Shqipëria/Aktualitet

Tefta Cami: Një takim mbresëlënës në Ditën e Jetimëve në Bashkinë e Tiranës

NJË TAKIM MBRESËLËNËS NË DITËN E JETIMËVE NË BASHKINË E TIRANËS

Më 20 maj të këtij viti, Bashkia e Tiranës me inisiativen e propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, z.Ilir Çumani, organizoi takimin në sallën e Këshillit Bashkiak me disa personalitete të kulturës e arteve dhe të sporteve, që ishin rritur jetim dhe kishin realizuar arritje të shquara në fusha e sektorë ku kanë punuar e vazhdojnë të punojnë.

 

Për caktimin e miratimin e datës 20 maj si Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve është ndjekur kjo ecuri sipas dokumenteve:

  1. ” Akademia e Shkencave

PROPOZIM

Paraqitur nga Akademia e Shkencave dhe Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Servet Pëllumbi:

Duke marrë në konsideratë realitetin e ri dhe ndryshimet e mëdha që po kalon Shqipëria, si një vend demokratik, që po ndërton një të ardhme të re në prag të integrimit evropian, duke vlerësuar që tashmë në Shqipëri po krijohet një konsensus mbi politikën dhe zhvillimet ekonomike, shoqërore e humane, i cili shprehet në angazhimin serioz për të vendosur njeriun në qendër të zhvillimeve tona do të dëshironim që paradigma e zhvillimit Njerëzor të zbërthehej dhe më tej në fushën humane, për t’ju përshtatur plotësisht kushteve të vendit. Shqiptarët janë jo vetëm krijues, por dhe bartës të humanizmit dhe si të tillë, zenë vend me dinjitet midis vendeve të qytetëruara. Shqipëria bën pjesë në qytetrimin dhe humanizmin perëndimor dhe evropian. Nga mbrojtësi i qytetrimit perëndimor Skënderbeu, e gjer tek nënë Tereza, gruaja shqiptare më e famshme e botës, shfaqet dashuria e këtij qytetrimi dhe humanizmi i kombit shqiptarë ka patur dhe ka shumë rezerva dashurie dhe humanizmi në brendësinë e vet. Evropa e sotme ka nevojë për këtë humanizëm, ndërsa ne si shqiptarë kemi nevojë për përkrahjen e Evropës, si dhe për ndihmën e dashurinë ndaj njeri-tjetrit. Por shoqëria shqiptare nuk mund të jetë një shoqëri e qytetruar në qoftë se nuk heq pak nga vetja për të ndihmuar ata që janë në nevojë, jetimët, të braktisurit, të paushqyerit, të rrezikuarit nga krimi i rrugës. Shpirti njerëzor shqiptar duhet të mbetet i gjallë dhe dashuria njerëzore duhet të ngrihet mbi gjithçka.

Në këtë kontekst, ne i propozojmë Kryesisë së Kuvendit Popullor për të shpallur 20 Majin si:  “DITA KOMBËTARE NË NDIHMË TË JETIMËVE”.

Ndihma ndaj kësaj bashkësie është plotësisht e realizueshme pasi mundësitë ekzistojnë. Është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë të legjitimojë këtë Datë, të frymëzuar nga një inisiativë humane në shërbim të së ardhmes së përbashkët.

Kryesia e Akademis së Shkencave

Kryetari

Ylli Popa

Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptar

Drejtori i Përgjithshëm

Ilir Çumani”

  1. Ky propozim është shqyrtuar në Kryesinë e Kuvendit dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë Ligj Nr. 9233, datë, 13.5.2004 Për një shtesë në Ligjin Nr. 8153, datë 31.10.1996

“Për Statusin e Jetimëve”

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Vendosi

Neni 1

Në Ligjin nr.8153, datë 31.6.1996 “Për Statusin e Jetimëve”, pas nenit 1i shtohet neni 18/1 me këtë përmbajtje:

Neni 18/1

Data 20 maj shpallet “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kryetari

Servet Pëllumbi

III.   Republika e Shqipërisë

Presidenti

Në mbështetje të neneve 93 dhe 84, pika 1, të Kushtetutës

Dekretoj

Shpalljen e Ligjit nr.9233, datë 1e.05.2004 “Për një shtesë në ligjin nr. 8153, datë 31.10.1996 “Për Statusin e Jetimit”

Nr. i Dekretit 4240

Tiranë, më, 08, 06, 2004

Presidenti i Republikës

Alfred Moisiu ”

I paraqita këto dokumente, për t’i patur si kujtesë Bashkitë e Njësitë Administrative, Prefekturat dhe Shoqëria Civile, për t’u kujdesur për jetimët, që të rriten e bëhen shtetas të shëndetëshëm e të qytetëruar dhe të barabartë me moshatarët e tyre në Republikën e Shqipërisë.

xxx

Në këtë takim të ditës së jetimëve na nderoi me pritjen dhe përshëndetjen e përzemërt n/kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi, një kuadër i përgatitur e buzagaz dhe dashamirës e me perspektivë.

