Shqipëria/Aktualitet

Tefta Cami: Disa probleme që ngrita në Bashkinë e Tiranës

Me datën 31 mars, ditën e enjte, 2022 në orën 14-të, sipas kërkesës time dhe njoftimit të sekretares së kryetarit, shkova për të takuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z.Erion Velia. Kryetari në pamundësi për t’më pritur, ia kishte deleguar pritjen time nënëkryetares së Bashkisë, znj.Keti Luarasi. Qe kënaqësi, që e takova dhe i parashtrova këto probleme e kërkesa, që s’kanë të bëjnë vetëm me Bashkinë, por edhe me instanca më të larta të Shtetit e të politikanëve shqiptarë:
1.  Për ngritjen e një memoriali tek Burgu i Tiranës me emrat e 19 të burgosurve CAMI si antifashistë gjatë viteve 1941-1942. Arsyeja e burgosjes ishte, se çeta antifashiste e Ahmet Camit e krijuar në janar të vitit 1940 kishte bërë dy aksione për marrje armësh kunder forcave fashiste italiane në fund të marsit dhe me 2 prill 1941. Për ato dy aksione arrestojnë 8 vetë(7 djem Cami dhe 1 nga Luznia) dhe i rradhitën për t’i pushkatuar më 5 prill 1941, ku u vranë 3 vetë, Ejup Cami, Musa Cami dhe Mexhit Lezi, ndërsa të tjerët largohen, meqë ishin të palidhur. Arrestojnë 19 burra e djem të Cameve me Ahmet Camin si komandant Çete e organizator dhe i vendosin në burgun e Tiranës gjatë viteve 1941-1942. Njeri nga të burgosurit Dilaver Cami ka  ndërruar jetë në burg nga torturat. Nuk është dëgjuar në historinë e Shqipërisë, që të arrestohen e burgosen nga pushtuesit gjithë burrat e djemt e një fisi. Nuk është dëgjuar edhe fakti, që familja ime ka tri breza dëshmorë të atdheut, stërgjyshi e gjyshi si komandantë çetash të vrarë gjatë Luftës të Parë Botërore kundër forcave pushtuese serbo-bullgare dhe babai si komandant çete e xhaxhai si mësuesi i parë dëshmorë në Shqipëri, të vrarë në luftime kundër forcave pushtuese nazifashiste, si dhe 9-të kushërinj të tjerë. (Bashkëngjitur Propozimi i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë dhe dokumentet arkivore).
2.  Për vënien e emrit të një rruge, shkolle apo biblioteke të këtyre personaliteteve:    -YMER JAKA,-Patriot, ish-sekretar për Arsimin, Kulturën e Shkencën në Kosovë, si dëshmi të marrëdhënieve në fushën e arsimit, kulturës e arteve, të shkencës e sporteve midis Shqipërisë e Kosovës gjatë viteve 1968-1981. – UKSHIN HOTI-Patriot i madh dhe organizator i demonstratave në Kosovë në vitin 1981 me parrullën “Republikë-Kushtetutë, Ja me hatër, ja me luftë”. Gjatë asaj kohe u hartua strategjia për armatosjen e popullit dhe hedhjen e bazave të UÇK-ës. E kanë zhdukur serbët.   -ALEKSANDER STIPÇEVIÇ- Arbëresh i Zarës së Kroacisë. Antropologu i parë shqiptarë. Në testamentin e tij ka lënë, që t’i dhurohet AQSH Arkivi e Biblioteka e tij, që është bërë nga bashkëshortja e tij në Ambasadën e Shqipërisë në Kroaci, si dhe përfaqësuesve të AQSH.    -MILAN SHUFLAJ-studjues kroat, që ka studjuar e publikuar prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe shtrirjen e Ilirise në gadishullin e Ballkanit. Për ato studime e argumente shkencore dhe publikimin e tyre, që hidhte poshtë të ashtuquajturat teza të serbëve, e vrau klika e Beogradit. Milan Shuflai ka sakrifikuar për shqiptarët e Shqipërinë. (Për të katërt bashkëngjitur propozimet e dokumentet arkivore).
