Agim Sylejmani: Rrethanat dhe zhvillimet politike gjatë viteve 1988 – 1989 dhe shkaku i suprimimit të autonomisë së Kosovës
Rrethanat dhe zhvillimet politike gjatë viteve 1988 dhe 1989 dhe
shkaku i suprimimit të autonomisë së Kosovës
Ngjarjet e pranverës 1989, sikur heshten, ose thënë më mirë, sikur mbesin nën hijen e ngjarjeve të tjera madhore në historinë e Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore. Sikur dikush përpiqet që të minimizojë rëndësinë e këtyre ngjarjeve, apo ndoshta për të fshehur diçka, në mos për t’u fshehur, e me këtë, të fshehin edhe fajësinë.
Ngjarjet e kthesës së madhe dhe vendimtare në rrugëtimin historik të Kosovës, padyshim, mbesin demonstratat e mëdha të Pranverës së Kuqe ’81, ngjarje kur regjimi titist vrau e plagosi shumë të rinj shqiptarë dhe arrestoi me mijëra të tjerë. Deri më sot flitet për 12 të vrarë në demonstratat e vitit 1981, ndërsa në demonstratat e vitit 1989 u vranë me dhjetra e dhjetra të rinj anë e kënd Kosovës. Edhe vetë regjimi qe i detyruar të pranojë dhjetra të vrarë, ani se ky numër mund të jetë shumë më i madh.
Po pse heshtet dhe flitet kaq pak për ngjarjet e vitit 1989, ngjarje që vetëm nga 23 marsi deri në maj 1989 mori jetën e 57 të rinjve (sipas të dhënave zyrtare) dhe u plagosën me qindra të tjerë? Athua ka përgjegjësi një shtresë e caktuar e shoqërisë shqiptare të asaj kohe në Kosovë?
Për të trasuar rrugën e sqarimit të shumë të panjohurave do duhej kthyer në ngjarjet që i paraprinë këtyre ngjarjeve të marsit deri në maj të vitit 1989, e sidomos ngjarjeve që pasuan më vonë. Ne sikur po kemi frikë të emërtojmë me emra e mbiemra dhe të tregojmë me gisht akterët e gjendjes së krijuar në vjeshtë të vitit 1988 dhe në fillim të pranverës së vitit 1989 dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjeve që pasuan. Studiuesit e kësaj periudhe të historisë do të duhej të merren më me seriozitet me këto ngjarje dhe të ndriçojnë sa më objektivisht gjërat që i paraprinë dhe atyre që pasuan pas këtyre ngjarjeve.
Pra, përmasat e gjakderdhjes nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës ishin shumë të mëdha, shumë më të mëdha se ato të ngjarjeve të Pranverës së vitit 1981. Edhe pse regjimi përpiqej të minimizojë numrin e të vrarëve e të plagosurve, nga presioni i opinionit ndërkombëtar u detyrua më vonë të pranojë 57 të vrarë dhe disa qindra të plagosur anë e mbanë Kosovës. Një listë të tillë të të vrarëve në ngjarjet e mars – maj 1989 e kam gjetur në Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit.
Këtu mund të parashtrohet pyetja, se si ishte e mundur që ata të cilët ishin ngritur në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, vriteshin, plagoseshin, burgoseshin, torturoheshin dhe dënoheshin me shumë vite burgimi, ndërsa ata të cilët e shpallën “pavarësimin” nga Serbia më 2 korrik 1990 as nuk i vranë, as nuk i rrahën, as nuk i burgosën dhe as nuk i dënuan? Në anën tjetër, mbi 75 % të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët e shpallën edhe “deklaratën e pavarësisë” më 2 korrik 1990 ishin të zgjedhurit e regjimit të Millosheviqit që në tetor dhe nëntor të vitit 1988! Mendoj se këtu duhet kërkuar burimi i të gjitha të këqijave të asaj që pasoi në vitet e mëpastajme, deri në shpërthimin e luftës titanike të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Pas shuarjes me gjak të demonstratave të Pranverës shqiptare 1981, jeta në Kosovë u rëndua edhe më shumë. Serbomëdhenjtë filluan t’i marrin me dhunë e me kërcënime pozitat kyçe në kierarkinë shtetërore, polici, ushtri dhe administratë. Ngjarjet filluan të zhvillohen rrufeshëm dhe njerëzit nuk ishin të sigurtë se çfarë mund t’u sjell e nesërmja. Situata kishte filluar të bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar. Dhuna dhe terrori fashist serbomadh arriti kulmin e mosdurimit, sidomos pas formimit të të ashtuquajturit “Këshill i organizimit të protestave serbe e malazeze në Kosovë”, këshill i nxitur dhe formuar nga qarqe fashiste të pushtetit titist serb në Beograd. Ky këshill që në vitin 1987 filloi me organizimin e mitingjeve dhe marsheve naziste të tipit hitlerian, thuajse të përditshme, në të gjitha vendet në Kosovë, por edhe në Serbi, Vojvodinë e Mal të Zi.
