SHNDRINË HIJA MBI LIRINË
Kushtuar shokut të klasës, ing. Isa Sh. Istagu,(15.02.1961 – 24.05.1999) me rastin e përvjetorit të vrasjes në luftën e UÇK-së. Ai me heroizmin e tij, ka mbetur gjallë në kujtesën e shokëve dhe të gjeneratës!
Isa Sh. Istogu, sot ka përvjetorin e flijimit dhe të ngjitjes tek yjet. U bënë kaq e kaq vjet që kur po na vështron nga lart, nga Zotat, për bëmat tona, për veprimet tona. Heroi im e përgjon lirinë tonë për të cilën ai vet u flijua?! E kjo sintagmë më mundon, bashkë me pranverat që më molisin tejmase. E unë jam i lodhur nga malli, dhe në këtë natë nuk guxoj t’i shikoj as yjet?! Kam frigë se Ai me syrin e tij na përgjon nga lart e unë nuk mund ta shoh?! Dhe nëse nuk do ta shohë është mëkat. Andaj vazhdimisht rri zgjuar duke pritur shikimin, por edhe ardhjen e tij. Vetëm në ëndërrat e mia, shoh zbritjen e tij nga lartë. Me ato flatra të bardha engjëllore e përjetoj përqafimin e tij, dhe i trishtët zgjohem në mëngjesin e nesërm, prandaj edhe Liria e Kosovës tërësisht e ëndërrt mu ka bërë!
Nuk e di, në atë qiellin e kaltërt se cili është Ylli im, cili nga ato Yje që shndritë thekshëm është shoku im i klasës, është Heroi im dhe i gjeneratës sime. Isaja, është emër i shenjtë, me të cilin kemi jetuar e banuar në një dhomë, kemi ngrënë e pirë bashkë. Kemi treguar ëndrra për ardhmërinë tonë, për jetën tonë që dikur përpara e kishim…
Më pas, Ai ka punuar inxhinier në Kombinatin “FERONIKEL” dhe ishte profesor në Gjimnazin e DRENASIT. I lindur në Polluzhë të Drenicës, në fshatin me emër e nam për rezistencën antikomuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe Heroi im, luftoi e rezistoi, dhe tash krejtësisht i qetë po prehet në varrezat e fshatit, ndanë rrugës magjistrale Drenas – Skënderaj, i rreshtuar aty afër Heroit të Kosovës, legjendës antikomuniste Shaban Polluzha. Natyrisht, bashkë me heronjtë tjerë të UÇK-së, shndrijnë Hijet mbi Lirinë, të cilën ne po e gëzojmë!… Ndërsa rrëfimi im ka të bëjë me Heroin tim, i cili ishte edhe shoku im i klasës në Shkollën e Mesme Teknike – drejtimi Kimiko – Teknoligjik në Kastriot. Ishte edhe shok i bankës me mua dhe i brengave të mia gjithsesi. Së këndejmi ky Hero, për mua ishte edhe shoku i dhomës, (siç thoshim atëherë, ishte Zimeri im), me të cilin i kemi bashkëjetuar ato dy vite të bukura, në një dhomë të vogël me dritare në rrugë, në qytetin e vogël përplot pluhur industrial. Vijonim mësimet në shkollën e mesme, fytyrës pa i ra brisk, se të rinjë ishim, por kishim ideale të mëdha për ardhmërinë tonë dhe të Atdheut!
Pastaj ne u ndamë, ai në Fakultetin e Teknologjisë në Mitrovicë, ndërsa unë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për mësues në lëndet kimi dhe biologji, profesion të cilin nuk arrita ta ushtrojë kurrë. S’ka asnjë dyshim, Isa Sh. Istogu mbetet Heroi im, legjenda ime dhe krenaria jonë. Me te kam ndarë ditët dhe netët e gëzueshme, por edhe brengat për gjendjen sociale, ndonëse ne ishim gjeneratë e idealeve të mëdha, në vitet shkollore, 1977-78 dhe 1978-79, pastaj erdhi edhe Pranvera e Madhe e Vitit 1981.