3.  Është një segment antishqiptarë në BE, që punon për kthimin e Shqipërisë e të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë në multietnike, sepse i paragjykojnë shqiptarët si shkak të konflikteve në Ballkan. Janë këtëto shembuj konkret:
A. – Misionarë të BE-në i premtuan Kosovës, se do t’ua liberalizonin vizat, nëse do të nënëshkruanin Marrëveshjen e demarkacionit Kosovë-Maqedoni, ku ju dhanë Maqedonisë 2.500 ha tokë nga territori i Kosovës dhe nuk ua liberalizuan vizat.    – I premtuan Kosovës, se nëse do të nënshkruanin Marrëveshjen e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, ku i muarrën Kosovës 8.200 ha, duke përfshirë edhe malin e Çikorit, që s’ka qenë asnjëherë i Malit të Zi dhe nuk u liberalizuan vizat.    -I kanë dhënë Manastirit të Deçanit 700 ha tokë, duke ua marrë fshatarëve. Ai Manastir ka qenë ilir e më vonë romak e në fund serb, ku Skënderbeu i ka dhuruar një shandan. Krishterimin e dhe Ungjillin e Krishtit e kanë sjellë dy apostujt në Iliri e Dardani në gadishullin  Ilirik, që ia ndërruan emrin Fuqitë e Mëdha në në fund të shekullit të XIX-të dhe e quajtën gadishulli i Ballkanit.  Kur isha për vizitë në Kosovë në tetor të vitit 1980 dëshiroja ta vizitoja Manastirin e Deçanit, për të parë shandanin e Skënderbeut dhe veprat e artit, por qe i mbyllur.      -Nën presionin e misionarëve të BE Parlamenti i Republikës të Kosovës ka miratuar krijimin e Gjykatës së Posaçme për të hetuar e çuar në Gjykatën e Hagës krerët e UÇK-ës për të ashtuquajturat krime kundër njerëzimit që s’është gjë tjetër veçse shpifje e shpifje e sajesa të paqena e të pafund, për të barazuar pushtuesit serb me mbrojtësit shqiptarë, vrasësit e kriminelët serb me luftëtarët që çliruan vendin, masakrat serbe me përpjekjet për t’u mbrojtur të shqiptarëve. Dhe kjo na qenka Gjykata e Hagës për gjykimin e vendosjen e “drejtësisë”!?!? Dhe kjo na qenka “dashamirësia” ndaj shqiptarëve!!!      – Duan të krijojnë asosacionet serbe, dmth, një shtet brenda shtetit. Përpiqen t’i japin Serbisë dhe gjysmën e liqenit të Ujmanit, që 9.2 km është në territorin e Kosovës dhe 2.7 në territorin e Serbisë.  Prandaj edhe marrëveshja në shtëpinë e Bardhë në Vashinkton Kosovë-Serbi në pranin e ish-presidentit Trump, nuk qe realiste dhe e saktë.     – Milosheviçi pas viteve ’90 vendosi në Mitrovicën e Veriut forca paramilitare serbe, duke larguar me dhunë dhe shpronësuar shqiptarët, për të ndryshuar raportin e popullsisë. Janë pikërisht këta serbë, që mbajnë lidhje me Beogradin dhe i krijojnë shqetësime qeverisjes së Kosovës që, mbase, duhet të kthehen andej nga kanë ardhur.
Dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova janë e duhet të jenë në krah të njera-tjetrës, si dy krahët e shqiponjës  për të patur qëndrime e për të marrë e realizuar vendime të përbashkëta. Qeveritarët e Kosovës e ndjejnë, se ende nuk është tharë gjaku i 13.500 të vrarëve nga lufta, ende dëgjohen klithmat e 22.000 grave e burrave deri edhe  fëmijve të përdhunuar dhe e 1024 fëmijve të vrarë, si dhe i 109 fëmijve të zhdukur, ende s’kanë të pushuar vajet e nënave dhe e vejusheve të veshura me të zeza që nga 6000 të zhdukurit nga Serbia ende nuk janë gjetur 1635, duke përfshirë edhe Ukshin Hotin. Ende janë të gjalla  të paharruara në kujtesën e gjithë popullit shqiptar masakrat barbare serbe.  I duhet thënë Serbisë: “Qëndro larg nga shqiptarët, se krimet tuaja prej mëse një shekulli janë të pakrahasuara me çdo holokaust të ndodhur në historinë njerëzore!”  Territori tokësorë i Kosovës të jetë i njejtë me territorin, që kishte, kur ishte Krahinë Autonome. Nëse mund të ketë ndërrim të kufijve, duhet të përfshihen në Republikën e Kosovës Lugina e Preshevës,  Bujanovcit e Medvegjës, që po i çpopullon Serbia!
B. Ky qëndrim antishqiptar duket edhe ndaj Republikës të Shqipërisë. BE-në po i zvarrit pa fund hapjen e bisedimeve, për antarsimin e Shqipërisë në BE-n me pretekste të ndryshme të paqene.      -BE-në po ia arrin, apo ia ka arritur në kthimin e Shqipërisë në multietnike. Sipas analizave të fundit të ADN-ës del se 26% e shqiptarëve janë me prejardhje ilire, aq sa e ka Greqia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi. Natyrisht ka ndikuar lëvizja e popullsisë pas viteve ’90-të.  Por është e vërtetë, se është kthyer Shqipëria vetëm me 1/4 me shqiptarë autokton, pra Shqipëria me pak shqiptarë dhe me shumicën e popullsisë të ardhur.
C. Marrëveshja e Detit e Qeverisë të Shqipërisë me Qeveritë përkatëse të Greqisë e Italisë të viteve ’60, që ka qenë firmosur e të miratuar nga palët përkatëse dhe institucionet përkatëse të OKB. Marrëveshja Shqipëri-Greqi ka qenë 16 milje nga bregu. Pse është anolluar ajo Marrëveshje dhe nga kush është anolluar? Kjo kërkesë nuk i takon Bashkisë, por duhet ta hetojë SPAK-u!      Mendoj, që për kufijtë tokësorë, ajror e detarë të Shqipërisë e Kosovës të ngrihet pranë Dy Qeverive një Këshill i perbashkët i të Urtëve me pjesëmarrjen e historianëve të të gjitha trevave shqiptare dhe të të gjitha periudhave të historisë të popullit shqiptarë, patriotë e studjues. Ngritja e këtij Këshilli të miratohet  nga të dy Qeveritë e dy shteteve shqiptare dhe nismëtare të jetë atdheu amë, Shqipëria me rezidencë në Tiranë. Me Këshillin e të Urtëve duhet të konsultohen institucionet e shtetit para se të marrin vendimet e të nënëshkruajnë marrëveshjet nga ana e Ministrive dhe t’u përmbahen mbrojtjes së interesave të Shtetit Shqiptarë, interesave kombëtare.
D. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë të jenë primare dhe të ketë një strategji e program të qartë e konkret të përbashkët politik, ekonomik, ushtarak, arsimor e kulturor, shkencor e social, që të çojë drejt integrimit natyral dhe bashkimit të dy shteteve shqiptare. Mirë po shkon bashkëpunimi midis Bashkisë të Tiranës me Bashkinë e Prishtinës, sipas nismës së kryetarit, z.Erion Velia. Janë të gjitha kushtet e mundësitë ta bëjnë edhe Bashkitë e tjera, që të realizojnë jo thjeshtë bashkëpunim, por një integrim e homogjenizim të përbashkët. Këtë sugjerim ua kam bërë edhe Bashkive të Peshkopisë dhe të Bulqizës për bashkëpunimin me Dibrën e Madhe, Strugën e Ohrin, me Tetovën etj.    Para viteve 1981 shfrytëzuam politikën liberale të jashtme të RSFJ-së dhe organizuam e realizuam me sukses marrëdhënie institucionale midis Shqipërisë e Kosovës. Megjithë vështirësitë e dy sistemeve te kundërta  politike e pengesat, që na krijonte politika serbe e Beogradit, ne i zhvilluam marrëdhëniet në fushën e arsimit, të kulturës e arteve, të shkencës e sporteve konkretisht me marrëveshje e protokolle dhe pa marrëveshje e protokolle midis institucioneve arsimore e artistike, shkencore e sportive. Filloi të shkrijë akulli kufitar i ngritur gradualisht prej disa vitesh që, nëse do të kish vazhduar ajo ndarje edhe për disa vite të tjera, do të ishte me pasoja të vështira për t’u riparuar.     Isha me fat, që u bëra pjesë e projektit të madh kombëtarë për afrimin e shqiptarëve me atdheun amë dhe e drejtova atë projekt si ministre në institucionet në vartësi të MAK. Në Universitetin e Prishtinës dhe në shkollat e tjera të Larta në Kosovë 80% të programit e realizonin pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të Larta të Shqipërisë. I gjithë sistemi arsimor në Kosovë nga sistemi parashkollor e 8-vjeçarë, të mesëm e të lartë mësonin me tekstet e sistemit arsimor të Shqipërisë. Çdo vit vinte drejtori Rexhep Zogaj e specialistë nga Enti Botues i Rilindjes të Kosovës dhe merrnin kontigjente të teksteve e, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin dhe i përdornin në shkolla. Enti Botues Rilindja furnizonte me ato tekste edhe shkollat me popullsi shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për një abetare të përbashkët, por për planet e programet dhe tekstet e përbashkëta. Sa isha ministre, nuk e firmosa një projekt-marrëveshje për marrëdhëniet në fushën e arsimit e kulturës dhe shkencës midis RPSSH-së dhe RSFJ-së, sepse i vinin marrëdhëniet me Kosovën nën kontrollin e Beogradit.     Edhe përdorimi i Abetares së përbashkët është një nisëm e mirë e Ministrisë të Arsimit, por duhet parë, se cila Abetare do të jetë? Para disa vitesh i kam studjuar abetaret, që ishin në përdorim dhe kam shkruar në revistën e kurikulave. Disa prej tyre nuk ishin të karakterit të gjuhës shqipe si gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane. Gjuha shqipe nuk është gjuhë neolatine e as gjermanike, as anglosaksone e sllave. Prandaj hartimi i abetareve kërkohet, që t’i përmbahen principeve të gjuhës shqipe.
Abetarja e përbashkët është e domosdoshme të hartohet nga një grup me specialistë e mësues të klasës të parë, që të synojë mësimin e shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, mësimin e shqiptimit të tingujve të gjuhës shqipe, sepse disa nga brezat  e këtyre 30 viteve nuk i artikulojnë mirë tingujt e fjalët, kur flasin e diskutojnë; mësimin që të shkruajnë bukur e pa gabime dhe të lexojnë rrjedhshëm. Shkruhen mesazhe me shumë gabime. Edhe tekstet shkollore janë me gabime. Në klasën e parë është e domosdoshme, që të ushtrohen nxënësit të shkruajnë bukur e pa gabime nëpërmjet bukurshkrimit dhe tregimeve. Teknologjitë e reja po ndikojnë, që nxënësit të mos ushtrohen për të lexuar e shkruar pastër e bukur gjuhën shqipe. Tregimet e abetares të edukojnë atdhedashurinë dhe emrat të jenë ilir e shqiptarë e jo të huaj. Abetarja të hartohet për shkollat shqiptare dhe në BE-në ne do të hyjmë me trashëgiminë historiko-kulturore dhe jo duke iu larguar identitetit tonë kombëtar.     Shkolla shqiptare para viteve ’90-të,  kishte karakter kombëtarë dhe e edukonte brezin e ri me dashurinë ndaj familjes e atdheut, me dëshirën për të punuar me përkushtim, ku të kishte nevojë atdheu e populli.       Mbledhjet e përbashkëta të dy Qeverive të dy Shteteve shqiptare është një nismë e përvojë mjaft e mirë të ndërmarra nga kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama e kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti. Kultura dhe artet kanë krijuar një përvojë mjaft të mirë me aktivitetet e festivalet e përbashkëta kombëtare. Kjo përvojë mund të praktikohet në të gjitha fushat e sektorët.