Për ta kuptuar më drejt situatën e krijuar të fundvitit 1988 dhe fillimvitit 1989, duhet të kthehemi pak prapa në kohë, duke u përpjekur që në mënyrë kronologjike të pasqyrohet gjithë ai zhvillim i vrullshëm i ngjarjeve, të cilat në historikun e Kosovës zë një vend të rëndësishëm, ani se një shtresë e popullsisë, asaj pjese që doli pa pritë e pa kujtuar, si kërpudhat pas shiut, në ballë të institucioneve shtetërore të atyre viteve, jo me ëndje i kthehet hulumtimit, shqyrtimit, shtjellimit dhe sqarimit të asaj çfarë ndodhi dhe çka i parapriu ndryshimeve kushtetuese të 23 marsit 1989.
Pas vitit 1981, regjimi pushtues titist organizoi një fushatë të egër në mesin e popullatës shqiptare, ku pos arrestimeve masive, zhvilloi të ashtuquajturin diferencim ideopolitik. Kjo fushatë ishte e egër sidomos në mesin e kuadrove arsimore të Universitetit të Prishtinës, meqë këtë vatër të arsimit të lartë regjimi i Beogradit e llogariste si çerdhe të irredentizmit. Për këtë fushatë ndaj kuadrove më eminente të Universitetit, regjimi tititst i Beogradit kishte autorizuar dhe ngarkuar veglat qorre të tij, Azem Vllasin, Agim Zatriqin e Hajredin Hoxhën, të cilët duhej ta udhëheqnin dhe ta mbikëqyrnin drejtpërdrejt procesin e diferencimit ideopolitik në Uni-versitetin e Prishtinës.
“Këshilli i organizimit të protestave serbe e malazeze në Kosovë” e ka zanafillën në vitin 1982, kur në Fushë Kosovë krijohet nga serbët Grupi “Otpor”, e që në shqipe përkthehet si rezistencë. Bërthama e hershme e këtij grupi përbëhej nga Mirosllav Sholeviq, Kosta Bullatoviq e Boshko Budimiroviq.
Më 1983, ky grup arriti të takohej privatisht edhe me kryetarin e atëhershëm të Serbisë, Nikolla Lubiçiq. Konsolidimi i veprimtarisë së këtij grupi filloi të zhvillohej kur krerët e tij arritën të vendosin kontakte edhe me rrethet e njohura shoviniste në Serbi, të cilët, pos mënyrës së veprimit u jepnin edhe udhëzime se si duhet të vepronin dhe si duhej të paraqiteshin në opinion. Sidomos kontakti me Dobrica Qosiqin, këtë antishqiptar të përbetuar, të cilin e kishin larguar nga LKJ pikërisht për qëndrimet e tij ndaj Kosovës, për “Otpor-in” paraqet një kthesë të madhe në afirmimin e grupit si mbrojtës i interesave të popullsisë serbe e malazeze në Kosovë dhe vise tjera të ish-Jugosllavisë.
Pas konsolidimit të tij, në vitin 1985, ky grup filloi t’i merr edhe konturat e një lëvizjeje, duke përfshirë në radhët e veta edhe figura të njohura të artit dhe kulturës serbe, siç ishte edhe rasti me këshilltarin jozyrtar Zoran Grujiq, profesor universitar dhe Dushan Ristiqin, ish-funksionarin e lartë të Kosovës.
Edhe pse vepronin në mënyrë të kamufluar, megjithate qëllimi i vërtetë i tyre ishte mosdurimi i çdo gjëje shqiptare dhe ishin të orientuar të bënin çmos në ndryshimin e strukturës demografike të Kosovës. Nga veprimet më të rëndësishme të “Otpor-it” ishte Peticioni i tetorit të vitit 1985. Ky peticion fillimisht u nënshkrua nga 76 mbështetës. Gjatë asaj vjeshte peticionin e nënshkruan gjithsej 2.016 serbë e malazez të Kosovës. Peticionin e hartuan fillimisht dy gazetarë të revistës “Duga”, Rajko dhe Danica Gjurgjeviq, ndërsa vërejtjet dhe plotësimet u bënë nga Dobrica Qosiqi dhe murgu Atanasije Jeftiq. Prandaj ky peticion në fillim u quajt “Peticioni 2016”, duke u bazuar nga numri i personave që e nënshkruan peticionin, ndërsa pas publikimit të tij nëpër gazeta të ndryshme serbe, ai u nënshkrua nga më shumë se 40.000 veta.
Intensifikimi i përpjekjeve për “Serbinë e bashkuar” përmes ndryshimeve kushtetuese, nisi me ngritjen e Sllobodan Millosheviqit, nga pozita e kryetarit të Komitetit të LK-së për Beogradin në postin drejtues të KQ të LK të Serbisë, në maj të vitit 1986. Platforma ideologjike e Millosheviqit bazohej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i hartuar në shtator të vitit 1986. “Libri i kaltër”[1] shërbeu si material pune për Memorandumin famoz të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, nga i cili më 24 shtator 1986 u publikuan në të përditshmen beogradase “Večernje Novosti” pjesë të redaktuara nga intelektualët serbë të udhëhequr nga nobelisti Dobrica Qosiq.
Njëra nga taktikat strategjike, sipas mësimeve të Dobrica Qosiqit, ishte shkuarja e delegacioneve të serbëve të Kosovës në Beograd. Kështu, më 26 shkurt 1986, rreth njëqind serbë nga Kosova shkuan në Beograd. Ishte kjo protesta e parë e serbëve dhe malazezëve të Kosovës në Beograd. Ata arritën të futeshin dhundhshëm në Kuvendin Federativ, duke tërhequr edhe solidaritetin e punëtorëve të disa ndërmarrjeve publike. E gjithë kjo ishte bërë, siç tregoi më vonë Mirosllav Sholeviq, në pajtim me Miodrag Trifunoviqin, atëherë kryetar i Këshillit Federativ.