Kjo pritje nga n/kryetari i Bashkisë së Tiranës me disa personalitete të shquara, që kanë qenë rritur jetim, janë një model e shpresë për fëmijët jetim të tanishëm, që janë të lirë dhe i kanë kushtet e mundësitë për t’i zhvilluar prirjet e aftësitë e tyre dhe për të bërë karrierë, për të realizuar synimet e projektet për t’u bërë elitë në sektorë të ndryshëm të jetës në Shqipëri.

Secili nga ne pjesëmarrësit kishim një histori për të treguar, se si kishim mbetur jetim nga që baballarët na ishin vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat pushtuese nazifashiste, se si ishim rritur me shumë kujdes dikush në Shtëpitë e Fëmijve dhe dikush në konvikte. Kishim për të treguar për arsimimin dhe punët që kemi bërë dhe konkluzionin që kemi arritur: “Kush mëson e punon në interes të familjes e të Atdheut në të gjitha sistemet, fiton”.

U vlerësua me Dekoratën e Lartë drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të fëmijve jetim shqiptarë z.Ilir Çumani dhe ishin të pranishëm, si dhe disa prej tyre u vlerësuan me Çertifikatë Mirënjohjeje këto:

  1. z.Bejkush Birçe-ish trajner i ekipit kombëtar të futbollit, që  mban titullin “Mjeshtër i Madh”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës.

Eh, kush nuk e njihte Bejkush Birçen në ato vite dhe jehona e sukseseve dhe e përvojës së tij dëgjohen e praktikohen edhe sot. Puna e përkushtuar e profesionalizmi e bëri, që të ishte i suksesëshë dhe i njohur në Shqipëri. E ka filluar karierën si mësues i edukimit fizik në Vlorë dhe ka vazhduar si trajner ekipi i futbollit në rreth, trajner i ekipit “Partizani” të futbollit, trajner i ekipit “Kombëtar” të futbollit dhe kryetar i Klubit Dinamo. Ka punuar me pasion e përkushtim të madh për edukimin fizik të brezit të ri dhe për stërvitjen e sportistëve të futbollit të ekipit “Partizani” e të ekipit të futbollit të “Kombëtares”, që ka ndikuar në rritjen e krenarisë të shqiptarëve me fitoren e ekipit kombëtarë në disa ndeshje të kampionateve europiane.

  1. z.Bujar Asqeriu-aktor dhe mban titullin “Nderi i Kombit”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Aktori i dëgjuar ka ecurinë e tij të rritjes e shkollimit. Pas mbarimit të ILA ka punuar si aktor në Teatrin e Vlorës, ku ka spikatur talenti i tij i veçantë dhe është përzgjedhur nga regjizori i shquar “Artisti i Popullit” Dhimitër Anagnosti për të interpretuar në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” “Në shtëpinë tonë” me skenar të shkrimtarit të shquar Kiço Blushi dhe muzikë të kompozitorit në ato vite i ri e i talentuar, Aleksandër Peçi; në filmin “Liri a Vdekje” me regjizorët e pasionuar: Ibrahim Muço e Kristaq Mitro, me skenar të shkrimtarit të shquar Vath Koreshi dhe me kompozitor të nderuarin Kujtim Laro, që kompozoi muzikë me karakter kombëtar e jo tollova; në filmin “Njeriu i mirë” me regji, Ibrahim Muço e Kristaq Mitro, me skenar Nexhati Tafa dhe muzikë me të talentuarin Hajg Zaharjan; në filmin “Një emër midis njerëzve” me regji të krijuesit të pasionuarit Muharrem Fejza, me skenar të poetes e shkrimtares të shquar Natasha Lako dhe me muzikë të kompozitorit të madh Aleksandër Lalo; në filmin “Radiostacioni” me regjizor artistin e talentuar Rikard Ljarja, me skenar të njërit nga shkrimtarët më të mëdhej të këtyre 70-të viteve, Ismail Kadare dhe me muzikë të kompozitorit të ri në ato vite, Zef Çoba, që ka bërë një punë shumë të mirë në Dibër si kompozitor; në filmin “Vëllezër dhe shokë” me regjizor e skenar Dhimitër Anagnostin dhe me regjizor Hajg Zaharjan; në filmin  “Në prag të Lirisë” me regjizor dhe skenarist Ibrahim Muço e Kristaq Mitro dhe muzikë të kompozitorit të talentuar Kujtim Laro; në filmin “Në emër të lirisë” me regjizor Fehmi Oshafi, me skenar Bashkim Kozeli dhe muzikë të kompozitorit të apasionuar Hajg Zaharjan, në filmin “Misioni përtej detit” me regji të regjizorit të ri Lisenko Malaj, me skenar Anastas Kondo e Roland Gjoza dhe muzikë të kompozitorit të madh grek Mikis Theodhorakis dhe muzikë popullore shqiptare; në filmin “Jeta në duart e tjetrit” me regji Albert Xholi, me skenar Lliko Nano dhe muzikë Thoma Simaku.

