Komenti

Xh. Gjini: Buka e botës laku i kokës (populli shqiptar)

BUKA E BOTËS LAKU I KOKËS (Politikë me para ruse!…)

Kryelajmi që ka hapur debat të madh në Kryeqendrën e kombit tonë: Rusia e Putinit e paska ndihmuar me një dorë parash (500 000 dollarë) edhe Partinë Demokratike të Sali Berishës… Shtetet e fuqishme në kohë lufte e në kohë paqeje, për interesa të tyre, kanë përdorur edhe paranë – arin për t’i blerë ose thyer e përçarë krerët e popujve të vegjël. Shembuj te këtillë kemi edhe ne historinë tonë dhe në ditët e sotme. “Paraja e çon ujin përpjet”, thoshin pleqtë tanë. Por, shqiptarët duhet ta kenë të qartë se përkrahja e PDSH – së me 500 000 dollarë nga Rusia e Putinit është vetëm maja e ajsbergut! Para të kësaj natyre dhe të këtyre qëllimeve korruptive antishqiptare kanë hyrë “me thasë” e janë shpërndarë nga qarqe, fonde e shtete që nuk i zë gjumi për dobësimin e unitetit politik, shpirtëror e shtetëror të kombit tonë. Organet e specializuara (nëse i kemi!) do të duhejë të kishin hetuar dhe parandaluar e penguar “ndihmat” e tilla financiare për partitë politike shqiptare, për mediat, për religjionet, për OJQ – të e për fusha tjera jetike për një komb. Ndërhyrje – sulme të kësaj natyre financiare kanë dobësuar shumë unitetin politik, shpirtëror e kombëtar të kombit tonë, duke nxitur dallimet, mosdurimin, përçarjet dhe propagandën e shfrenuar kundër qenies dhe identitetit shqiptar! Shtetet e krijuara në tokën e Shqipërisë duhet të jenë syçelë dhe të “stërvitura” për t’i penguar dhe eleminuar paratë që vijnë në tokën shqiptare për financimin e partive, mediave, bashkësive dhe organizatave fetare, instituteve, shkollave dhe hallkave tjera të sistemit shtetëror e kombëtar. Popujt e shtetet që vihen në gjumë nga paratë apo ari i huaj nuk meritojnë jetën e lirë, të pavarur e sovrane!