Agresivitetin dhe forcën e vet ky grup e tregoi më 2 prill 1986, pas arrestimit të Kosta Bullatoviqit, i akuzuar për vepër penale të “propagandës armiqësore”, kur para shtëpisë së tij në Fushë Kosovë, protestuan mbi 20.000 serbë.
Më 21 janar 1987 Kryesia Federale doli me propozimin për fillimin e ndryshimeve në Kushtetutën e federatës jugosllave.
Drejtuesit e Lëvizjes “Otpor” Miqo Shparavallo, Mirosllav Sholeviqi etj. të cilët ishin bërë krahu kryesor mbështetës i Millosheviqit në rrugëtimin e tij të karrierës, më 24 prill 1987 organizuan në Fushë-Kosovë një tubim protestues, ku Millosheviqi, i shoqërëruar nga Azem Vllasi, bëri legjitimimin e kësaj lëvizjeje serbe e malazeze. Ai në këtë tubim u thirri serbëve nga foltorja: “Askush më nuk do të guxojë të ju rrahë”. Ishin këto fjalë ogurzezë që u pasuan me intensifikimin e terrorit dhe dhunës ndaj shqiptarëve dhe çdo gjëje shqiptare.
Më 28 korrik 1987 Kuvendi i Serbisë vendosi për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë.
Më 14 shtator 1987, Millosheviqi organizoi shkarkimin e Ivan Stamboliçit nga posti i kryetarit të republikës serbe, për të ardhur vet në pushtet në vitin 1989.
Në gjysmën së parë të vitit 1987 u intensifikua edhe më shumë veprimtaria e “Otpor-it”, sidomos në qershor, atëherë kur po planifikohej të mbahej mbledhja e IX e KQ të LKJ- së, ku do të shqyrtoheshin sidomos çështjet aktuale ideopolitike në Kosovë. Më 26 qershor, në parkun “Pionir” u grumbulluan disa qindra serbë e malazezë nga Kosova, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë vendas të tjerë.
Për këtë mbledhje, jo rastësisht ishte caktuar data 28 qershori, meqë pikërisht në këtë ditë në vitin 1389 është zhvilluar Beteja e Kosovës. Kjo koincidoi edhe me përgatitjet për manifestimin e 100 vjetorit të ASSHA (Akademisë Serbe të Shkencave dhe Artit), përgatitje të cilat u ndalën pas publikimit të aterialit të quajtur “Memorandumi i ASSHA”, memorandum i cili ishte hartuar dhe miratuar në restorantin e Klubit të Shkrimtarëve të Serbisë, të njohur si “Francuska 7”. Teksti i Memorandumit përbëhej prej 73 faqesh dhe ishte i ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë kishte të bënte me krizën shoqërore dhe ekonomike jugosllave, kurse pjesa e dytë ishte emërtuar: “Pozita e Serbisë dhe e popullit serb”. Ishte kjo pjesa e dytë ajo që bëri jehonë të madhe në opinionin publik, ku trajtohej çështja e statusit të Serbisë dhe të popullit serb, duke kërkuar në “rivendosjen e plotë të integritetit kombëtar dhe kulturor” dhe se këtë të “drejtë” mund ta arrinin vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës së vitit 1974.
Hapat që duhej të ndërmerrte shteti dhe populli serb parashiheshin në përpikmëri në këtë memorandum, hapa të cilët në vitet 1989/90 edhe u realizuan. Në verën e vitit 1988, gjuha shqipe u hoq nga përdorimi zyrtar dhe në vend të saj si gjuhë zyrtare në Kosovë u bë serbishtja. Më 23 mars 1989 u suprimua autonomia e Kosovës. Më 5 korrik 1990 u shuan Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. etj. etj. Të gjitha këto nuk do të mund të realizoheshin sikur politika zyrtare e Beogradit të mos ishte mbështetur dhe unifikuar me qëndrimet ultranacionaliste të Kishës Ortodokse, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Artit (ASSHA) dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë. Prandaj jo rastësisht më 1992, nobelisti Dobrica Qosiq u zgjodh kryetar i Jugosllavisë së ashtuquajtur të Zhablakut. Sidomos gjetja e zbatuesve shqipfolës të pushtetit të atëhershëm në Kosovë, ishte shtylla kryesore e realizimit të planeve të shovinistëve serbë, me në krye Millosheviqin. Disa nga shërbëtorët më besnikë të regjimit millosheviqjan në poste të larta shtetërore deri në fundmarsin 1989, padyshim ishin:
Azem Vllasi, Ali Shukria, Sinan Hasani, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Nebih Gashi, Shefqet Jashari, Ymer Pula, Kolë Shiroka, Nazmi Mustafa, Jusuf Zejnullahu, Jusuf Karakushi, Bajram Selani, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Syrja Popovci, Hysamedin Azemi, Raif Vërbnica, Shefqet Mustafa, Daut Jashanica, e shumë e shumë të tjerë, por sidomos kontributi i Isa Mustafës gjatë ndryshimeve kushtetuese për “Serbinë unike” ishte jashtëzakonisht i madh!
