VEPËR MONUMENTALE PËR DASHURINË DHE LETËRSINË
(Sabit Rrustemi: “HYJNORJA IME JE TI, vëllimi 1-2”, poezi, Botoi Shtëpia Botuese, “FAIK KONICA”, Prishtinë 2019 dhe HYJNORJA IME JE TI, vëllimi 3-4 ( dorëshkrim i gatshëm për botim).
Sabit Rrustemi, është poeti më i rëndësishëm nga brezi i tij. Që nga fillimet, ai është shqua për krijimin e poezisë lirike të cilën e shkroi me pasion që nga libri i tij i parë “Ku i la lisat era”, Rilindja 1990. Por ajo që bie në sy, dhe që zë vend meritor në tërë opusin e tij letrar është poezia e dashurisë, trajtimi i së cilës nga Sabit Rrustemi është me përkushtim shterues. “Hyjnorja ime je ti, 1-4”, është shkruar për dymbëdhjetë vjet, i ndarë nëpër vite kalendarike libër për libër. Pastaj nëpër secilin muaj të këtyre dymbëdhjetë viteve gjejmë poezi të shkruara të cilat janë përmbledhur në katër vëllime që përcaktojnë stinët e vitit. D.m.th. një mënyrë e tillë e shkrimit të lirikës nuk e ndeshim në letërsinë e sotme shqipe, andaj kjo e bënë autorin të veçantë dhe për mënyrën e shkrimit të vetëm dhe të papërseritshëm.
Si koncept teorik, poezia lirike e Sabit Rrustemit, ka për tematikë dashurinë e trajtuar në të gjitha trajtat e mundshme motivore. Mënyrës se si iu rrekët motiveve, të krijon përshtypjen se s’ka formë të dashurisë që nuk është e përjetuar deri në thellësinë e mundshme të saj. Lirika e dashurisë te poezia e Sabit Rrustemit është ndjenjë, dhe janë motivet ato që e arsyetojnë qëllimin lirik, si pretendime për të prekur format e mundshme të përjetimit real të saj. Parë nga ky botëkuptim lirik, mendoj se poezia e dashurisë nga ky poet është uverturë e mirë për letërsinë tonë, pasi autori ka përkushtim e pasion maksimal për këtë tematikë, dhe jo vetëm për këte. Ai di si rrah zemra, si ndizën motorët, si harlisen pasionet, si manifestohet ëndrra, si shuhen ndjenjat, si zgjatën pritjet, cilat janë paragjykimet për pritjet dhe mosdashjet dhe mbase edhe pasojat e mundshme.
Poezia e dashurisë te Sabit Rrustemi ka prirje moderniste. Poeti posedon aftësi krijuese për t’iu qasur motiveve krejtësisht të veçanta e thellësisht depërtuese. Në sentencë të këtij motivi që prej kohësh mbetet temë obsesive, e cila si rrjedhojë ka ndërtuar një varg metaforash të reja e të vlefshme për kulturën letrare, si nevojë për çasje të re tematike e motivore.
Poezia është rezultat i rrethanave, ambientit dhe ngjarjeve përreth që e plotësojnë një varg figurash poetike, letrare e artistike të cilat shpesh karakteriozohen në formimin e simbolit dhe të simbolikës në poezinë lirike dhe atë të dashurisë të Sabit Rrustemit. Kjo aftësi poetike për ta parë botën të dashuruar, është trajtuar krejtësisht nga këndvështrime personale dhe po aq të ndryshme, duke e bërë poezinë specifikë të kulturës poetike që ka për motiv dashurinë. Ky afinitet për të sendërtuar botën krijuese të parë nën optikën e dashurisë, është krijim i ri, sidomos kur kihet parasysh se ky autor që nga libri i parë nuk iu ka ndarë këtij motivi, ndërsa me katër vëllimshin “Hyjnorja ime je ti”, ai diferencohet nga të gjithë poetët, që kanë bërë përpjekje për të shkruar lirika për dashurinë. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një poet që ka ndërtuar vargun poetik me strukturë magjike të veçantë, sepse këto katër vëllime janë të shkruara për 12 vite rresht. Së këndejmi ka prodhuar vargje të papërseritshme dhe motive që rrallë mund t’i ndeshim në poezinë e sotme shqipe.
Dëpërtimi sa në thellësi, po aq në brendësinë emocionale të përjetimit është sfidë që ky poet e ka arsyetuar me sukses. Bota lirike e Sabit Rrustemit, është e pasur me motive të shumta të cilat në varshmëri të kohës kanë nuancë ndarëse, kurse ngjyrimet dhe shprehjet janë karakteristikë e rrallë. Por asnjë poezi e shkruar në një stinë viti nuk ngjyroset me epitete të ngatërruara të stinës tjetër, madje krijohet përshtypja se varësisht nga moti dhe kushtet klimatike edhe lirika e dashurisë është e hapur, e qeshur dhe relaksuese, pastaj e nxehtë, përcëlluese dhe djegëse deri në palcë. Ato të vjeshtës të vrëra, herë herë monotone që shpërthejnë si reshje shiu, rrëmbyese me uturima dhe frytëdhënëse si frutat në pemë. Të dimrit, natyrisht të ndrojtura, të mbrojtura, frikësuese e sfiduese, por në brendësi më eksploruese. Edhe eklipset qiellore e diellore janë pjesë e ndikimit me motivet emocionale shpërthyese dhe dëpërtuese. Sikur poezinë e këtij poeti ta kishim futur në një labarator që merret me kushtet atmosferike, do t’i shihnim afritë dhe ngjashmëritë klimatike në shprehjet motivore.
