Arkiv / Ripublikim

Xh. Gjini: Një komb, një NËNË, një flamur një gjuhë dhe një SHTET – SHQIPËRI

Një komb, një NËNË, një flamur, një gjuhë, një shtet
Prishtinë, qershor 2007

Vitet e fundit kemi dëgjuar shpesh parullat: “një komb një qëndrim”, “një komb një kulturë”, “një komb një flamur”, “një komb një gjuhë”, etj., por nuk e kemi dëgjuar asnjëherë kërkesën ÇELËS: “NJË KOMB NJË SHTET”. Pa arritjen dhe realizimin e kësaj kërkese nuk do të jemi të sigurtë as në unifikimin e çështjeve tjera.

Jo vetëm ëndërr e dëshirë, por edhe përpjekje me penë e me pushkë, përkushtim, betim dhe qëllim i përbotshëm i popullit shqiptar ishte: liria, pavarësia dhe bashkimi i tokave shqiptare të trashëguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë ilirë e pellazgë. Nuk janë të vogla edhe përpjekjet e armiqëve tanë (të vjetër e të rinj) për ta penguar dhe luftuar këtë IDE të shenjtë dhe këto përpjekje e dëshira të kombit tonë.
Vitet e fundit kemi dëgjuar shpesh parullat: “një komb një qëndrim”, “një komb një kulturë”, “një komb një flamur”, “një komb një gjuhë”, etj., por nuk e kemi dëgjuar asnjëherë kërkesën ÇELËS: “NJË KOMB NJË SHTET”. Pa arritjen dhe realizimin e kësaj kërkese nuk do të jemi të sigurtë as në unifikimin e çështjeve tjera.
Në kohën tonë është krijuar edhe një rrymë e fuqishme, e cila nuk duhet nënçmuar aspak, sepse ka edhe mbështetjen e të huajve (armiqëve të ribashkimit të Shqipërisë). Kjo rrymë është kufizuar kryesisht në shkallë të “parisë” politike (në Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë). E rrezikshme në formë dhe përmbajtje, ajo lindi, u zhvillua dhe u poq në Prishtinë. Rryma kundërshqiptare (e ideuar, e përpunuar, e mbështetur dhe e financuar nga armiqtë tanë historikë e aktualë), që synon përjetësimin e copëtimit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, ka gjetur përkrahje edhe në disa qarqe pseudointelektuale dhe veçmas në mediat e financuara nga të huajt. Për fatin tonë deri më sot kjo rrymë nuk ia doli (kurrë nuk do t’ia dalë) ta realizojë synimin e saj thelbësor: shtrirjen dhe ndikimin e saj në masën e popullit. Prandaj, shpeshherë, eksponentët e saj kryesor, i shohim të shfaqin gjithë pakënaqësinë dhe “agresivitetin” e tyre primitiv ndaj kësaj qëndrueshmërie mbarëpopullore. Rryma për shpërbërjen dhe tjetërsimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të “mbetur” jashtë kufijve të shtetit shqiptar (më shumë se gjysma e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar) po bënë përpjekje “titanike” edhe për shpërbërjen e gjuhës shqipe (shformimin e saj), për tjetërsimin e flamurit dhe të kulturës e të shpirtit shqiptar përgjithësisht. Qëllim i fundit i kësaj rryme dhe sponzorizuesve të saj është krijimi i një identiteti të ri kombëtar, gjuhësor e kulturor, që po e quajnë “KOSOVAR” ose më saktë, “TALLAVA”.
Në përputhshmëri të plotë me këtë rrymë dhe synimet e saja afatgjata është edhe shpikja dhe përmbledhja (kufizimi) i kërkesave të popullit shqiptar për “pavarësinë e Kosovës”. Kjo kërkesë tashmë është pranuar pa kushte nga “paria” e sotme politike në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup! “E vetmja zgjidhje, thonë Berisha, Sejdiu, Thaçi, Çeku, Ahmeti, etj., është pavrësia e Kosovës”! Kësaj “elite” të tjetërsuar politike ua mbanë “ison” media dhe sejmenët e tyre të paguar mirë. Demagogët si këta, megjithëse kanë pranuar pakon e Atisarit, vazhdojnë të çirren për “Kosovën e pavarur dhe sovrane”. Të bindur se më nuk po u beson kush dokrrave të tyre, ata i kanë shpeshtuar deklaratat demagogjike për “pavarësinë”, sikur duan t’ia mbushin mendjen vetes, (si dikur Rugova në kohën e Serbisë) sipas shembullit të gomarit, që po e hante ujku, kurse ai thoshte: “uroj të jem në ëndërr…”. Kjo “elitë” politike u betua dhe përbetua para popullit të Kosovës dhe para mbarë kombit se “kurrë nuk do të bisedojmë me Serbinë për fatin e Kosovës”, se “pavarësia është e panegociushme”, kurse mbrëmë, Fatmir Sejdiu, deklaronte se “pakoja e Atisarit është e panegociushme”. I shkreti Fatmir dhe kompania e tij! Po përpiqen të shpëtojnë, si ai që po mbytej në ujë, duke u kapur për fijen e kashtës! Po të kapeshin dhe të mbaheshin fort pas kërkesës dhe përpjekjeve për bashkim kombëtar nuk do të katandiseshin në këtë gjendje të pashpresë, duke kërkuar shpëtimin te “plani” i Atisarit (sakatpavarësia), që nuk i garanton Kosovës as pavarësi, as sovranitet, as stabilitet, as siguri, as dinjitet, as…
