Vështrim/Analizë

Blerim Muriqi: Bota tashmë ka ndryshuar!

TASHMË BOTA KA NDRYSHUAR

Gjenitë me dijen e mendjes ia shtrojnë njerëzimit jetën ndryshe, më cilësore. Derisa, diktatorët kriminelë përmes dhimbjes kriminale e shtyjnë të fitoj mbi ta. Në të dyja rastet fiton e ardhmja! Në shpatullat e luftës ukrainase po ndërtohet qartësia e së ardhmes europiane dhe përtej.

Revolucioni francez nuk ia doli ta iluminonte njerzimin në masën e padrojës, në masën e vetpërgjegjësisë të të fortëve. Ai ia doli ta shkruante me alfabetin e sakrificës shifrën e çmimit të lirisë së njeriut, lirisë së shoqërive të caktuara, por jo edhe ta vënte përfundimisht  civilizimin në paqen e prosperimit ku vlera njeri do bëhej çatia themeltare e vet jetës.

Po ashtu, dy luftërat botërore dhe dhjetra tjera çlirimtare nuk ia dolën të shkonin përtej matricave “interesa të diktateve” dhe ëndrra të sëmura diktatorësh.

Lufta e ftohtë e mblodhi botën e shpërndarë deri atëherë nga shumë cepe e vatra në dy taborre. Paqen e ruante gara në armatim. Perdja ra, mbetën reminishencat e të shkuarës.

Tenkat kineze në sheshin Tiananmen paralajmëruan se për njerzimin koha dhe mendësia kishte ngelur në të shkuarën e trishtë të izolimit për të pushtetuar. Përëndimi i shtyrë nga interesat u kap pas frikës. Ai nuk dinte çfarë të bënte me gatishmërinë e shoqërive të lindjes për të ndryshuar. Zvarritja ku përfundoj përëndimi e bëri botën më të rezikshme. Të paktën lufta e ftohtë e kishte çelës vetpërgjegjësinë, kurse tani bota po noton në tekat e një narcisti sikur u mpleks Putini i ardhur nga bota e errët e shërbimeve. Ai, asnjëherë nuk deshi ta fshihte qëllimin e tij. Përëndimi asnjëherë nuk guxoi të hapëronte përtej perdes që ai po e vënte.

Sot në emër të putinizmit dhe nën flamurin rus Falangat Çeçene bëjnë ISIS-in mbi Ukrainë. Kush në të vërtetë është putinizmi? A kishte ai dorë në deformimin e “Pranverës arabe” duke injektuar ISIS-sizëm, duke shtruar rrugën e një bote në katrahurë, për çka sot i ka vënë kazmën Europës, këtij djepi të civilizimit modern, ku dhe vetëm ku luftërat mund ta marrin statusin e botëroreve.

Sulmi rus mbi Ukrainën u shit nga Putini te Kina dhe një mori shtetesh të cepeve të errëta të botës, si gjeopolitika e re. Ai duket të ketë ndërtuar distancën e diktatorit me vartësit e vet, për çka po rezulton tërësisht i pa këshilluar për sa mund të rrjedhin zhvillimet. Ai e bashkoi botën kundër të keqes putiniste nën flamurin Ukrainas.

Fundja, dështimi për ta shtruar Ukrainën dhe veprimet gjenocidiale që ai po kryen me raketime venbanimesh civile tashmë janë bërë dhe burgu ndërkombëtar i vet popullit rus. Vringëllima e armëve nukleare është kufiri që ndanë Rusinë putiniste na secili në glob.

Deri ku mund të mbajnë marrëdhënjet Ruso-Kineze, Ruso-Braziliane, Ruso-Afrikano Jugore etj nuk është e vështirë të lexohet. Kina nuk është në kërkim të një vëllai të madh që të shkonte deri në fundin e jetës në tokë për besnikëri të marrë, ashtu sikur në fushën e marrëdhënjeve ekonomike Rusia me gjithë aleatëtë e saj të pakët nuk përmbushë as të njëqintën e asaj që ofron ekonomia e madhe amerikane  dhe përëndimi si tërësi ekonomike.

Vetmia ruse ngadalë po kthehet në vetmi Putin, dhe ky është hendeku që mund ta mbajë botën për disa kohë në ethet e paqartësive. Mbajtja e Rusisë në Ukrainë duke e ndihmuar Ukrainën në të gjitha fushat është sot detyrë strategjike. Putinin sot e ndal vetëm populli rus dhe e mund vetëm Ukraina. Ai po përpiqet ta hap një mundësi daljeje jo për t’u ndalur, por për ta fituar kohën që po i mungon.

 

Shtyrja e Putinit drejt fundit të tij është fati që ndjek secili kriminel dhe ai duhet ndihmuar!

Ajo që ishte gatitur shpejt ra. Sot ka mbetur vetëm veloja fshehëse, në Kinë, Bjellorusi a Serbi. Tajvani  sot nuk është në ankth sikur para dhjetë ditëve, Bosnja dhe Kosova poashtu, ushtarët bjellorus mund të mos përdoren mish për top, koalicioni i forcave që donte ta vendoste Putini si paqerusajtës në Ukrainë për ta nisur boshtin e ri të luftës përtej Ukrainës nuk do të bëhet realitet dhe ato vende ndoshta shpëtojnë nga çekani ndërkombëtar i sanksioneve!

Bota u trondit për një çast dhe njerëzimi u vu para një thyerjeje totale, të cilës po ia del t’i mbijetoi. Ditë të mira po vijnë nëpër dhimbjen e madhe të popullit të Ukrainës, i cili për kohën postmoderne do të mbetet tempulli i kujtesës dhe mësimit. Ora politike dhe e marrëdhënjeve ndërkombëtare nga tani e tutje do të kurdiset me shumë pragmatizëm. Gjermanisë mund t’i themi mirë se erdhe me kapacitete të plota në gjeopolitikë! Bota tashmë ka ndryshuar.

 

Postimet e fundit !