Te kjo poezi ka luajtur rëndësi ndikimi i hënës, i diellit, Zeusit dhe asteroideve të tjera. Rrezatimet dhe rrymimet e shumta. Pamja e natyrës dhe veprimi i njeriut në raport me florën e saj. Sidomos në raport me shpezët, zogjtë e ndryshëm dhe shtazët tjera që janë pjesë e faunës poetike, por e trajtuar me kujdes të veçantë dhe njohje të thellë psikologjike. Subjekti lirik dhe motivet e pafundme paraqesin përvojën që ka ky poet me strukturim motivor, kurse tematika e kësaj lirike shoqërohet me detajizime të mendimit dhe porosisë. Nuanca të shumta poetike që janë trajtuar nga rrafshe dhe prizme të ndryshme kanë nxjerrë në pah aspektet të shumta të motiveve në njërën anë, kurse në anën tjetër shprehin dukurinë e qenësisë. E gjitha, parë nga aspekti i konceptit përjetues, çdo gjë duket të jetë në funksion të vlerës lirike dhe artit figurativ. Të gjitha këto ngërthejnë angazhimin poetik të Sabit Rrustemit për të sajuar poezinë e dashurisë element të qenësisë e jetesës, jo vetëm në këta katër vëllime lirikash për dashurinë…
Ndërtimi tipologjik dhe simbolika e vlerës poetike
Ndërtimi tipologjik i figurave simbolike është pjesë e vlerës poetike në poezinë e dashurisë të Sabit Rrustemit. Mjaftë figura në poezinë e tij kanë rolin e metaforës por edhe të simbolit ku shpeshherë kanë kuptim tjetër dhe interpretim të ri, qoftë ky metaforik apo thjeshtë edhe logjik. Ky dublifikim ia rritë vlerën metaforës, ndërsa poezia manifestohet për shkak të simbolikës dhe për vlerën letrare e meditative. Kjo ndjenjë kaq subjektive, është e përshkruar me saktësime, kuptim e përjetim të kompletuar nga vetë jeta e poetit, nga përvoja e tij, nga sfidat të cilat nuk ishin të pakta, kurse zhvillimet kapin harkoren e jetës në të cilën kanë ndodhur ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore – kulturore, pjesë e të cilave ishte vet poeti. Shikuar nga ky prizëm mund të vërehen edhe refuzime të hapura dhe kundërshtime të shumta në vargun poetik, pra edhe në këta libra me poezi dashurie, lirikë kjo specifike, për vetë rrjedhën kohore të krijimtarisë së tij.
Simbolika fundamentale e kësaj poezie mbetet dashuria e trajtuar herë si simbolikë e më shumë si metaforë, dhe herë të tjera e gjejmë si figurë letrare dhe esetike që ia rritë vlerën e pashmangshme që ka tërësia e kësaj poezie, përkatësisht një analogji tematike e botëkuptimit metaforik dhe përjetim real i simbolit funksional e përkatës, i ka dhënë formë përmbajtjes në vargun poetik, e dashurisë përjetim metaforik, qoftë për objektin që merr në shqyrtim ose për subjektin si botëkuptim metaforik për të ndërtuar filozofinë e idesë, si tematikë lirike në kuptimin absolut të këtij mendimi.
Kjo veti poetike është menditim filozofik, përmes të të cilave poetika lirike e Sabit Rrustemit, me dimensionet e saj, në vetvete shprehë dukuritë reale të shndërruara në objekt të ri, për rreth të cilit zhvillohet pastaj tërë lënda poetike, vargu bëhet figurë ndjesore e përjetuese që zhvendoset në metafizikë të procesit lirik duke i dhënë botëkuptim të hyjnishëm nocionit të dashurisë, nga ku buron edhe elementi “Hyjnore” me të cilin e pagëzon tërë angazhimin e vet dymbëdhjetëvjeçar në funksion të lirikës dhe të dashurisë.
Në rrafshin moral, kjo poezi moralizon tërë një shoqëri, të cilën e zhvesh nga patriarkalizmi keqkuptues, për të argumentuar përkushtimin në funksion të argumentit pasi poezia e dashurisë ka mbizotëruar të gjitha vazhdimësitë e mundshme duke dominuar vlerën morale si moralizim artistik i tërë shoqërisë edhe të asaj konservative.