Kompozitorin e madh grek Mikis Theodhorakis kam pas fatin që ta prisja, kur isha ministre e Arsimit dhe Kulturës dhe më ka dhuruar disa pllaka gramafoni me muzikë të kompozimeve të tij. Theodhorakis është si një model për kompozitorët, sepse ai muzikën popullore greke e studjoi, e përpunoi dhe e ngriti në nivele të larta në art.

Në të gjitha rolet aktori Bujar Asqeriu ka shpalosur karakteret e psikologjinë e personazheve dhe filozofine e kohës. Me gjithë këto filma që ka interpretuar para viteve ’90-të tregojnë, se ka qenë një aktor me preferencë dhe i përzgjedhur nga regjizorët për pamjen e tij të bukur  e elekuencën e qartë në të folur, si dhe si pasqyrues karakteresh sipas roleve.

  1. znj.Ema Qazimi-këngëtare, që mban titujt “Artiste e Merituar”,  “Mjeshtre e Madhe” dhe e shumë çmimeve të para e të dyta në disa festivale kombëtare në Radio dhe në RTVSH-ën. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës.

Ndjeva kënaqësi, që e takova znj. Ema, artisten e madhe me kaçurela e të bukur, që e ruan akoma bukurinë e fisnikërinë me atë buzëqeshjen e saj të përherëshme. znj.Ema e përfaqëson dhe i mbështet këngët edhe nga frymëzimi i bashkëshortit të saj e studjuesit të shquar të kulturës popullore, prof.dr.Ramazan Bogdani.

Ema ka interpretuar si aktore me role kryesore apo episodike në katër filma artistik. Por Ema e bukur është shquar dhe njohur më shumë për dashurinë e pasionin dhe përkushtimin e madh ndaj këngës të muzikës së lehtë shqiptare, që ka dalë në skenë e ka konkuruar që në moshën 14-të vjeçe dhe për 40 vite të pandërprera pune ka arritur të bëhet modeli i një ikone të shquar dhe të një auditori mësimdhënës për këngëtarët e rinj të muzikës së lehtë shqiptare.

  1. z.Kolec Traboini-kineastë dhe mban titullin “Mjeshtër i Madh”. U nderua me Çertifikatën e Mirënjohjes nga Bashkia e Tiranës. E kujtoj, kur është emëruar në vitin 1976 njëkohësisht me z.Bashkim Hoxha në Redaksinë e Skenareve në Kinostudion “Shqipëria e Re” me që kishin rezultate shumë të mira me mbarimin e degës së gazetarisë e në degën gjuhë-letërsi shqipe dhe për prirjet në fushën e letërsisë.

Si i talentuar, u emrua drejtor i Filmit Dokumentar, ku fitoi dy kupa në dy Festivale Kombëtare të Filmit Shqiptar si “Asdreni” më 1976, “Kështjella e këngëve” më 1990 dhe “Dëshmi nga Barleti” më 1990, që është vlerësuar si filmi më i mirë i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

z.Traboini është autor i mjaftë filmave të vlerësuar si “Kol Idromeno”, “Hasan Prishtina” etj., si dhe filmi dokumentar “Djali me kitarë”.

Mbahen mend edhe filmat vizatimor të z.Traboini si “Portreti” me regjizor z.Artan Simaku, “filmi Simfonia e pyllit” me regjizor Xhovalin Delia dhe filmi “Pushbardhi në spital” me regjizor Vlash Dobroniku.

Me punën krijuese e plot pasion z. Kolec Traboini ndikoi në të dyja redaksitë ku punoi në Kinostudio, për nxitjen e krijimit të traditës të redaktorëve si krijues.

Më vjen mirë që z.Kolec Traboini edhe pas viteve ’90, ndonëse i mërguar në Greqi e më pas në SHBA, është vetorganizuar dhe ka punuar e punon me pasion në fushat e gazetarisë e të krijimtarisë artistike e historike. Që në vitin 1991  ka krijuar e shpërndarë tek arvanitasit në Greqi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Egnatia”. Ka bashkëpunuar me presidentin e arvanitasve, studiusin e publiçistin e shquar Aristidh Kolias. Ai boton librin “E vërteta drithëruese e Aristidh Kolës” e disa botime të tjera.

z.Traboini ka fituar shumë çmime dhe i janë bërë disa vlerësime mëse të merituara për punën e bërë në fushën e gazetarisë e të letërsisë artistike. Prandaj është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, si dhe është zgjedhur  nga Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve Botëror anëtarë drejtues në LSHB. Bravo e urime, z.Traboini!