Grupi negociator (tashmë fatkeq e famëkeq), para se të vinte Bushi në Tiranë, ishte bërë me vra veten. Anëtarëve të tij nuk u kishte mbetur pikë gjaku. Kokën t’ua prisje nuk do t’u dilte gjak. Kjo gjendje e tyre nuk vinte nga shqetësimi për fatin e Kosovës, por nga frika e masës së popullit, nga ndrëgjegjësimi dhe trysnia në rritje e kësaj mase. “Kini parasysh pozitën tonë të vështirë prej liderësh politikë, lutej Çeku. Ne jemi të rrezikuar nga pakënaqësia dhe shpërthimi i mundshëm i popullit”! Megjithatë, deklaratat e Bushit i lexuan dhe “shpjeguan” sipas dëshirës së tyre e jo sipas përmbajtjes dhe porosive të tyre të qarta. T’i shikoje, pas ardhjes së Bushit, se si u ngjallën dhe se si krekoseshin të shkretit anëtarë të grupit para kamerave televizive! Njëri deklaronte se “Bushi e shpalli pavarësinë e Kosovës”, tjetri thoshte se “pavarësia duhet tani”, etj. Të krijohej përshtypja se, sipas tyre, bota (Bushi) duhet të na e sjell lirinë dhe pavarësimin nga Serbia, kurse këta “bandillët” (grupin negociator) i ka krijuar Zoti vetëm për të plaçkitur dhe zhvatur pasuritë e Kosovës, buxhetin e saj dhe për të jetuar jetën për shtatë palë qejfe me “privilegjet” që u ka dhënë funksioni! Mirëpo, për fatin e tyre të keq, ngazëllimi i tyre nuk zgjati shumë… Në rend dite u vu pjesa e deklaratave dhe porosive të Bushit, të cilën mund ta përmbledhim në një fjali: “Jeni ju, pa jemi ne me ju”. Këtë porosi të qartë këta “politikanë” nuk e kishin “kuptuar” dhe nuk kam besim se do ta kuptojnë ndonjëherë…
Po cila është zgjidhja, mund të pyesni ju lexues të nderuar? Sipas meje, megjithëse shumë e vonuar, grupi negociator, Qeveria, Kryetari i Kosovës dhe ai i Kuvendit duhet të shkarkohen menjëherë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës (rruga institucionale, nëse mund të shfrytëzohet). Kuvendi i Kosovës, nëse ka vullnet, forcë dhe guxim ta përmbysë situatën në të mirë të Kosovës dhe t’i mbajë dhe ushtrojë përgjegjësit që ka marrë, duhet ta zhvlerësoj menjëherë edhe “miratimin” e planit të Atisarit dhe të deklarohet kundër tij… Ky Kuvend të zgjedhë një Qeveri të Unitetit Kombëtar me përbërje të gjerë të atyre forcave dhe personaliteteve kombëtare që janë të vendosur ta përmbushin deri në fund vullnetin e kombit. Nëse nuk bëhet kjo, popullit shqiptar i lejohet të ndjek të gjitha rrugët dhe format për arritjen e synimeve të tij liridashëse. Edhe Amerika, por edhe Evropa, është e bindur se zgjidhja e vetme e drejtë, e saktë, e qëndrueshme dhe e përherëshme është bashkimi i kombit shqiptar rreth një NËNE, me një flamur, me një gjuhë dhe në një shtet. Për arritjen e këtij synimi kombëtar dhe njerëzor, para së gjithash, duhet, siç thotë Dantoni: “De l’audace, de l’audace, encore de l’audace”! (“GUXIM, GUXIM DHE PËRSËRI GUXIM”!)
Këto vite të pas Luftës nga qarqe të ndryshme atdhetare kemi dëgjuar edhe shumë reagime të ashpëra, të “nxehta” dhe me tone kërcënuese kundër atyre që po përpiqen t’ia ulin “pazarin” Kosovës dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Kishin dhe kanë plotësisht të drejtë. Gjendja është vërtetë shqetësuese. Por, është koha, mendoj unë, që këto ide, mendime, regime, etj. duhet të sendëzohen (konkretizohen). Atdhetarët shqiptarë, pa dallim krahine, feje, ideje e partie, duhet të punojnë natën e ditën për ta fuqizuar dhe aftësuar kombin shqiptar, që t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e veta. Vetëm atëherë mund të kemi miqë dhe partnerë të “besueshëm”. Të dobtin dhe të varfërin e mëshiron shumëkush, por askush nuk merret seriozisht me te dhe askush nuk ia zgjidhë hallet. Kjo u provua edhe në kohën e lëvizjes “pacifiste” (LDK-së) dhe në kohën e Lëvizjes së amatosur (UÇK-së). Për të njëjtin popull dhe të njëjtën çështje pati sjellje, angazhime dhe veprime të ndryshme… Pastaj, liria jonë dhe bashkimi i kombit shqiptar do të jetë edhe në shërbim të interesave afatgjata të Ballkanit, dhe popujve të kontinentit tonë. Vetëm atëherë Serbia do të ulë bishtin dhe do të mjaftohet me tokën dhe popullin e saj. Vetëm kështu do të vendosen ekuilibrat dhe qëndrueshmëria kaq e nevojshme në Ballkan. Pa bashkimin e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë kuptim as Bashkimi i Evropës, nuk mund të ketë kuptim as integrimi i popujve…