Morali i dashurisë është ndërtuar si botëkuptim, si fe, pranë të cilës predikohen lutjet e përshpirtshme të cilat vëhen vetëm në shërbim të shpirtit që i besojmë a dashurisë që e adhurojmë. Ky kompleksitet i simbolit moralizues është ndërtuar në saje të dhuntisë, si mundësi, si mendësi dhe si përcaktim filozofik, përndryshe nuk mund të krijohej kjo poezi me strukturë tematike kaq të organizuar ashtu siç e ndeshim te katër vëllimshmi “Hyjnorja ime je ti”, që del në pah ai veprimi i përhershëm, të cilin na e shfaq ngeshëm poeti përgjatë librave të tij. Këto mundësi interpretimi, shprehin një pafundësi mënyrash për t’iu qasur, apo për ta pikasur simbolin lirik në poezinë e Sabit Rrustemit e cila në aspektin gjuhësor ka një strukturë artistike që shprehet me aktin e lirikës, përkatësisht me gjuhën e tij mjaftë specifike dhe me karakteristikat e saj daslluese, të veçanata dhe të papërseritshme.
Motivi i dashurisë është një fushë, një pllajë e gjerë e gjatë e papushtueshme, e pashterrshme që rishfaqet e ringjallet kurdoherë në të gjitha fazat e saj jetësore, në të gjitha stinet e vitit me ngjyrimet karakteristike të saj, pastaj motivi për dashuri zhvillon empatinë[1]e lirizmit poetik në çdo muaj të vitit, dhe brenda kësaj edhe çdo orë, e në kuadër të ditës në çdo sekondë të saj, qysh herët në mëngjes e gjerë në muzgun e mbrëmjes, madje edhe gjatë natës me hënë dhe ditës me diell. Në këtë njëzetekatër orësh, motivi i dashurisë transformohet gjithmonë nga këndvështrimi i librit “Hyjnorja ime je ti”, ku do të zhvillohet procesi i dashurisë në çdo sekondë të ditës që e jetojmë, andaj ky motiv, parë nga struktura e zhvillimit të saj, krijon metafizikën si proces dhe botëkuptim i jetës, ndërsa dashuria mbetët pjesë e strukturalitet organik të saj.
Shtresimet poetike janë të shumta, motivi i dashurisë strukturohet jo vetëm si botëkuptim, por si nyjëzim i gjithanshëm i saj. Prandaj semantika poetike e kësaj lirike është dashuria, në vorbullën e saj zhvillohen metaforat poetike bashkë me të gjitha figurat letrare dhe estetike, që formësojnë simbole të shenjësuar me emra konkret topik e shpesh të imagjinuar, duke i bërë shenja të dallueshme të kësaj poezie, e cila, dorën në zemër është artistike e veçantë dhe specifike. Ky sistem poetik është realizuar falë muzës krijuese të poetit, i cili pastaj këtë muzë e ka zhvilluar dhe emancipuar për të vënë në funksion të poezisë. Ky kohezion në mesë simbolit dhe metaforës është realizuar si funksion kuptimor dhe në të njëjtën kohë ka shprehur vlerë artistike të lirikës poetike. Ky mishërim poetik shfaqet si botëkuptim i përhershëm në vargun poetik të Sabit Rrustemit i cili ka arritur ta materializojë idenë në funksion të poezisë e cila pasqyron të gjitha zhvillimet evulitive e metaforike në funksion të realitetit që ai vet e ka jetuar a përjetuar, qoftë ky edhe si afekt i imagjinuar. Kjo tematikë, shumëdimensionale është veçori e autorëve të përkushtuar dhe të lidhur me një tematikë të caktuar, të cilës mëtojnë për t’i shkuar deri në fundin e përjetimit real dhe shpirtëror, andaj në rastin konkret, Sabit Rrustemi ka realizuar këtë vepër monumentale për vete e letërsinë e shqipe, jo vetëm si koncept organizativ por edhe për mundësinë e ndjenjës për të përjetuar dashurinë në mënyrë të magjishme.
Në shumë aspekte, dhe në po aq forma, motivi i dashurisë është parë nga shumë anë, nuanca të cilat jo gjithësecili mundet t’i kap në nivelin e imagjinatës që ka Sabit Rrustemi, i cili figurshmërisë së ëndrrës i ka bashkëngjitur edhe epitete të tjera duke e personifikuar dashurinë Hyjnore, madhështore dhe qiellore që esencialisht mbetën të lidhura me dashurinë. Ai dashurinë e lidhë me të gjitha format e ndjenjës; si dëshirë, si pasion, si projeksion, madje si jetë pa të cilën ekzistenca nuk ka efektin e saj që ka. Kjo ndjenjë lirike e bën motivin për dashuri më universal, më gjithëpërfshirës dhe kozmopolit.
Ky abstraksionizëm lirik e poetik ka bërë të mundshme që poeti të jetë i lidhur me tokën e qiellin, me florën që ka treva e Karadakut, veçmas Çepuri, që si topikë është simboli më karakteristik i poezisë së Sabit Rrustemit, ku lidhen të gjitha motivet, jo vetëm lirike por edhe patriotike me të. Vend të veçantë ky simbol ka zënë edhe në katërvëllimishn poetik “Hyjnorja ime je ti”, prandaj mund të them se me Çepurin, simbolika karakteristike bëhet e veçantë dhe dalluese, në të njëjtën kohë dhe më universale e përgjithësuese.