  1. z.Lek Sokoli-sociolog e profesor, sociolog i shquar shqiptar. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Ai ka mbaruar degën e inxhinjirerisë mekanike dhe ka punuar si inxhinjer në Kombinatin  Metalorgjik në Elbasan, ku ka filluar të stidiojë aspektet sociale të zhvillimit të industrisë. Mbaron si fajultet të dytë degën e filozofisë në Universitetin e Tiranës.

Që nga viti 1986 z. Lekë Sokoli është marrë me studime e botime  dhe mësimdhënie në fushën e sociologjisë. Ka mbrojtur e fituar tituj e grada shkencore  dhe ka qenë bashkëpunëtor shkencor  në Sektorin e Filoxofisë në Universitetin e Tiranës. Është një nga themeluesit e Shoqatës Sociologjike Shqiptare, që ka filluar që në vitin 1986.

z.Kolec Sokoli është bashkëthemelues e bashkëbotues i revistës ndërkombëtare  dy gjuhësore anglisht-shqip me titull “Analiza Sociologjike”. Ka studjuar e lëvruar dhe botuar në disa fusha të sociologjisë, që trahtojnë probleme aktuale të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

  1. Sokoli ka themeluar Institutin e Sociologjisë, që është i pari institucion shkencor, që merret me studime sociologjike. Ai është drejtor i këtij Instituti  dhe i revistave shkencore “Politika e Shoqëria” dhe “Studime Sociologjike”, të cilat janë burim informacioni e analizash për problemet e shoqërisë shqiptare gjatë viteve të demokracisë.
  2. znj.Mimika Luca-aktore dhe mban titullin “Artiste e Merituar”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Kisha dëshirë e mall, që ta takoja, por nuk qe e pranishme.

Aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar dhe e Kinematografisë e ka filluar karrierën e saj si balerinë në Teatrin e Operës dhe Baletit, si dhe në vitin 1962,  fillon si aktore në Teatrin Popullor të Tiranës. Ka interpretuar mbi 30 role në teatër dhe 12 role në kinematografi.

Në teatër ka interpretuar në këto drama me rolet: Tek teatri “Muri i madh”, tek “Cuca e maleve” rolin e Dilës, tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” rolin e Nicës, tek “Kur hidheshin themelet” rolin e Lajes, .

Ka interpretuar në 12 filma këto role:

Në filmin “Treni niset në shtatë pa pesë” nëna e Etlevës, në filmin “Botë e padukshme” në rolin e Lenit, në filmin “Përrallë nga e kaluara” në rolin e nënës të Marigos, në filmin “Rrethimi i vogël” në rolin e Shegës”, në filmin “Të shoh në sy” në rolin e nënës së Gjergjit, në filmin “Shi në plazh” në rolin e nënës së Alberit, në filmin “Taulanti kërkon një motër” në rokin e edukatores, në filmin “Nxënësit e klasës time” në rolin e drejtoreshës së shkollës, në filmin “Zambakët e bardhë” në rolin e sekretares së partisë, në filmin “Në shtëpinë tonë” në rolin e nënës së Anës, në filmin “Kur hidheshin themelet” në rokin e Lajes, si dhe në filmat “Kryengritje në pallat” dhe “Detyrë e posaçme”. Ka punuar si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës, ku ka përgatitur shumë aktorë, që kanë punuar e vazhdojnë të punojnë edhe tani në Shqipëri dhe jashtë vendit. znj. Mimika Luca së bashku me aktorin e madh “Artistin e Popullit” Ndrek Luca si dhe gjithë aktorët e para viteve ’90-të i përkasin brezit, që hodhën themelet dhe e bënë kala shkollën shqiptare të teatrit e të kinematografisë kombëtare shqiptare.

Krenohemi të gjithë ne shqiptarët kudo ku jemi me punën e përkushtimin e madh krijues, si dhe me pasurinë e madhe artistike, që na kanë lënë brezi i artistëve të para viteve ’90-të. Përkulem me nderim para tyre.

  1. z.Perikli Çuli-skulptor dhe mban titullin “Skulptor i Merituar” dhe Laurat i Çmimit të Republikës dhe i çmimeve të tjera kombëtare. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Ka mbaruar studimet  e larta në Bukuresht të Rumanisë. Ka punuar si skulptor dhe pedagog i talentuar dhe respektuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe është vlerësuar nga kolegët e tij e studjuesit e artit si Gazmend Leka dhe Suzana Varvarica  që “Pandeli Çuli bën pjesë në atë grup të skulptorëve shqiptar dhe i kanë dhëne fizionomi zhvillimeve dhe vazhdimësive shkollës shqiptare të arteve”.

Janë të njohura monumentet e skulptorit Perikli Çuli të vendosura në hapsira publike si, “Toka jonë” e vendosur në qendër të qytetit të Lushnjës, monumenti “Ylli i lirisë” i vendosur në Qukës, monumenti “Katër heroinat e Mirditës” i vendosur në Rrëshen, por shpreh keqardhjen, që e shkatërruan pas ndërrimit të sistemit, siç u shkatërruan edhe disa monumente të tjera historike. Ai monument ishte simbol dhe vepër e përkryer arti i skulptorit. Skulptori Çuli ngriti edhe monumentin “Tanush Topia”.