4. Dy shqiptarë të Ulqinit para 2-3 muajsh më kanë pyetur:”Pse nuk e kërkon Shqipëria qytetin e Ulqinit, sepse Kongresi i Berlinit i vitit 1882 ka vendosur t’ia le Malit të Zi për 100 vjet dhe pas këtij afati t’i bashkohet Shqipërisë? Ky afat është plotësuar që në vitin 1982″.       Ky fakt është i vërtetë, që e konfirmova nga leximi në internet. Eh! Ky ka qenë fati i coptimit të trojeve shqiptare dhe e ndarjes së shqiptarëve ne 6 shtete nga Fuqitë e Mëdha Europiane. Sa pazare janë bërë e vazhdojnë të bëhen mbi kurrizin e ne shqiptarëve!!! Vendimi i Kongresit të Berlinit për t’ia dhënë Ulqinin 100 vjet Malit të Zi, ka patur si qëllim, që të harrohet nga Shqipëria, siç është harruar. Pas 100 viteve kanē dalë marrëveshje e vendime të tjera ndërkombëtare për mos ndryshim kufijsh e të tjera si këto. Në të gjitha trojet shqiptare vazhdon të ushtrohet dhunë për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre si dhe të bëhet asimilimi i tyre. Në majë të Malit Krajë vendoset me dhunë një Kishë serbe. Po shkojnë drejt asimilimit banorët e Tivarit e të Malësisë së Madhe e të tjers si këto, siç është vepruar në Sanxhakun e Nishit, në Ohër, Resnje e Prilep dhe Prespë.. Çdo të bëhet?! Me keqardhje, shprehem se ka segmente të BE-në, që vazhdojnë me lojrat e politikave të vjetra të fundit të shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të në dëm të shqiptarëve.   Shqiptarët BE-në e vlerësojnë jo vetëm nga principet që janë të drejta, po nga veprimet e kamufluara e tinzare antishqiptare. Ashtu si dhe politikanët shqiptarë vlerësohen jo vetëm nga fjalimet e flakta patriotike, që disa e kanë përdorur dhe e përdorin si maskë për të mbuluar e kamufluar tradhëtitë kombëtare, por se si veprojnë në interes të Shtetit e të shqiptarëve.    5.Të ngrihet te Sheshi Skënderbe një Planimetri e Kryeqytetit, siç i kanë shumë kryeqytete të botës.
Nënëkryetares i lashë një çantë me katër libra të mija për kryetarin, z.Velia me këto tituj:     1. “Histori e shkruar me gjak nga pjesëmarrësi i Dy Luftrave Botërore, Ahmet Feta Cami”(Ditari i burgut si antifashist i Ahmet Camit 1941-1942 dhe kujtime e dokumente arkivore).     2. “Katër Ditë Vizitë në Kosovë-1980” (Ditari im i mbajtur gjatë vizitës si ministre në Kosovë dhe dokumente arkivore).    3. “Doktor Mehdi Cani, misionarë i mjekësisë shqiptare” (Kujtimet e mija si bashkëshorte dhe të familjarëve e kolegëve, si dhe të pacientëve të tij).          4. “Historia e një grushti shteti” shqipëruar nga frëngjishtja nga unë.    Kam edhe 5 libra në kompjutër, që s’kam mundësi t’i botoj me atë pension të pakët, që marr. Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës   Tiranë, më 31 mars, 2022