Dashuria, simbolikë e jetës
Dashuria lirike gjenë interpretim të saktë e të ri në poezinë “Hyjnorja ime je ti”. Kjo simbolikë është e kushtëzuar me jetën që determinon pasionin poetik për dashurinë dhe për të zgjatur jetën, përkatësisht jeta pa dashuri si nocion figurativ është e pavlefshme. Shikuar në përgjithësi ky ngjyrim lirik përjashton veten e autorit, pasi simbolika e dashurisë përfaqëson jetën e njeriut si botëkuptim metafizik i këtij procesi i cili formëson simbolikën për jetën, si kuptime të thella dhe lloje e asociative e metaforike. Shkalla e interpretimit të nocionit mbi dashurinë është e pafundme, është një qendër nga e cila nisin frymëzimet e poetit që pastaj i jep lirinë e mendimit për t’i krijuar mundësinë e interpretimit, si vlerë e shumë kuptimësisë figurative e poetike.
Dashuria në poezinë e Sabit Rrustemit është përjetimi asociativ për jetën, pa të cilën ky poet nuk e sheh as ekzistencën e tij personale, madje në kuptimin më të gjerë as botën njerëzore, madje as atë animale të cilat manifestojnë dashurinë e tyre, sikurse edhe bimet që kanë funksionin e dashurisë i cili mund të realizohet përmes mënyrave të fekondimit, për mbarësim dhe pjellërim të suksesshëm. Filozofia e dashurisë është figuracion lateral[2], botëkuptimi mbi arsyen e ekzistencës së realizimeve, pra është figurë letrare me simbolikë të ripërsëritshme, ose të ripërtëritur orë e çast. Ky transformim figurativ i filozofisë së dashurisë është emancipim i lirikës poetike që kurdoherë lidhet me nocionin mbi dashurinë. Parë nga ky prizëm duket se poeti ka formalizuar nocionin lirik si veprim shqisor dhe si manifestim ndijor në kërkim të qëllimit parësor të semantikës së dashurisë, qoftë si pozicion narrativ në qasje poetike, parë nën prizmin e zhvillimit evolutiv të këtij procesi, sa lirik po aq ndijesor, varësisht nga trajtat e qasjes së lirikës poetike.
Dashuria si motiv dhe si figurë poetike është trajtuar në të gjitha format e mundshme dhe nga poezia në poezi manifestohet ndryshe nga koncepti klasik i kuptimit të saj, me mundësi të shumta të interpretimit është realizuar në koherencë të rrjedhës jetësore në njërën anë, e në anën tjetër polivalenca e saj merr ngjyrime tematike varësisht muajit dhe stinës kur është shkruar, madje ka rëndësi edhe koha kur është shkruar, sepse nëse është shkruar në mëngjes merr ngjyrimet figurative të mëngjesit, nëse në mesditë, kemi vapën, kurse mbrëmja shoqërohet me muzgun që bie si dhe elementet përcjellëse të mbrëmjes. Ndërsa nata e errët stoliset me figurën e hënës ose të yjeve që janë integruar si pjesë e materjes poetike. Karshi këtyre elementeve, nuk duhet përjashtuar as kushtet atmosferike në të cilat janë shfrytëzuar si figurë shtesë që përplptësojnë karakterin poetik të poezisë lirike e cila temë obsesive ka dashurinë, kurse si materje gjithmonë është në lëvizje. Prandaj edhe poezia është proces, dashuria është rrjedhë e filozofisë jetësore dhe e ndikimeve që kanë nxitur muzën krijuese të poetit Sabit Rrustemi.
Dashuria është komplekse, kurse poeti ka arritur të identifikojë materjen e jetës dhe të futet vet në vorbullin e saj për t’i përjetuar e identifikuar disa përjetime të cilat shpesh lidhen me jetën reale që atë e rrethon. Si askund tjetër, dashuria në lirikën poetike te “Hyjnorja ime je ti”, ku mund të pësojë forma dhe trajta, edhe pse në secilën formë ajo kap trajtë të re, kurse si tematikë është trajtuar edhe nga të tjerët, por te ky poet shihet se ndryshon interpretimi. Dashuria si interpretim i mundshëm jep konotacione të shumta asociative që na bënë të mundshme për të kuptuar gjendjen gjithmonë relaksuese të poetit, për dëlirësinë shpirtrore dhe momente të shumta në të cilat poeti përmes lirikës i shkarkon të gjitha emocionet epshërore a të ndjenjës që mund të ketë, të paktën hipotetikisht ( mendoj unë ), sepse poeti imagjinatën e vet e ka futur në funksion të realizimit të ëndrrës lirike, përmes së cilës ka realizuar momente të pakapshme për syrin e vrojtuesit pasionant.
Në përgjithësi, poezia ka rrjedhë logjike, realizim të përpiktë të koncepti poetik , ndërsa mjetet tjera artistike i ka futur në funksion të eksperimentit letrar, ku ndjenja e përjetuar kalon mbi pasionin e veprimit verbal. Sidoqoftë autori ka realizuar një kompozicion logjik dhe kjo ka të bëjë me njeriun e paramenduar, për të trajtuar dashurinë në të gjitha trajtat e përjetimit të mundshëm të saj. Vargjet kanë rrjedhë ujvare, kanë muzikalitet sa shpesh të bëhet se poeti ka bërë vetëm përshkrimin kronik të ngjarjes së përjetuar. Kjo strukturë tematike, nënshtresohet edhe në kuptime të tjera duke krijuar një polivalencë mendimesh të ndryshme, po ashtu ka krijuar figuracione të përjetuara thellë, duke pasur në nuancë përjetimi dhe ndryshimin e saj, duke shkuar gjerë në skajin e përjetimit lirik me rrjedhë mbresëlënëse.