Në vitin 2019 ka hapur tek Muzeu Kombëtar një ekspozitë me 80 vepra të tij me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Skulptori është i njohur dhe ka krijuar një traditë të bukur në punimet me mermer e alabastër, gurë natyral e qeramikë, instilacione metalike, vepra konceptuale, grafike e imazhe të universit, si dhe postera e fotografi etj për 63 vjet.

Ekspozita ka pasqyruar një udhëtim artistik ndër vite të skulptorit dhe çelet me praninë në vepra të figurës së femrës, të ëndërrave e dashurisë, si dhe të perspektivave moderne dhe prirje drejt artit modern të perëndimit.

Në Ekspozitën e 80 vjetorit të Çulit janë paraqitur vepra e punime të paekspozuara më parë si, “Vajza në heshtje” ( dru arre, 1965), “Dashuria” (mermer gri 2007), “Zogu Rrezatues” (mermer i bardhë, 2008), “Obelisk” (2011), “Në hapsirat e universit” (alabastër, 2013), “Rrezatime universi” (material miks, 2013), skulptura e parkut “Kapriço gurrësh” (gurë natyror, 2014), “Tre dezanjo me ngjyra mbi universin” etj.

  1. z.Bashkim Alibali, që njihet si një nga këngëtarët më të dëgjuar e të shquar në Shqipëri. E ka filluar karjerën e tij që në kopësht  dhe është dalluar në festivalet kombëtare  të fëmijve në Shkodër. Kujtohen me nostalgji shumë këngë të bukura, që ka kënduar z.Bashkim Alibali ndër të cilat: “Nata e fundit e studentit”, “Në duart e nënës”, “S’ma njohe zemrën”, “S’e kam të lehtë”, “Mes bukurive”, “Shalli i kaltërt i rinisë”, “Rritu moj vajzë malësie!”, “Lulet e mollës”, “Urimi i ditëlindjes”, “Borë me hekë”, “Nënës time”, “Për ty baba”, “Motrës time”( Duet me E.Jubani), “Për herë me ty” ( Duet me Nertila Kokën). Këngëtari Alibali ka marrë pjesë në disa festivale të RTVSH-ës dhe ka fituar disa çmime. Ai vazhdon të këndojë dhe të gëzojë e frymëzojë dëgjuesit, duke dhënë mesazhe mësimdhënëse për familjen e shoqërinë e sotme.

9.Këngëtarja, znj.Irma Libohova, që është e dëgjuar dhe e shquar kryesisht me këngët e muzikës së lehtë dhe popullore. E ka filluar karjerën si këngëtare që në kopësht dhe ka vazhduar në rrethin e kantos tek Shtëpia e pionierit në Tiranë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të RTVSH-ës që në moshë të re dhe ka qenë në mjaft festivale e propozuar për çmimin e parë apo të dytë. Janë të njohura këngët e kënduara nga znj. Irma: “Kënga e nënës”, “Më dhe dritë nga syri yt”, “Kush ka vajza, botën ka” qe e ka kënduar për herë të parë në dasmën e vajzës time Almës në vitin 2000, “Kavash, Kavash”, “Kënga dhe dashuria”. Por njihen me dhjetra e qindra këngë të muzikës së lehtë e popullore, që ka kënduar e vazhdon të këndojë znj.Irma, duke rezatuar mesazhe mësimdhënëse.

10.znj.Myfarete Laze, këngëtare e shquar e këngëve të muzikës së lehtë e popullore. Kujtohen me nostalgji shumë këngë të muzikës së lehtë e popullore, që ka kënduar e vazhdon të këndojë këngëtarja me një zë të veçantë si znj.Myfarete dhe kryesisht për këngët: “Lule t’bukura sjell pranvera”, “Nëse një ditë”, “Udhët e atdheut na thërrasin”, “Trupi i vegjëlisë”, “Zëri i vendit tim”, “Jare shkodrane” (duet me Frederik Ndocin), “Atdhe të përshëndes”, “Kur çelin bozhuret”, “Nën kurorën e ullirit” e të tjera. Në të gjitha tekstet e muzikën e këngëve të para viteve ’90-të jepeshin mesazhe të dashurisë e nderimit ndaj familjes e shoqërisë dhe kryesisht të dashurisë nda atdheut e popullit shqiptar.

  1. Këngëtarja Liljana Kondakçi ka lëvruar këngët qytetare e të muzikës së lehtë, baladën e këngët rock e të tjera. Që në fëmijëri ka kënduar dhe ka shprehur dashurinë e pasionin gjatë gjithë kohës për të kënduar me elegancë. Ka marrë pjesë në festivalet e këngës në RTVSH-ës dhe me këngët e saj ka dhënë mesazhe të rëndësishme për dashurinë ndaj familjes e atdheut, ndaj punës e shoqërinë.