***
Mbaj mend se më datën 10 qershor 1978, me rastin e 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendbanime të caktuara nëpër Kosovë janë mbuluar me Pamflete, në të cilat bëhej thirrje për Zgjim nga robëria shekullore, ku ftohej populli ynë të zgjohej nga letargjia e sundimit shekullor. E di sa shumë është folur kjo ngjarje, edhe pse arritën ta heshtin strukturat udhëheqëse të Krahinës Socialiste të Kosovës, përseri ngjarja ka mbetur e freskët në mendjen time, dhe ishte fitili i një zjarri që po ndizej, edhe në qenien time. Dhe nuk gabojë nëse them se po atë vit dhe më pastaj, ndërgegjja kombëtare sikur u zgjua, ose ishte koha e pubertetit që më bënte të tillë?!… Pavarësisht rrethanave, përgjimeve dhe frigës për arrestime dhe burgosje, jeta patriotike vazhdonte. Eh, për mua ishte hera e parë që shihja pamflete e lexoja thirrje publike, për t’u zgjuar nga letargjia, nga robëria dhe nga sundimi i mbretërisë komuniste Jugosllave, e cila nën parullën e vëllazërim – bashkimit kishte shtrirë sundimin e vet në tërë hapësirën e Kosovës.
Heroi im, i Shenjëti ISAI ka qenë shumë i urtë, racional, dhe tepër gjykues, sa më bëhej sikur të ishte babaxhani im. Veçmas në bisedat tona të gjata për gjendjen politike në Kosovë, për shkaktarin e asaj varfërie, e cila karshi republikave të tjera, në Kosovën tonë gjendja ishte e zymtë dhe e pa perspektivë. Edhe kur nuk më fliste, edhe kur nuk më përgjigjej, ai më dëgjonte me vëmendje, dhe jo rrallë me shkata e tij tallej duke më thënë “hajt të paqa ty, e të mos mbeteshim pa përrallat tua?!”… Kur lodhej, jo aq nga mësimi sa nga përrallat e mia(?!), më lutej të bënim një sy gjumë, dhe më thoshte: Nëse dëshiron për t’i realizuar ëndrrat tuaja flij, se aty mund t’i realizosh. Të nesërmen, vet Ai më fliste për “idealet tona!”…
SHNDRINË HIJA MBI LIRINË
Heroit Tim, shokut të klasës ing. Isa Sh. Istogu
(15.02.1961 – 24.05.1999)
Kujtimi për ty po më rëndon zemrën
e gjoksin tim po e molisë pranvera jote
përherë ndjej zërin tënd
shohë flokët tuaja të kaçurrelta
dhe përjetoj atë idealin që predikoje
në atë agsholin e lirisë
për të cilin më flisje çdo ditë
Isë… dhe vetëm Isë…
Sytë tu shkëlqejnë
edhe në portretin e vjetruar
që më ngjall kujtimin e rinuar
me dhembje që rëndojnë
dhe mallin që po shtohet
Heroi im me sy të bukur
me shpresa të mëdha për jetën
për ardhmërinë
dashuria Yte ishte pa mbarim
dhe shkonte
deri në skaj
deri në infinit
Ti shkove drejt qiellit
e nga lart përgjon lirinë tonë
dhe ëndrrën që përgjysmë ke lënë
dhe dënesjen që nuk e bëre tamam
dhe nuk e prite as gëzimin pranveror
të penguan Heroi im
të vrau barbari i zi
Thanë se
Zoti atje lart të paska kërkuar
se ti ishe kënga jonë e pa kënduar
ishe melodia për ardhmërinë
shtegu ynë i lavdisë
që preku dashuritë tona
dhe ardhmërinë që nuk e prite
Ti ishe deti i tallazeve
vet valët që tundin anijet
Heroi im:
Ti ishe
dallgë e trazuar
dhe jeta jonë e pa jetuar
dhe ishe ëndrra ime
e pa ëndërruar…
Tash Hero im u bëre Ti
dhe LIRIA JONË
që shndritë mbi Kosovë!…