Motivi i dashurisë është referencë koherente, strukturë tematike e sistemuar si vetëdije e tekstit letrar, apo e sistemuar si nënvetëdije e emocionit figurativ, mbresëlënës dhe me shkëndija floriscencës[3]. Motivi i dashurisë, qoftë edhe si simbolikë e dashurisë përmes vargjeve realizon ëndrrën si përjetim, qoftë si vizion letrar duke e bërë këtë poezi të papërseritshme, të vetme e të veçantë, në të gjitha trajtat e trajtimit figurativ të saj. Ky gjakim e bën poetin këmbëngulës në kërkimin e vlerës estetike e cila edhe në këtë plan, është i realizuar suksesshëm. Tërësia tematike e motivore, gjithsesi e bënë katër vëllimishin e “Hyjnorja ime je ti”, vlerë kapitale në letërsinë moderne shqipe, veçmas për lirikën e dashurisë, e parë në kuadër të Dymbëdhjetëshit magjik. Ky detajizim poetik është i lidhur ngusht me ndijimin si përjetim dhe me aftësinë krijuese si mbindërtim figurativ i këtij detajizimi, fenomene këto të lidhura me tematikën e lirikës së dashurisë, e cila si tipar dallon edhe për qasjen dhe thellësinë vrojtuese në depërtimin e saj.
Gjithsesi lirika e dashurisë në katër vëllimshin“Hyjnorja ime je ti”, ka shënuar avancim të ndërtimit meditativ që përjetohet si qasje më e sofistikuar, si mendim dhe si lirikë estetike më mirë e realizuar, nëse krahasohen me poezitë paraprake të këtij poeti, në të cilën ka trajtuar motivin e dashurisë. Jo pak poeti ka dëpërtuar deri në thellësi të përjetimit emocional, deri në skajmërinë e mundshme të përceptimit duke e futur në thelbin esencial të fenomenit lirik. Kjo lidhje zingjirore e motiveve të përjetuara kanë zhvillim të ngjarjes, qoftë edhe vetëm në një fazë të krijimit poetik, që pastaj është degëzuar e rrjetëzuar si indet në trupin organik, atëherë kur aktivizohen në çaste reale të veprimit, referencë e ndërlidhur me figura mitike, dhe shpesh i ndikuar nga ato. Por poeti suksesshëm ka realizuar vargun në funksion të qëllimit të lirikës së dashurisë, tematikë që nuk ka shteruar dhe as është mbyllur, pra as në këta katër libra që i kemi në shqyrtim.
Ky gjakim krijues, nuk mund të klasifikohet si ëndërr as vetëm si imagjinatë, pasi elemente të caktuara janë rezultat i përjetimit, vetëm se estetikisht është zbukuruar aspekti figurativ i imagjinatës, përkatësisht muzës krijuese. Delikatesa e kësaj poezie i ka specifikat e veta, veçanërisht kur ajo përfiton sistem të ri vlerash, me një estetikë të realizuar dhe me përjetimin e subjektit lirik si gjakim i përhershëm, si koncepti më origjinal i shprehjes poetike për poezinë, për filozofinë e saj dhe për mesazhin që bartë përbrenda, si cilësi që përsonifikon dashurinë si elementi më ekzistencial jetësor. Në këso rastesh, harlisja e poetit nga dashuria mund të ndeshet në secilën poezi, ndërsa muza e poetit vazhdimisht shpie në këtë drejtim.
Poeti, te poezia e dashurisë gjenë prehjen, ngrohtësinë dhe jetën. Jo vetëm kaq, ai për dashurinë flijohet dhe ringjallët, si statuja në piedestal, përsëri. Muza e tij krijuese ka prekun fantazitë e mundshme, sa që shpeshherë kur kemi menduar se përtej kësaj poezie s’ka më ku shkon, në ditët vijuese, po nga ky poet kemi lexuar poezi të tjera po aq të realizuara, të fisme dhe përjetuese dhe që ka përjetësuar më ndryshe botëkuptimin filozofik mbi dashurinë dhe jetën si dy nocine që nuk mund të qëndrojnë njëra pa tjetrën.
Ambienti ku kryesisht është vendosur kjo krijimtari lidhet me Çepurin, topikë kjo për tipologjinë e fjalës së shkruar artistike e cila ka zgjuar e zgjeruar imagjinatën krijuese i frymëzuar nga pamjet vizuele, prandaj simbolika e topikës dhe simbolet tjera janë pjesë e universit krijues në të cilën shndërijnë jo vetëm metaforat por edhe topika, tipologjia, ku bashkë me zogjtë që jetojnë në këtë maje mali përbëjnë atë mozaikun kulturor për të cilin jam i vendosur për të dëshmuar se: Sabit Rrustemi, me librat “Hyjnorja ime je ti, 1-4”, i ka ndërtuar vetës një përmendore, e ka vënë vetën mbi të, dhe ka ngritur dorën si fitues i një beteje, e cila të paktën nga këta libra shihet se paska zgjatur dymbëdhjetë vjet.