Më 6 nëntor 1987 dhe më 2 shkurt 1988 Kuvendi i Kosovës miratoi propozimin e Kryesisë së Kosovës për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës, sipas direktivave të Serbisë.
Më 19 gusht 1988 mbahet mitingu i parë protestues në Titograd, ku morën pjesë 15 mijë njerëz.
Në mitingun e 3 shtatorit 1988, në Smederevë, që u pasua nga ai në Zrenjanin, Cërvenkë dhe disa qytete të tjera të Vojvodinës, fotografitë e Titos u zëvendësuan me ato të Millo-sheviqit, Betejës së Kosovës, Njegoshit, etj. kurse parullat mbizotëruese ishin: “Rroftë Serbia!”, “Një Kushtetutë!”, “Serbia unike!”, “Na jepni armë!”, “Të shkojmë në Prishtinë!”, “Slobodan “Millosheviq – jemi me ty!”, etj.
Kuvendi i Kosovës më 22 shtator 1988 miratoi Projektin e ndryshimeve kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës.
Pa kaluar një javë fashistët serbomëdhenj në Kosovë ndërmorën një fushatë të egër të burgosjeve masive dhe më se brutale të të rinjve shqiptarë, më 27 shtator 1988, ku merrnin pjesë fare pak policë shqiptarë. Në këtë kohë Kosova kishte filluar të mbushej me policë të njësive speciale të ardhura nga vise të ndryshme të Serbisë.
Sipas agjensive perëndimore të lajmeve, më 1 tetor 1988 në një qytet të Serbisë marshuan mbi 150’000 serbë e malazezë. Ndërsa më 5 tetor 1988 punëtorët e “Rakovicës”, të organizuar nga klika shoviniste serbe, me qëllim të “argumentimit” të përkrahjes së klasës punëtore për ndryshimet kushtetuese, u hodhën në grevë dhe marshuan në Beograd, ku edhe u futën dhunshëm në Kuvendin jugosllav. Kështu shovinistët serbomëdhenj e çuan më tej hapërimin e tyre galopant drejt marrjes me dhunë të pushtetit në gjithë Jugosllavinë, duke e çuar atë drejt një kasaphaneje të paparë. Kjo rrjedhë e shpejtë e ngjarjeve, për vetëm dy-tre ditë, ndërlikoi edhe më tej situatën e elektrizuar në gjithë Jugosllavinë, duke ndezur kështu detonatorin fillimisht në Vojvodinë dhe për të shpërthyer baroti pastaj në Kosovë.
Më 6 tetor 1988, në mitingun e tretë në Novi Sad, ku morën pjesë mbi 80.000 veta, duke e detyruar të nesërmen udhëheqjen politike krahinore të Vojvodinës të jepte dorëheqje kolektive. Rënia e garniturës politike të Vojvodinës u quajt ndryshe edhe “Jogurt revolucion”, pasi që demonstruesit e Millosheviqit e qëlluan ndërtesën e Kuvendit të Vojvodinës me shishe jogurti. Në këtë periudhë ndryshon edhe emërtimi i protestës, në vend të “mitingjeve të solidaritetit”, tani tubimet e tilla u quajtën: “mitingjet e vëllazërim-bashkimit”.
Më 7 tetor 1988 në Kragujevc marshuan 200’000 serbë e malazias, ndërsa në Podgoricë (ish-Titograd) mbi 150’000 veta, ku kërkonin dhunshëm ndërrimin e udhëheqësve të Malit të Zi, duke detyruar pushtetin të jap dorëheqje.
Me këto marshime dhe mitingje Millosheviqi marshoi drejt fashistizimit të egër të Serbisë, marshim i ngjashëm me atë të Hitlerit dhe Musolinit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Kjo u pasua pastaj me kulmimin e këtyre mitingjeve në Beograd, në nëntor të vitit 1988, ku u tubuan mbi një milion njerëz, miting i cili u shndërrua në një demonstratë kundër liderëve partiakë të Kosovës dhe në favor të ndryshimit të kushtetutës.
Më 11 tetor 1988, në orët e vona, Ekrem Arifi dhe Azem Vllasi dhanë dorëheqje nga postet udhëheqëse ekzekutive, siç dha dorëheqje edhe famëkeqi Kolë Shiroka. Çdo pushtues i përdor veglat e veta qorre vetëm deri atëherë kur mund të shtrydhë diç prej tyre për interesa të veta, për ta mbajtur nën sundim atë popull që ka pushtuar. Këto vegla qorre, të vërbuara nga lakmija, karrierizmi dhe paraja e salltaneti, të pajtuar me turpin e tradhtisë, janë në gjendje të bëjnë çdo gjë që kërkohet prej tyre, të ngriten edhe kundër dinjitetit të vet personal e kombëtar. Por, të gjithë këta i pret një fund i njëjtë, fundi i turpshëm në plehun e historisë. Kishte ardhur koha që klikës millosheviqjane i duheshin njerëz të tjerë që do kryenin shërbime për ta. Tani u duheshin njerëz të kalibrit tjetër, të tillë çfarë i përshtateshin situatave që donin të krijonin në prag të suprimimit të autonomisë.
Më 20 tetor 1988 në Fushë Kosovë marshuan mbi 30’000 serbë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Komitetit Krahinor të LKJ-së në Kosovë.