Znj.Liljana Kondakçi njihet edhe si aktore, që ka interpretuar në vitin 1975 në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Udhëtim në pranverë” me rolin kryesor të atij filmi të Valbonës, që udhëton me aktorin Minella në disa qytete të Shqipërisë për t’iu bashkuar  trupës së ansamblit. Filmi shoqërohet me zërin e saj të bukur dhe të këngëtarëve të tjerë. Skenaristi i filmit z.Gjergj Vlashi e ka ndërtuar subjektin me shumë fantazi, ku ka përfshirë edhe aktorin e shquar, Nikolin Xhoja, si dhe aktorët e përzgjedhur z.Minella Borova, znj. Krisanthi Kotmilo, z.Fredi Gusho dhe z.Spiro Strati (Kiu). Këtë film e shoqëron muzika e kompozitorit dhe këngëtarit të shquar Avni Mula “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, që shquhet për krijimtari kombëtare e frymë popullore.

Artistja znj. Liljana Kondakçi ka interpretuar në vitin 1978 në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Edhe në pyjet me borë ka jetë” me rolin e mësueses, ku ka interpretuar me aktorët e mëdhenj si me Artistët e Merituar Rikard Ljarja e Guljem Radoja dhe Beb Shiroka, si dhe aktoren e shquar Marjeta Ljarja. Skenarist i filmit është i njerit nga shkrimtarët më të njohur e të shquar, z. Zija Çela, regjizor Rikard Ljarja dhe muzikë nga kompozitori i madh “Artisti i Popullit” Agim Krajka kanë harmonizuar me shumë art të gjitha episodet e filmit.

  1. Sopranija znj.Shqipe Zani, që ka filluar të këndojë që e vogël dhe është shquar për vokalin e saj. Pasi ka mbaruar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ka punuar në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit dhe është bërë e njohur me këto role:

-Në vitin 1974 me rolin e Davës në operën shqiptare “Mrika” me muzikë të kompozitorit të shquar Prenk Jakova.

-Në vitin 1976 me rolin e shoqes në operën shqiptare “Komisari” dhe muzikë të kompozitorit Nikolla Zoraqi.

-Në vitin 1976 me rolin e Lules në operën shqiptare “Zgjimi” me muzikë të kompozitorit Tonin Harapi.

-Në vitin 1977 me rolin e Afrovitit në operetën “Karnavalet e Korçës” me muzikë të kompozitorit Avni Mula.

-Në vitin 1978-Është regjistruar në RTVSH opereta “Karnavalet e Korçës”  me kompozitor Avni Mulën dhe Orkestra e TOB.

-Në vitin 1982 me rolin e Myzetës në operën “Bohema” Xhakomo Puçini

-Në vitin 1983 me rolin e Fraskitës” në operën “Karmen” Zhorzh Bize.

-Në vitin 1984 me rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes”, Xhoamim Rosini.

-Në vitin 1985 me rolin e Toskës në operan “Toska” të Xhakomo Puçinit.

-Në vitin 1986 me rolin e Xhildës nga opeta “Rigoleta” të Xhuzepe Verdit.

-Në vitin 1987 me rolin e Çoçasanit nga opera “Baterflaj” të Xhakomo Puçinit.

-Në vitin 1989 me rolin e Nedes  nga opera “Paliaçi” të Leon Kavalo.

-Në vitin 1990 me rolin e Elit tek opereta “Liceistët” të kompozitorit shqiptar Josif Minga.

-Në vitin 1990 Koncert recital  me 16 pjesë nga repertori i huaj e shqiptar.

-Në vitin 1991 me rolin e Leonorës tek opera “Trovatore” të Xhuzepe Verdit.

Znj. Shqipe Zani ka vazhduar të punojë si pedagoge në Universitetin e Arteve dhe ka dhënë njē kontribut tē madh për përgatitjen e këngëtarëve të rinj dhe kualifikimin e saj si profesore e doktore shkencash. Eshtë një ikonë e model pune e përkushtimi për kolegët e saj.

E përshkrova aktivitetin kryesor të artistes Shqipe Zani, për të paraqitur shembuj konkret, që para viteve 90-të kontributin e saj si dhe faktin që Teatri Kombëtar i Operës e Baletit përgatiste katër premiera me opera në vit, dy opera me kompozitor shqiptar dhe dy me kompozitor të huaj.