Ky mendim mund të përjetohet nëpër vargje nga libri në libër, dhe duken sikur janë imazhe vizuale të gjallërimit dhe të dashurisë. Ky përsonifikim poetik është arritur në marrëveshje me figurat dhe simbolet tjera poetike të cilat ai i ka përzgjedhur për të ilustruar imagjinatën, kurse në aspektin figurativ, kjo poezi është realizuar kaq mirë vetëm duke bërë krhasimin me fenomenet natyrore ose të paktën krahasimi është lidhur me ato lule ose zogj që personifikojnë të mirën dhe artistikën. Kjo ndjenjë poetike, i ka shërbyer poetit për të ndërthurur botkuptimin lirik mbi dashurinë, motiv i cili është tërë esenca e kësaj poezie përplot me jetë dhe gjallëri.
Dashuria është ndjenja e tij personale, së këndejmi është edhe fgurë poetike, e cila më shumë përjetohet si metaforë që shpreh ndjenjë dhe pasion lirik, shpreh metamorfozën e dashurisë, nocionit më sublim të Hyjnores, qoftë si figurë biblike apo si korpus i zgjeruar lirik sepse katër vëllimëshi poetik “Hyjnorja ime je ti”, ngërthen tërë angazhimin jetësor të poetit, përkushtimin e pafundmë për lirikën e dashurisë, prandaj vetëm një qasje e tillë ka nxjerr në dritë këto perla poetike e cila të shtynë të duash dhe të hulumtosh burimin e saj, rrjedhën e jetës dhe zhvillimin kaq të frytshëm të këtij vargu me ndjenja përjetimi. Kjo gamë prurëse shprehur si tërësi e veprës katër vëllimëshe është poezia më e bukur lirike që ka përjetim real, tingëllimë të lirikës popullore, thellësi filozofike e pse jo edhe psikologjike. Ky motiv kaq lirik me topikë të ngulitur në Çepur, toponim real, por që ndërtohet herë si figurë e krijuar dhe herë të tjera si topikë – vend, ku e mbi të cilën është ndërtuar e zhvilluar jeta e poetit. Gjithsesi poezia, shpreh botëkuptimin real të përjetimit si ndijim shqisor e shpirtëror. Metaforë kjo që i ngrit këto ndijime në art letrar. Shpeshherë na duket një dorëzim i poetit, pafuqi e tij për t’i rezistuar dashurisë, prandaj nëse kemi ndjenjë të shkriftë edhe vargun e kemi më melankolik, i cili shfaqet si rezultat i ndjenjës së përjetuar, i afshit emocional,i çastit të caktuar, kurse në varg vetëm sa bëhet konkretizimi, përkatësisht artikulimi i duhur, gjë që e kemi të theksuar në titullin e librit si ndjenjë Hyjnore dhe e papërsëritshme.
Motivet e dashurisë edhe pse janë të shumta, edhe pse janë të shumëllojshme ato gjithnjë janë të konkretizuara në vargun poetik. Janë nuanca të realitetit, qoftë përjetues e qoftë ekzistues dhe shfaqën si kurorë e ylbertë mbi Çepurin, qoftë si topikë e qoftë si epikë e lirikës poetike. Përmbajtja e motiveve lirike shprehet si njësi leksikore e kuptimore e fjalëve dhe vargjeve, që janë shprehje e ndjenjës dhe përjetimit, e vuajtjes si metamorfozë e përjetuar, si shprehje e nuancuar dhe si botkuptim metafizik i procesit lirik që shënon çaste të përjetuara në ndërdijen e poetit.
Numri magjik Dymbëdhjetë
Sabit Rrustemi, si asnjë poet tjetër ka sendërtuar në mënyrë të magjishme simbolikën e numrit Dymbëdhjetë. Poezitë e botuara në 4 vëllime, simbolizojnë edhe vitin kalendarik 2009-2020. Katër vëllimet e kësaj kryevepre, përmbledhin brenda kopertinave të veta, gjithsejt Dymbëdhjetë libra, të emërtuara “Libri i parë: InTima 2009” …. e deri te vëllimi i katërt, “Hyjnorja ime je ti, 4”, që përmbyllet me “Librin e Dymbëdhjetë: InTima 2020”.
Numri magjik Dymbëdhjetë ka kuptim të jashtëzakonshëm në të gjitha kulturat e botës. Në një përrallë shumë e njohur kudo në Evropë, e shkruar nga vëllezrit Grimm[4], janë edhe “Dymbëdhjetë shërbëtorët dembelë dhe dymbëdhjetë gjuetarët”[5]. Ndërsa Andersen rrëfen se si dymbëdhjetë muajt e vitit që do të fillojnë, kalojnë në qytet në natën e Vitit të Ri[6].
Numri magjik “Dymbëdhjetë” është trajtuar edhe në matematikë pasi ka një veti karakteristike: Dymbëdhjetëshi “është numri tredimensional i puthjes”[7]. Edhe si “dukuri natyrore”, pasi në gishtat e njërës dorë mund të formulohet numri magjik Dymbëdhjetë, nëse i numërojmë falangat e gishtrinjëve të të njëjtës dorë me gishtin e madh[8].