Pas ndryshimit të pushtetit në Vojvodinë dhe në Mal të Zi, dhe instalimi i vartësve të tij në pushtetin e këtyre dy njësive federative, Millosheviqi i kishte duart e lira dhe u përqëndrua tërësisht në suprimimin e autonomisë së Kosovës. Hapin e parë e realizoi më 17 nëntor 1988, kur u shkarkuan dy figurat kryesore të KK të LK të Kosovës: Azem Vllasi e Kaqusha Jashari, të cilët u zëvendësuan me figura të tjera të dëgjueshme, të cilët do të bëhen pjesë e realizimit të skenarit për rrënimin e rendit politiko-juridik në Kosovë, Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Hysamedin Azemi, të cilët kishin për detyrë të “shprehnin vullnetin politik të popullit në Kosovë”, si dikur Fadil Hoxha me pasuesit e tij në Prizren më 10 korrik 1945.
Është koha kur njoftohej se inflacioni në ish-Jugosllavi kishte arritur shifrën 227 %!
Ashtu siç ndihmoi Azem Vllasi padronin e tij Sllobodan Millosheviq në mitingun e Fushë Kosovës, ashtu vepronin edhe vegla tjera qorre shqipfolëse. Në mesin e mbi 400 nxënësve serbë të shkollave të mesme të Pejës, të cilët shkuan në Kuvendin Federativ, ishin edhe dy shqiptarë. Njëri prej tyre, Robert Berisha, deklaroi “Edhe kokën do ta jap për juve!” – i cili pas kthimit të tij nga Beogradi u rrah nga një shok i klasës. Ndërsa në mitingun e serbëve e malazezëve në Mitrovicë shkoi edhe i famshmi “profesor” Halit Tërrnavci, ku paraqitja e tij para protestuesve shkaktoi një entuziazëm të madh tek shovinistët serbomëdhenj.
Fatkeqësia e Kosovës dhe popullit shqiptar është se, pikërisht në këtë kohë në Komisionin Kushtetues të KSA të Kosovës kishte të tillë, si Isa Mustafa, Syrja Popovci, Hazër Susuri, Vesel Latifi, Habib Hashani, Halit Muharremi, Qemal Sahtaçiu, Pjetër Kola, Shefqet Mustafa, Nik Lumezi etj. si dhe Kurtesh Salihu, i cili ishte kryetar i Komisionit Legjislativ-Juridik të Dhomës Federative dhe anëtar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të RSFJ dhe i caktuar si koordinator të Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës, të cilët shumë shpejt u “dakorduan” dhe “harmonizuan” me propozimet e Komisionit Kushtetues të Serbisë për ndryshimet kushtetuese, duke u pajtuar për të gjitha Projektamandamentet e propozuara nga serbët, të cilat do të shpalleshin më 29 nëntor 1988. Për këtë “harmonizim” të komisioneve dhe anëtarëve të tyre njoftoi Kajtaz Rrecaj në mbledhjen e organizuar në Institutin Albanologjik të Kosovës, i cili në raportimin e tij përmend mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisioneve Kushtetuese të Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 9 tetor 1988, ku qenkan “harmonizuar” për të gjitha propozimet për ndryshimet kushtetuese. Profesori i së drejtës juridike, Syrja Pupovci, deklaronte pa fije turpi se “çdo gjë qëndronte brenda parimeve të vitit 1974 dhe se Kosova nuk humbaste asgjë!”.
Sipas njoftimeve të gazetës “Rilindja” të datës 1 dhe 2 nëntor 1988, për tubimet gjatë tetorit lidhur me diskutimin publik për projektamandamentet e Kushtetutës së Serbisë dhe Kosovës, fitohet përshtypja se masa shqiptare në përgjithësi përkrahte amandamentet e “harmonizuara” në mes të komisioneve kushtetuese, (pa qenë fare të njoftuara se çfarë ishte harmonizuar midis tyre), ndërsa për ato të paharmonizuara përkrahnin qëndrimin e Komisionit Kushtetues të Kosovës. Këtu mund të shihet loja që luhej përmes “Rilindjes” me ndikimin masiv të “pranimit” për ndryshime kushtetuese, pa ditur fare se çfarë “qëndrimi” kishte Komisioni Kushtetues i Kosovës dhe sidomos anëtarëve të tyre, të cilat luanin prapa perdes me fatin e gjithë Kosovës dhe popullit shqiptar. “Rilindja” njofton se masa ishte unanime në kërkesën e tyre që “Kushtetuta e vitit 1974 të mos ndryshojë në gjërat thelbësore…”, ndërsa për gjërat e paharmonizuara të komisioneve i jepeshin mbështetje dhe përkrahje Komisionit Kushtetues të Kosovës.
Inflacioni në këtë kohë kaloi shifrën 250%!
Më 11 nëntor 1988 Kryesia e KR të LSPP-së të Sllovenisë u njoftua se tani e tutje, sipas autorizimeve të gjeneralkolonelit Velko Kadijeviq, në territorin e Sllovenisë në Armatën jugosllave do të përdoret vetëm gjuha sllovene, mbishkrimet do të bëhen sllovenisht, betimi me shkrim për ushtarët sllovenë do të bëhet në gjuhën sllovene, që eprorët të flasin sllovenisht dhe gazetat “Narodna Armija” dhe “Front” të dalin edhe sllovenisht!
