverisnin Shqipërinë nga viti 2008-2013. Nuk thanë asnjë fjalë për ta kundërshtuar atë rezolutë në Asamblenë Parlamentare të Europës dhe sot çohen dhe madje përqeshin e shajnë Edi Ramën apo Partinë Socialiste që po bëjnë detyrën si çdo atdhetar tjetër që do ta bënte nëse zemrën e ka në krahun e majtë dhe natyrshëm që e do Shqipërinë si çdo shqiptar i thjeshtë dhe i zakonshëm i këtij vendi”, theksoi Balla.
m.m/r.e.