Pikërisht sipas kësaj teorie, nëse me gishtin e madh të dorës i prekim ndarjet (falangat), në katër gishtat e të të njejtës dorë do të kemi edhe këtë formulim: Katër gishtrinjë përfaqësojnë katër stinët e vitit, dhe në të njëjten kohë janë edhe katër librat e Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti, 1-4”. Nëse me gishtin e madh prekim ndarjet në gishtin tregues, do të shohim se i kemi tre ndarje, edhe gishti i mesëm ka po aq ndarje, sikurse gishti i unazës dhe ai i vogli që kanë po nga tre ndarje. Nëse këto ndarje i emërtojmë me muajt e vitit, fitojmë dymbëdhjetëshin magjik. E nëse ndarjeve-falangave nëpër gishtrinjë ua vëjmë numrin rendor të vitit kalendarik, që nga “Libri i parë: InTima 2009”, e gjerë te fundit “Libri i Dymbëdhjetë: InTima 2020”, do të fitojmë 12 cikle poetike të ndara në libra, që përkojnë me 12 vitet e sistemuara në këta 12 Libra te “Hyjnorja ime je ti”, e derisa të katër gishtrinjtë përfaqësojnë stinët e vitit, në rastin konkret, dhe në të njëjtën kohë, ata simbolizojnë edhe katër vëllimet e Hyjnorjes…
Në katër vëllimet, “Hyjnorja ime je ti”, numri magjik Dymbëdhjetë, përkon me numrin e muajve të vitit kalendarik 12 sish, të sistemuar në katër stinë të vitit. Edhe tek librat e Sabit Rrustemit e kemi një perudhë kohore prej 12 vitesh, dhe në secilin vit kalendarik, ndeshim numrin magjik Dymbëdhjetë që lidhet edhe me dymbëdhjetë muajt e vitit. Ndërsa në anën tjetër kolona e “Hyjnores…”, është e përbërë prej katër vëllimeve, secili i ndarë në libra poetikë, të emërtuar “Libri: InTima”, ku në secilin libër kemi poezi të shkruara nëpër secilin muaj të vitit, dhe jo krejt rastësisht poeti ka ndërtuar edhe në këtë plan mozaikun e papërseritshëm të numrit magjik “Dymbëdhjetë”.
Nëse këta 12 vjet do t’i shumëzojmë për numrin magjik “Dymbëdhjetë” të muajve kalendarik, do të fitojmë numrin magjik 144, i cili ka të bëjë me murin e qytetit në Jeruzalem që ka dymbëdhjetë gurë themeli dhe mbi ta dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve, kurse dymbëdhjetë portat[9], ishin ideal tipik i dishepujve të Jezusit[10], andaj në Dhiatën e Vjetër, “Dymbëdhjetëshi” është numri i bijve të Jakobit dhe rrjedhimisht i fiseve të Izraelit, po edhe i Dymbëdhjetë fiseve tona.
Në të njëjtën kohë, vetëm në Bibël do të ndeshim 144 herë të shqiptuar numrin magjik Dymbëdhjetë. Kurse në islam, “Dymbëdhjetë Shiitët”, janë po aq imamë si pasues të profetit Muhamed. I dymbëdhjeti, Muhamed al-Mahdi, i ashtuquajturi Imam i fshehur, thuhet se pritet të kthehet në botë si një shpëtimtar, prandaj sipas kushtetutës iraniane, ai është kreu nominal i shtetit[11].
Përveç këtyre që theksuam numri magjik 12 është edhe numri i shenjave të Zodiakut, që është marrë për bazë në ndarjen e kohës, 12 orë ditë dhe 12 natë.
Në liturgjinë biblike, numri magjik Dymbëdhjetë ka zënë vend të meritueshëm. Ta zëmë edhe 12 Frytet prodhohen nga Fryma e Shenjtë: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, butësia, mirëdashja, shpirtgjerësia, butësia, besnikëria, modestia, maturia, dëlirësia. Pothuajse të gjithë këto shenja biblike, i gjejmë në poezinë e Hyjnores…, duke i shtuar shenjat e veta autonome, si puthje, lule puthje e luledashuri, herë në formë simboli e herë tjetër si metaforë lirike, të cilat, tashmë janë pjesë e poetikës së dashurisë të Sabit Rrustemit, i cili ka shkruar librin më monumental në letërsinë shqipe, dhe figurativisht dashurinë si simbol poetik e ka shndërruar si në “Dymbëdhjetë Yje” që zbukurojnë kurorën rrezatuese të Nënës së Zotit”[12].
Së këndejmi, edhe Flamuri i Bashkimit Evropian ka “Dymbëdhjetë Yje”[13] të artë si sinonim i unitetit, që nuk ka të bëjë fare me numrin e vendeve anëtare, prandaj nuk do të ndryshojë as kuptimi abstrakt i tij. Por kur të futemi në thellësitë e mitologjisë biblike, mund të shpjegohet edhe ky abstraksion magjik dhe mund të zbërthehet enigma e simbolikës së Dymbëdhjetë Yjeve të arta Evropiane.