Edhe para viteve 40-të  janë bërë përpjekje nga krijues të muzikës e të letërsisë shqiptare për shkrimin e libreteve e të operave siç është opera “Arbëreshë” me libret te Gjergj Fishtës dhe muzikë të Lec Kurtit në vitin 1915. Janë gjetur në AQSH nga mjeshtri Zhani Ciko mjaft materiale të autorëve të shquar të muzikës operistike, të cilët kanë synuar të krijojnë e kompozojnë krahas gjithë europës, ndonëse në Shqipëri nuk kishte Teatër të Operës e Baletit. Kompozitorët e shquar shqiptar krijuan opera e opereta me shumë vlera me tema historike e shoqërore edhe pas viteve ’50-të, siç njihet si opera e parë shqiptare me titull “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova dhe me libret të Llazar Siliqit, që u vu në skenë në teatrin “Migjeni” në vitin 1958-të me trupën amatore të Shkodrës. Në çfaqjen e parë ka marrë pjesë edhe Enver Hoxha dhe e ka përgëzuar kompozitorin e shquar Prenk Jakova, si dhe i ka kërkuar të shkruaj një opera për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, që Prenk Jakova e ka realizuar dhe është çfaqur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

  1. Piktori i kinematografisë, Artisti i Merituar, z.Shyqyri Sako u nderua me Çerifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Mësimet e para i mori në Korçë nga dy Artistët e Popullit Vangjush Mio dhe Guri Madhi. Studimet e larta i vazhdoi për tre vjet në Moskë në degën piktor filmi dhe, pasi u kthye nga BS, sepse u prishën marrëdhëniet midis Shqipërisë e BS, vazhdoi studimet e u dipllomua në Institutin e Lartë të Arteve në Shqipëri. Ka filluar punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si piktor filmi, ku ka realizuar me sukses filmin e parë “Detyrë e posaçme” dhe në shumë filma të tjerë si: “Toka jonë”, “Vitet e para”, “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”,  “Horizonte të hapura”, “Njësiti gueril”, “Kapedani”, “Operacioni zjarri”, “Rrugë të bardha”, “Rrugicat, që kërkonin diell”, “Dimri i fundit”, “Mësonjtorja”, “Radiostacioni”, “Shpella e piratëve deri në filmin e fundit në vitin 1998 me titull “Plumba prej plasteline”. Në Arkivin e Kinematografisë pas ndërrimit të sistemit kam gjetur edhe skicat e piktorit Sako të filmave të tjerë, që parashikoheshin të prodhoheshin. Është shquar si një piktor me fantazi në krijimtarinë e filmave. Por nuk u ndjeva mirë në Arkivin e Kinematografisë që, megjithëse është një objekt strategjik, nuk kishte roje gjatë 24 orëve.
  2. znj. Silvana Braçe e bukur e mençur dhe fisnike. Që në fëmijëri kanë spikatur prirjet e saj për artin, për baletin. Që kur ishte gjimnaziste 15 vjeç ka filluar si spikere në Radio Tirana. Megjithëse ka mbaruar Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik, dega financë, ku punoi në atë profesion pak vite, sepse dashuria e pasioni për RTVSH-ën e tërhoqi dhe punoi si prezantuese kryesore në Televizionin Shqiptar kryesisht në emisionet për muzikën dhe me të ftuar muzikantë e këngëtarë. Prezantimi i znj. Silvana karakterizohej nga pamja e bukur e fine e saj, nga diksioni e pstërtia e shqiptimit të tingujve e fjalëve të gjuhës shqipe, nga diksioni tërheqës, nga përmbajtja e emisioneve si misionare e transmetimit të njohurive të muzikës e të këngës. Emisionet e znj. Silvana janë një pasuri e veçantë në TVSH-ën.

Edhe pas viteve ’90-të znj. Silvana Braçe ka prezantuar koncerte të shqiptarëve në SHBA, në Angli, në Vendet Skandinave, në Belgjikë, në Zvicër, në Gjermani, në Itali e vende të tjera.

U gëzova, që e takova znj.Silvana, e cila ruan freskinë e bukurinë dhe finesën e dikurshme, sepse ajo mendon e projekton dhe punon, sepse vetëm studimi e puna intelektuale dhe fizike të gjallëron e rinon.

  1. Këngëtarin Kozma Dushi ma zuri syri, në radhën e tretë, kur po merrja Çertifikatën e Mirënjohjes tek podiumi. Ka filluar të këndojë që në moshë të vogël ashtu si gjithë këngëtarët e tjerë. Prirjet fillojnë të shfaqen që në fëmijëri, që prindërit dhe mësuesit i zbulojnë dhe u krijojnë kushte e mundësi për t’i zhvilluar e përsosur më tej. Pas mbarimit të shkollës së mesme ka punuar për ca kohë në Estradën Profesioniste të Beratit dhe me mbarimin e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, ka punuar në Ansamblin e Shtetit. Ka marrë pjesë në Festivalin e 15 të këngës në RTSH dhe vazhdon të këndojë.