Më 17 nëntor 1988, me të dëgjuar për shkarkimin e dy udhëheqësve kosovarë, minatorët e minierës “Trepça” në Stantërg, të nxitur nga ata që ishin shkarkuar, organizuan marshin protestues deri në Prishtinë, duke marshuar në këmbë 52 km rrugë. Sipas instruksioneve të atyre që i nxitën minatorët, ata bartnin krahas flamurit kombëtar shqiptar dhe flamurit të minatorëve edhe flamuj shtetërorë jugosllavë. Në ballë të marshimit bartnin fotografitë e Titos dhe brohorisnin parulla titiste si “Rroftë KQ i LKJ-së!”, “Rroftë KK dhe Kryesia e KK të LK të Kosovës!”, por edhe “Rroftë Kushtetuta e vitit 1974!”, “Të ruhen parimet e Kushtetutës së vitit 1974!”, “Ndërrime po, por vetëm ato që çojnë në demokratizim!”, “Kaqusha-Azem!”, “Kosova nuk është Vojvodinë!”, e shumë të tjera.
Tubimet e minatorëve të minierës “Trepça” të Stantërgut zgjatën plot katër ditë, përkatësisht prej 17 deri më 21 nëntor 1988.
Kaçusha Jashari dhe kryetari i Kryesisë së Kosovës, Remzi Kolgeci, bënë përpjekje dëshpërurese për të penguar ardhjen masive të minatorëve në Prishtinë, siç u angazhuan edhe njësitë speciale të milicisë së Kosovës te fshati Mazgit, afër Obiliqit. Edhe në afërsi të fshatit Tomiq, Remzi Kolgeci u përpoq të kthente mbrapa minatorët, duke i gënjyer dhe mashtruar. Por, minatorët nuk u mashtruan dhe vazhduan marshimin e tyre për në Prishtinë. Me minatorët e “Trepçës” u bashkuan edhe minatorët e Kishnicës, Novobërdës, Hajvalisë e të Goleshit si dhe punëtorët e kombinatit “Ramiz Sadiku”. Me ta u solidarizuan studentët e Universitetit të Prishtinës, rinia shkollore dhe i gjithë populli, por jo edhe strukturat politike shqiptare të këtij regjimi, të cilat këto protesta i cilësuan si armiqësore e kundërevolucionare.
Ndërkaq, më 19 nëntor 1988 në mbrëmje, u kumtua se në Prishtinë kanë arritur mbi 100 mijë njerëz, të cilët, përkundër të ftohtit, janë tubuar në qendër të qytetit. Pjesa më e madhe e kësaj mase qytetarësh qëndroi këtu deri në orët e hershme të mëngjesit.
Një përpjekje për t’i bindur protestuesit që të kthehen nga rruga për ku ishin nisur, ishte organizuar edhe në fshatin Bresalc, ku në mesin e aktivistëve politikë të pushtetit, kishte ardhur edhe Kaqusha Jashari, e cila u përpoq t’i bindë marshuesit se gjoja kalimi nëpër Graçanicë paraqet rrezik për ta. Pas dështimit për ta ndalur turmën, e cila vazhdoi rrugëtimin për në Prishtinë, e dëshpëruar Kaçusha Jashari, bashkë me aktivistë të tjerë kthehet nga kishte ardhur.
Në këtë kohë, duke e shfrytëzuar situatën e krijuar në Kosovë, Këshilli Republikan i LSPP-së në Maqedoni ndaloi me ligj mbi 380 tituj të librave në gjuhën shqipe.
Më 1 janar 1989 u shkarkua nga pozita e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë Branko Mikuliq. Me të u shkarkuan edhe një numër përkrahësish të tij nga Këshilli Ekzekutiv Federativ.
Më 12 janar 1989, nga presioni i protestave dhe demonstratave të vazhdueshme në Mal të Zi, u shkarkuan të gjitha strukturat drejtuese shtetërore dhe partiake të kësaj republike, duke e lënë pa organe drejtuese shtetërore e partiake.
Në fund të janarit 1989, gazeta “Mlladina” e Lubjanës publikoi një shkrim për një skenar të ushtrisë jugosllave për të sulmuar Shqipërinë. Për këtë reagoi menjëherë më 25 janar 1989 ATSH-ja. Me këtë situata edhe ashtu e acaruar politike, u elektrizua edhe më shumë, duke rrezikuar gjithë rajonin.
Më 27 janar 1989, KK i LK të Kosovës zgjodhi për kryetar përkrahësin e Millosheviqit, kryeudbashin Rrahman Morina.
Më 2 shkurt 1989 Azem Vllasi përjashtohet edhe nga KQ i LKJ-së. Ndërsa më 2 e 3 shkurt të vitit 1989, minatorët e minierës “Trepça” të Stantërgut sërish u hodhën në grevë. Këtu qartazi dukej se me ndjenjat më të çiltra e të pastra të minatorëve dhe klasës punëtore në Kosovë po luanin disa pushtetarë të deriatëhershëm, duke u përpjekur të shpëtonin karrikat e tyre.
Duke e parë se ndryshimet kushtetuese dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës kishte hyrë në fazën e fundit, më 20 shkurt të viti 1989, minatorët e “Trepçës” së Stantërgut filluan grevën e urisë.
Më 22 shkurt 1989 ndryshimet në kushtetutën serbe u miratuan njëzëri nga komisioni kushtetues i Serbisë, ndërkaq dy ditë më vonë pasoi miratimi unanim i kushtetutës në seancën plenare të parlamentit serb.
