Shqipëria/Aktualitet

Fatmir Arifi: Ku e ka zanafillën fushata kundër gjuhës letrare shqipe?

Jugosllavia kundrejt shqiptarëve ka qenë shtet me tipare gjenocidare!
Ku e ka origjinën fushata kundër gjuhës së unifikuar shqipe?
Pas demonstratave shqiptare të vitit 1981… meqë, burgjet jugosllave ishin stërmbushura me veprimtarë shqiptarë dhe pamundësia për ta shkatërruar autonominë e Kosovës, si rezultat i raportit të forcave të brendshme të Jugosllavisë, atëherë, me iniciativën e Serbisë, nisi fushata shtetërore për shkombëtarizimin e shqiptarëve jashtë territoreve të Shqipërisë Londineze.
Në kuadër të Mbledhjes XXII të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, si dhe Mbledhjes së XIX të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, ndër të tjera ishte diskutuar dhe ishte marrë një seri vendimesh për shkombëtarizimin e gjuhës, kulturës, arsimit dhe historisë kombëtare shqiptare!
Nga shumë pika të këtyre mbledjeve shtetërore antishqiptare me karakter etnocidal, veçova:
1. Retushimi i të gjitha teksteve të shkollave fillore dhe të mesme, që kanë karakter nacional shqiptar;
2. Të gjitha botimet e librave për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ngjyra e kopertinave të librit duhej të përzgjedhejë nga një ekip psikologësh serbë (në këtë fushë ekspertët e artit figurativ, besoj se kanë përgjigje për këtë çështje, se çfar përfaqëson ngjyra në kopertinat e një libri për moshat fëmijërore…, shënim i imi)
3. Në të gjithë librat e leximit të gjuhës dhe letërsisë, historisë, gjeografisë… të hiqeshin të gjitha njësitë me karakter nacional të shqiptarëve dhe të zëvendësoheshin: me njësi mbi Plenumin e Brioneve, mbi ndihmën që gjoja Jugosllavia i paska dhënë Shqipërisë gjatë luftës nacional-çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore…
4. Në nivel Universiteti të Prishtinës: të rishqyrtoheshin dispozitat për regjistrimin e studentëve shqiptarë me qëllim përpjestimi me minoritetin serb. Në këtë pikë, mbi 4 mijë studentë të Universitetit të Beogradit i solli në Kosovë…me synim përmbysjen e paritetit…!
5. Ishte vendosur që në Universitetin e Prishtinës, numri i studentëve shqiptarë të ulej me 19%, ndërsa në shkollat e mesme teknike, në 12%;
6. Ishte vendosur që të shtohejë, në masë të enorme, numri i pedagogëve serbë në Universitetin e Prishtinës dhe në shkollat e larta në Kosovë, (të cilët kishin mision të silleshin sa më arrogantë me studentët shqiptarë)
7. Në kuadër të sistemimit nëpër konviktet universitare, u morën masa të rënda! Kjo kompetencë iu hoq universitetit dhe i kaloi si kompetencë komunave për regjistrimin në konvikte. (Vlenë të theksohet se në këtë kohë, në krye të komunave, drejtonin ose serbët, ose ndonjë shqiptar i shantazhuar nga UDB jugosllave)
8. Për pranimin e studentëve shqiptarë në universitet dhe shkolla të larta, u vendos një seri kushtesh, si: studenti duhej të dënonte demonstratat shqiptare të vitit 1981 si “demonstrata armiqësore”… duhej të luftonte “irredentizmin e nacionalizmin shqiptar….”, etj.
9. Ishte marrë vendim që të ndalohejë pëdorimi në shkolla i mjeteve figurative mësimore të sjella nga Republika e Shqipërisë dhe dënohej çdo arsimtar, profesor që mbante dokumentacionin (regjistrat) vetëm në gjuhën shqipe;
10. Ishte marrë vendim nga organet federative, republikane dhe krahinore që të ndryshohejë një seri emrash të shkollave shqipe.
11. Ishte vendosur që të bëhej përpjesëtim i përcaktuar i të gjitha programeve të Radios dhe Televizionit të Prishtinës, në përputhshmëri me minoritetet tjera, duke diskriminuar qëllimisht kombin shqiptar;
12. E fundit për nga radhitja, por më thelbësorja: strukturat shtetërore jugosllave (serbe), filluan sulmet kundër gjuhës së njësuar shqipe. Sipas tyre, kur u bë unifikimi i gjuhës shqipe, nuk ishte marrë për bazë dialekti i gegërishtes, por ai i toskërishtes. Në këtë pikë, organet shtetërore federative filluan të kërkonin llogari për fajtorët që lejuan zbatimin e gjuhës së njësuar shqipe. (Ja ku e ka zanafillën kjo pikë që edhe sot po synohet të krijohet një gjuhë e dytë brenda shqiptarëve si gjuhë e ndarë nga gjuha e bukur shqipe në një “gjuhë kosovare”!)
P.S: Shkëputur nga një volum dokumtesh arkivore të papublikuara!