Pa asnjë dyshim, katërvëllimshi “Hyjnorja ime je ti, 1-4”, përveçse “janë dëshmia më e mirëfilltë artistike e punës krijuese të Sabit Rrustemit, gjithashtu edhe në rrafshin e lartë shtjellues e shprehës të poezisë shqipe të këtij lloji në përgjithësi”[14]. Me të drejtë redaktori i kësaj kryevepre, prof. dr. Anton N. Berisha, shprehet: “Asnjë poet i yni deri më sot nuk ia doli të japë një mozaik poetik kaq të veçantë e kaq të pasur për dashurinë”!…
Përfundim
Në kërkim të këtyre njësive tematike e motivore duhet parë lirikën e dashurisë e cila është strumbullari i kësaj qasje kritike, e cila grishë (fton ) për një studim edhe më të kompletuar.
Poezitë e Hyjnores … nuk janë iluzione por janë përkushtime artistike për të kompletuar mozaikun e tërësishëm të mundësisë shprehëse dhe aftësisë për të përjetuar si duhet metamorfozën e dashurisë e cila shkon në dy kahe:
E para, si manifestim biologjik përcakton ndryshimin e trajtës së jashtme të një procesi empatik, përkatësisht procesi i përjetuar emocionalisht që shprehet përmes reagimit të syve dhe mimikës së individit, mënyrë e shenjës, e sinjalizimit si refleksion i cili kalon shkallë – shkallë duke konkretizuar metamorfozën e procesit të ndijuar – përjetuar mirë.
Dhe e dyta: si shprehje lirike, paraqet ndryshimin e madh estetik të vargut lirik, që mund të kategorizohet si metamorfozë e ideve në sendërtimin e motiveve dhe të simbolit poetik.
Në të gjitha poezitë e kësaj kryevepre, poeti i shfaqë këto ndjenja të përjetuara, në nivelin e ideve mirë të konkretizuara, që janë përpjekje e poetit për të ndërtuar botëkuptimin lirik në funksion të dashurisë si një nocion më i thelluar kuptimor, ku në pikëpamje tematike po dhe në planin estetik, shënon suksesin më të lartë të kësaj poezie në letërsinë tonë.
*Shkëputur nga një studim më i gjatë…
[1] Empátheia, (greqisht/ εμπάθεια), term që ndërlidhë marrëdhënien emocionale të autorit me lexuesin e tij.
[2]Anësore/devijuese
[3]Fluorescenca (fluorɛsˈt͜sɛnt͜s), është emetimi spontan i dritës.
[4]WorldofTales, “Fairy tale by The BrothersGrimm”;https://www.worldoftales.com/fairy_tales/Brothers_Grimm/Margaret_Hunt/The_Twelve_Brothers.html#gsc.tab=0
[5]FromWikipedia, “The TwelveBrothers”,https://en.wikipedia.org/wiki/The_Twelve_Brothers#:~:text=%22The%20Twelve%20Brothers%22%20(German,in%20The%20Red%20Fairy%20Book
[6]The HansChristianAndersenCentre;https://andersen.sdu.dk/vaerk/hersholt/TwelveByTheMail_e.html
[7]BrigitteLutz-Westphal, profesoresha e matematikës në Universitetin e Berlinit.Artikulli, “Geheimnisvolle 12: Wases mit derZahlaufsichhat”; https://www.sonntagsblatt.de/artikel/spiritualitaet-mystik/geheimnisvolle-12-was-es-mit-der-zahl-auf-sich-hat
[8] Po aty, Brigitte Lutz-Westphal, profesoresha e matematikës në Universitetin e Berlinit.Artikulli, “Geheimnisvolle 12: Was es mit der Zahl auf sich hat”;https://www.sonntagsblatt.de/artikel/spiritualitaet-mystik/geheimnisvolle-12-was-es-mit-der-zahl-auf-sich-hat
[9]Po aty, Sontagsblatt: https://www.sonntagsblatt.de/artikel/spiritualitaet-mystik/geheimnisvolle-12-was-es-mit-der-zahl-auf-sich-hat
[10] Shih; “Dhjata e re”. Në Bibël, Jerusalemi ka një mur qyteti që është 144 kubitë ose 12² kubitë i lartë. Krahaso; Bedeutung der Zahl Zwölf (12): Numerologie, Erklärung; https://www.bedeutungonline.de/bedeutung-der-zahl-zwoelf-12-numerologie-erklaerung/
[11]Wikipedia; https://de.wikipedia.org/wiki/Zw%C3%B6lf
– Krahaso: “Bedeutung”, https://www.bedeutungonline.de/bedeutung-der-zahl-zwoelf-12-numerologie-erklaerung/
[12] Zahlenmystik; https://www.heiligenlexikon.de/Glossar/Zahlenmystik.html
[13]Handelsblatt “Warumhatdie EU-Fahnezwölf Sterne?”; https://www.handelsblatt.com/technik/das-technologie-update/frage-der-woche/europa-warum-hat-die-eu-fahne-zwoelf-sterne/9162882.html
[14] Anton N. berisha, “Shënim shoqërues i redaktorit”, botuar në dy vëllimet e para, “Hyjnorja ime je ti”, Prishtinë 2019.