Nga 20 deri 28 shkurt 1989 sërish ishin minatorët ata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese në dëm të Kosovës, duke u hedhur në një grevë të përgjithshme dhe duke u ngujuar në galeritë e tyre të punës. Këtë herë artikuluan 10 kërkesa dhe njëra prej tyre ishte: “Të jepnin dorëheqje të parevokueshme: Rrahman Morina, kryetar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës; Hysamedin Azemi, kryetar i Kryesisë së KK të LK të rishtinës dhe Ali Shukriu, anëtar i KQ të LK të Jugosllavisë.”
Në kohën e grevës së minatorëve, në shkurt të vitit 1989, në minierë kanë qenë të deponuara 2450 kg eksploziv dhe sasi të konsiderueshme të lëndëve djegëse, gjë që kishte alarmuar tejmase institucionet shtetërore. Kjo rrezikonte një shpërthim me përmasa të papara deri atëherë dhe me pasoja të paparashikuara ekonomike për gjithë ish-Jugosllavinë
Në kuadër të këtyre kërkesave, ishte që Syrja Popovci të vinte në mesin e minatorëve të “Trepçës” në Stantërg, dhe të jep sqarime profesionale në lidhje me amendamentet e propozuara në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, pasi që ai edhe ishte anëtar i Komisionit Kushtetues të Kosovës.
Studentët e Universitetit të Prishtinës ishin ndër të parët që u solidarizuan me kërkesat e minatorëve të “Trepçës”, duke u mbledhur mbi 4000 studentë në Sallën e Sporteve në Prishtinë, ku ata qëndruan deri në fund të grevës.
Me minatorët e “Trepçës” në Stantërg, më 21 e 22 shkurt 1989, u solidarizuan edhe minatorët e minierave të Kishnicës, të Hajvalisë, të Novobërdës, të Goleshit, të Babushit të Muhaxhirëve, të Vujakliut, të Devës, të Strezocit, të Grebenikut, të Bellaqevcit dhe të Dobrosellës.
Edhe punëtorët e Kombinatit të Tekstilit “Integj” në Gjilan u solidarizuan me grevistët dhe kërkesat e minatorëve dhe studentëve në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, autonomi e cila ishte hedhur në pazar edhe nga strukturat udhëheqëse të Kosovës, vetëm e vetëm të shpëtonin karrikat dhe pozitat e tyre drejtuese.
Më 26 shkurt 1989 kryesia e RSFJ-së mori vendimin për dërgimin e forcave të armatosura të ushtrisë dhe policisë speciale në Kosovë. Të nesërmen rrugët e Kosovës u mbushën me tankse e autoblinda dhe policë të armatosur të njësive speciale. Njëkohësisht miratuan një ligj të veçantë për shqiptarët, ligji i detyrimit në punë, sipas të cilit mosshkuarja në punë dhe shkelja e këtij ligji konsiderohej vepër penale.
Në mbrëmjen e 27 shkurtit 1989, kryesia e RSFJ-së miratoi dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë.
Më 28 shkurt 1989, (pasi më 26 shkurt Rrahman Morina, Hysamedin Azemi dhe Ali Shukriu kishin ofruar dorëheqjet
Rrugët u mbushën me tankse e autoblinda dhe policë të armatosur deri në dhëmbë të njësive speciale, për të shtypur me gjak revoltën e shqiptarëve. e kërkuara nga minatorët), pas mashtrimit të madh, minatorët dolën nga greva, edhe pse të apostrofuarit në të vërtetë nuk ishin larguar nga funksionet e tyre!
Me 28 shkurt 1989 u luajt edhe skenari i dytë, duke i nxjerrë dhunshëm edhe studentët nga Salla Sportive. Kjo u realizua nëpërmjet Zekria Canës (siç tregojnë dëshmitarët), i cili i dezinformoi studentët brenda në sallë, se gjoja kanë dhënë dorëheqje tre të nominuarit dhe se minatorët kanë dalë dhe kanë shkuar nëpër shtepitë e tyre etj…etj, “prandaj, pasi kërkesat janë plotësuar, s’keni më arsye të qëndroni këtu?!” Pikërisht në këto çaste në sallë ka hyrë një delegacion i minatorëve, të cilët e demantuan aty për aty gënjeshtrën e Zekeria Canës, duke thënë se: “Kërkesat nuk janë plotësuar, po na kanë mashtruar dhe tradhtuar!”
Në këtë kohë, u inicua një aksion humanitar për dhënien vullnetare të gjakut, si ndihmë për minatorët që kishin qenë të ngujuar në zgafellat e minierave të Kosovës.
Më 28 shkurt 1989 në Kragujevc një serb vrau dy punëtorë shqiptarë, duke shënuar edhe fillimin e vrasjeve dhe linçimeve publike të shqiptarëve, vrasje të cilat nuk dënoheshin nga regjimi millosheviqjan, regjim të cilin e mbështesnin edhe një grup shqipfolës, të cilët ishin vënë me direktiva të vetë Millosheviqit nëpër pozitat e larta shtetërore dhe partiake në Kosovë.