Është i njohur kudo në Shqipëri e në viset shqiptare përtej kufirit dhe kudo në botë nga shqiptarët si një nga këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare dhe ka marrë pjesë dhe është shquar në disa festivale pavarësisht çmimeve. Nuk janë kurdoherë çmimet tregues të cilësisë të këngëve. Por këngët e kënduara nga z.Kozma Dushi janë mësuar e kënduar nga të rinjtë ndër vite. Kujtohen me nostalgji disa nga këngët e kënduara prej tij si: “Lule në dritare”, “Erdhi pranvera”, “Vajza dhe deti”, “Vagabondi”, “Eja o shoku ynë”, “Mosha” (duet me znj. Myfarete Lazen), “Lot me ty o djal se ta di merakun”, “Të më vini pa trokitur”, “Të fala zemrën time”, “Ndodh në jetë qe papritur” , “Kaloi një flutur”, “Kënga e zemrës”, “Një kafe”, “Shoku im”, “Besoj tek dashuria”, “Shiu i verës”, “Kur hyj në Mangalem”, “Nuk dua lot në sy”, “Ëndërr mbete ti”, “Kur ishim studentë”, “Ngrejmë dolli”, “Vajzë moj”, “Kur xhirohej një film”, “Besoj veç në dashuri”, “Mos më lini të shkoj!” e shumë këngë të tjera.

  1. znj. Merita Bozo, e rritur jetime dhe është arsimuar e punon prej vitesh si laborante në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Shquhet për dashurinë e korrektësinë në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore.
  2. Prof.dr.Alma Cani, shefe e Reanimacionit dhe n/drejtoreshë e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Si vajza ime ishte e pranishme me mua në këtë takim. Gjatë luftës kundër pandemisë Covid-19-të është shquar nga Bashkia e Tiranës si Reanimacion dhe shefe si “Heroina e Tiranës”, që kanë kuruar e shëruar qindra e qindra të sëmurë me Covid-19-të dhe pas covid. Krenohem me Almën për dashurinë ndaj pacientëve e profesionalizmin dhe për gatishmërinë e përkushtimin e madh. Kohët e fundit kuroi e shëroi kompozitorin e shquar, z.Limoz Dizdari.
  3. Tefta Cami-ish ministre e Arsimit dhe Kulturës për 11 vjet. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës.

Do të duhej një shkrim i gjatë të shkruaj për zhvillimet e arsimit e kulturës dhe arteve, të shkencës e sporteve të para viteve ’90-të. Jam bërë e njohur nga disa, që më kanë vlerësuar dhe nga disa të tjerë, që më kanë paragjykuar e përgojuar. Por mua pas viteve ’90-të më nxuarrën në pension të parakohëshëm dhe u çlirova nga detyrimet shtetërore. U mora me studime në AQSH dhe në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e MPJ për fushat e historisë të Luftës Nacional Çlirimtare në Dibër, për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi në fushat e arsimit e kulturës, të shkencës e sporteve, për zhvillimet e arsimit e kulturës në Shqipëri gjatë viteve që kam qenë ministre e Arsimit dhe Kulturës e të tjera. Mbi bazën e studimeve kam bërë botime si disa libra dhe shkrime në shtyp. Vazhdoj të studjoj e shkruaj si dikur.

Shumica nga ne mbetëm jetim nga Lufta e Dytë Botërore gjatë pushtimit nazifashistë e pasojave të luftës dhe nuk arritëm t’i njihnim baballarët tanë. I njohëm, kur u rritëm miqtë apo kundërshtarët e tyre. U shërbyem mbase ndonjerit, që s’e meritonte, sepse na dilnin përpara mjaftë të panjohura.  Prandaj ne e urrejmë luftën dhe luftënxitësit, që vrasin njerëz, që lejnë fëmij jetim, që shkatërojnë vendet dhe krijojnë një atmosferë frike e pasigurie për popujt, siç po ndodh me agresionin e Rusis në Ukrahinë. Ne e dënojmë këtë luftë të padrejtë, pushtuese e vrastare dhe shkatërimtare të Rusisë ndaj Ukrahinës.

Ne ish-fëmijve jetim na ka takuar të rritemi më shpejtë se moshatarët tanë, të mësojmë më shumë, të ecim e të vrapojmë më shpejtë, që të krahasoheshim e barazoheshim me fëmijët e tjerë me prindër, të bëheshim si gjithë të tjerët.

Ndjeva kënaqësi që i pashë dhe u përshëndeta me këta artistë të shquar, që kanë bërë histori në fushën e kinematografisë e të arteve dhe fusha të tjera.

Gjatë dorëzimit të Çertifikatave të Mirënjohjes nga n/kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Andi Seferi falenderuan e folën të gjithë ata që muarrën Çertifikatë  Mirënjohje. Fola edhe unë:”Falenderoj Bashkinë e z.Andi për Çertifikatën e Mirënjohjes! Falenderoj Bashkinë, që e ka zbukuruar Tiranën dhe kam besim, se do ta zbukurojnë me vepra arti që nga Teuta e Ilirisë me gjithë emblemat e shqiptarisë!”

Tefta Cami,ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Tiranë, 15 qershor, 2022