Më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e KK të LK-së dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “Dy kryesitë përkrahin plotësisht amandamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë territorin e Republikës…” dhe se “me këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themelore të Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të Serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Rilindja, 15 mars 1989). Njëkohësisht përkrahën në mënyrë unanime edhe vendimin e kryesisë së RSFJ-së për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, duke e cilësuar si “çështje të domosdoshme”.
Grevat e punëtorëve vazhduan në gjithë Kosovën, greva të cilat regjimi millosheviqjan i quante hiç më pak se “terrorizëm politik”, duke i shtuar kështu edhe një etiketim veprimeve të punëtorëve në arsenalin e propagandës shoviniste.
Më 17 mars u mblodhën delegatët e Këshillit të Dhomës Shoqërore – Politike të Kuvendit të Kosovës, ku përkrahën njëzëri amendamentet e Kushtetutës së Serbisë, – kështu shkruante “Rilindja” e datës 18 mars 1989.
Më 21 mars, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës i propozoi Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e caktuar për datën 23 mars të jepte pëlqimin për amendamentet në Kushtetutën e Serbisë.
Ishte ditë e enjte, më 23 mars 1989, kur në Prishtinë, në ora 10.00 paradite, u mblodhën delegatët e të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës. Në sallën e Kuvendit ishin 190 delegatë të zgjedhur qysh në tetor-nëntor të vitit 1988 nga komisionet kandiduese në të gjitha organizatat shoqërore – politike. Në këtë mbledhje, pasi diskutuan 27 delegatë, 20 shqiptarë dhe 7 serbë, në fund u aprovuan me aklamacion (ngritje të dorës) amendamentet e Kushtetutës së Serbisë. Kishte vetëm 11 vota kundër dhe dy abstenime, me çka edhe bëhet suprimimi i autonomisë së Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Më 23 mars 1989, pas miratimit për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Serbisë nga Kuvendi i Kosovës, shpërthyen protesta të fuqishme e të pandalshme në gjithë Kosovën, gjatë tërë vitit 1989, e sidomos të përgjakshme ishin deri më 28 mars, kur në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë. Vetëm deri në maj 1989, regjimi pranoi se u vranë 57 veta në këto protesta dhe u plagosën me qindra të tjerë.
Ndërkohë ata që i mbetën edhe më tutje besnikë politikës antishqiptare të Millosheviqit, u avancuan në pozita më të larta të pushtetit! Në mesin e atyre që u avancuan në këtë drejtim ishte edhe kryetari aktual i “nderit” i LDK-së, Isa Mustafa! si edhe Daut Jashanica, i cili u avansua në postin e delegatit të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë. Millosheviqi po përzgjidhte “njerëzit e dëgjueshëm”!
Për merita të angazhimit në luftë kundër “nacionalizmit” dhe “separatizmit shqiptar”, më 13 maj 1989, në përvjetorin e themelimit të UDB-së, me dekoratën e kryesisë së RSFJ-së u dekorua edhe Nuredin Ibishi, të cilin sot na bie ta shohim shpesh në televizionet tona si “analist” për çështje të sigurisë, i cili ishte edhe kandidat për deputet nga radhët e LDK-së.
Pos Nuredin Ibishit me këtë rast janë dekoruar edhe shumë shërbëtorë të regjimit serbo-sllav, për kontributin e tyre në luftë kundër popullit të tyre gjatë kohës së ndryshimeve kushtetuese dhe sidomos gjatë kohës së protestave të shumta anë e mbanë Kosovës, siç janë:
Nga Kryesia e RSFJ-së, me Urdhërin për Trimëri u dekoruan: Jetullah Kuçi (pas vdekjes), Nuredin Ibishi, Shaqir Krasniqi, Agim Beqiri, Rrahman Sylejmani dhe Musa Zejnullahu.
Me Urdhërin e Punës me Kurorë të Argjendtë u dekoruan: Neki Ramadani, Ali Gashi dhe Beqir Hoxha.
Me medaljen për Trimëri u dekoruan: Gani Syleviqi, Shemsi Zejnullahu, Rrustem Ramosaj, Enver Sylejmani dhe Skender Ademi.
Me medaljen e Meritave për Popull u dekorua: Demë Mujaj.
Me medaljen e Punës nga Kryesia e RSFJ-së u dekoruan: Hasan Ahma, Mehdi Berisha, Beqir Dërvishaj, Muharrem Halitaj, Ejup Kastrati, Omer Kllapi dhe Faik Pajaziti.
Të dekoruarve këto dekorata ua dorëzoi Bajram Selani, në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të kryesisë së KSA të Kosovës.
Dekorata për shërbime ndau edhe Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të RSFj-së, me ç’rast u dekoruan me Plakatën e Sigurimit: Mexhid Beqiri, Shaban Avdiaj, Halil Blaka, Adem Ymeri, Dërgut Bibaj, Xhibo Mehmedaliu, Sylë Millaku, Rexhep Oruçi, Enver Ramizi dhe Bardh Tahiri.
[1] “Libri i kaltër” quhej një përmbledhje e Doktrinës së Shenjtë Serbe, botuar në Beograd pas ndryshimeve në kushtetuten federative të Jugosllavisë në vitin 1974. “Libri i kaltër” ishte i përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë ndërsa për qytetarët, libri filloi të jetë i lirë që nga viti 1977. Me këtë libër doktrina serbe argumentonte shkatërrimin e gjithë të drejtave që Kosova dhe shqiptarët i kishin fituar nga Kushtetua e tre viteve më parë (1974).